Mes faqeve të këtij albumi, në kapitullin “Pavijoni burg i psikiatrisë” shfaqet mes të tjerash një dokument tronditës së bashku me një foto bardhë e zi të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, e mandej portretet e këtyre njerëzve të depersonalizuar, fotografuar vite më vonë, pas, ’90-ës, kur ata nuk mbanin mend pothuajse asgjë...
Dokumenti zbulon shënimet që janë mbajtur për tetë nga këto pacientë. Për Sefedin Maksud Maksudin ëhstë shënuar se është dërguar në Spitalin Psikiatrit të Elbasanit nga Gjykata e Durrësit, me arsyetimin ‘axhitacion’. Më tej Zenel Xhaferr Begeja, po nga Gjykata e Durrësit, po për axhitacion, Petër Fran Gruda është dërguar në këtë spital nga Gjykata e Tiranës po për axhitacion. Më tej Refik Abaz Kraja, nga gjykata e Shkodër, me fajin “arratisje”, Kujtim Hasan Cuni i dërguar nga Gjykata e Tiranë po për ‘arratisje”, Ismail Faredin Maluka i dërguar në këtë spital nga gjykata e Tiranës për “axhitacion”, Kopi Risto Thimi nga Gjykata e Korçës për ‘tradhëti”, ndërsa Esat Dajlan Brana, nga gjykata e Durrësit me arsyen “axhitacion”.
Përgatitësi i këtij albumi Enver Kushi, thotë se në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit kishte një pavijon të veçantë për këtë kategori. Pavijoni i trajtonte si pacientë kundërshtarët e diktaturës. Në këtë pavijon kryhej terapia e shuarjes së kujtesës, depersonalizimi dhe humbja e ndjenjës së realitetit për veten. Pacientëve ju përgatitej edhe një diagnozë, e cila shënohet edhe në dokumentin që paraqesim këtu: mes të tjerash paranojë, skizofreni, etj.
“Këta të sëmurë, (një pjese e tyre nuk ishin fare të sëmurë), duke u futur në këtë pavijon fillonin trajtimin si tërë të sëmurët e tjerë. Kur dilnin që aty ishin krejt të shkatërruar nga mbidozat nga elektroshoku”, thotë studiuesi Enver Kushi, ndërsa tregon se “trajtimi” i këtyre personave kalonte në katër faza.
Në fazën e parë, organet e hetuesisë e dërgonin personin për ekspertim psikiatriko-ligjor, për shkelje të nenit 55-I “për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor e udhëheqësve të shteti e të Partisë”.
Në fazën e dytë mjekët psikiatër, që përbënin komisionin, vërtetonin me firmat e tyre dyshimet e specialistëve të policisë apo të hetuesisë.
Në fazën e tretë me vendim të gjykatës, këta persona i çonin për “mjekim të detyruar” në spitalin Psikiatrik të Elbasanit.
Ndërsa në fazën e katërt ishte mjekimi i detyruar në këtë pavijon, i cili hiqej vetëm me vendim të gjykatës, kur krijohej bindja se këta të sëmurë nuk ishin më të rrezikshëm nëse liheshin të lirë.
“Ishin të shkatërruar mendërisht, pa kujtesë, pa logjikë... vetëm në këtë fazë regjimi i cilësonte ata si të parrezikshëm”, thotë Enver Kushi, duke shtuar se në këtë lloj filtri kanë kaluar me dhjetëra intelektualë, arkitektë, inxhinierë, ekonomistë, mësues, piktorë, sportistë etj. Sipas tij drama më e madhe e kësaj kategorie, ishte ajo pas kryerjes së këtij dënimi. Pjesa dërrmuese e tyre e kaluan jetën kësisoj, mbetën pa banesa, nuk krijuan as familje, mbetën rrugëve...
Studiuesi Enver Kushi na tregon në fund portretet e 11 ish-pacientëve të këtij spitali, thuajse të gjithë intelektualë, të cilët ishin filmuar e fotografuar për një dokumentar pas përmbysjes së regjimit. Portretet e tyre, dëshmojnë shkatërrimin e personalitetit, shpërfytyrimin e portreteve, një vuajtje që ka lënë gjurmë të thella tek ta.
11 dëshmitarët
1. Agim Hodobashi, inxhinier
2. Beqir Xhepa, ekonomist
3. Arjan Karanxha, arkitekt
4. Niko Deliu, mësues
5. Roland Papa, piktor
6. Ilir kreko, sportist kampion i mundjes
7. Evridhiqi Vodica, mësuese
8. Banka Balliçi
9. Naim Zani, mësues
10. Jovan Xhuvani, mësues
11. Seit Labi