“Do të të vras dhe më pas do të vras veten”. Kjo është një nga kërcënimet që, sipas mediave greke, Altin Allmuça i kishte dërguar ish-partneres së tij, Julieta Obzova, pak para se ta vriste në Nea Smyrni të Athinës dhe më pas t'i jepte fund jetës.
Detaje të reja nga hetimet tregojnë se 48-vjeçari dyshohet se e përndiqte vazhdimisht 45-vjeçaren. Sipas dëshmisë së një të afërmi të viktimës, "kohët e fundit, kudo që shkonte, çfarëdo që bënte, e gjente përpara". Të afërmit përshkruajnë një situatë që, sipas tyre, ishte kthyer në makth për gruan.
Sipas mediave greke, 45-vjeçarja kishte vendosur t'i jepte fund lidhjes pasi kishte mësuar se Allmuça ishte i martuar dhe kishte një vajzë 19-vjeçare. Që nga ai moment, sipas njerëzve pranë saj, situata u bë gjithnjë e më e rrezikshme. Ajo kishte ndërruar edhe bravat e banesës në përpjekje për të mbrojtur veten.
Sipas dëshmisë së një të afërmi të viktimës, Allmuça i kishte dërguar 45-vjeçares një fotografi ku shfaqej duke mbajtur një armë të drejtuar nga koka. Sipas mediave greke, fotografia shoqërohej me kërcënimin se do ta vriste dhe më pas do të vetëvritej.
Kunata e viktimës ka deklaruar se ai i kishte dërguar fotografinë me armë duke i thënë: "Do të të vras dhe më pas do të vras veten."
Ajo shtoi se të gjithë e kishin këshilluar 45-vjeçaren t'i drejtohej policisë.
Dialogu me vëllain e viktimës
Pak ditë para krimit, Allmuça kishte tentuar të takohej edhe me vëllain e Julieta Obzovës. Sipas mediave greke, ai këmbëngulte që të pinin një kafe për të diskutuar për motrën e tij, por ky i fundit nuk pranoi.
Biseda mes tyre ishte si më poshtë:
Altin Allmuça: "Dua të takohemi për një kafe, të flasim."
Vëllai i 45-vjeçares: "Për çfarë të flasim?"
Altin Allmuça: "Për atë që po ndodh me motrën tënde."
Vëllai: "Nuk besoj se kemi arsye të takohemi."
Altin Allmuça: "Mos ki merak, nuk do të vrasim njeri, thjesht do pimë një kafe."
Vëllai: "Më mirë ta lëmë me kaq."
Takimi nuk u zhvillua kurrë.
"Po përgatitej të bënte diçka të madhe"
Të rëndësishme për hetimin konsiderohen edhe dëshmitë e familjarëve të 48-vjeçarit. Sipas tyre, ai kishte paralajmëruar vajzën dhe bashkëshorten se po përgatitej të bënte "diçka të madhe", pa zbuluar se për çfarë bëhej fjalë.
Sipas një dëshmie, pak orë para krimit ai u takua me vajzën dhe i tha:
"Të dua shumë. Je jeta ime. Por më ke lënduar, sepse nuk më ke mbështetur. Doja të ishe në krahun tim dhe mund të mos më shohësh më. Kjo mund të jetë hera e fundit që më sheh."
Më pas ai u kthye në banesë, zgjoi bashkëshorten dhe i la paratë që kishte me vete.
Sipas dëshmisë së saj, ai i tha:
"Kujdesu për fëmijën tonë. Dua të kujdesesh për të si për sytë e ballit."
Gruaja u ka thënë hetuesve se nuk e kishte kuptuar arsyen e këtyre veprimeve. Ajo e kishte parë bashkëshortin duke qarë para se të largohej nga banesa. Ai e kaloi natën jashtë shtëpisë dhe nuk i tregoi se ku ndodhej apo çfarë do të bënte. Sipas dëshmive, kjo ndodhi vetëm pak orë para vrasjes.
Dëshmia e fqinjit
Në hetim është përfshirë edhe dëshmia e një fqinji, i cili tha se dëgjoi të shtënat dhe më pas zbriti poshtë.
"Fillimisht dëgjova britmën e një gruaje dhe më pas një të shtënë tjetër. Në total dëgjova tre të shtëna dhe pas rreth dy minutash edhe një të katërtën. Kur zbrita poshtë, burri ishte i shtrirë me fytyrë përdhe, ndërsa gruaja ishte shtrirë me fytyrën lart, e mbuluar në gjak", ka treguar ai.
Dyshimet për armën
Sipas burimeve policore të cituara nga mediat greke, arma që përdori Allmuça dyshohet se lidhet me autoritetet shqiptare të policisë. Hetuesit po verifikojnë origjinën e saj dhe mënyrën se si përfundoi në posedim të 48-vjeçarit.
Ndërkohë pritet përfundimi i ekspertizës mjekoligjore, e cila do të ndihmojë në zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Me autorin e dyshuar tashmë të vdekur, procedura penale ndaj tij është ndërprerë, ndërsa hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e krimit dhe rrethanat që çuan në vrasjen e 45-vjeçares.





Komente
Komento