Dëshmia e bujshme: Unë e qëllova mafiozin e famshëm Xhevdet Mustafën dhe e lashë të vdekur, pasi ai na hyri në shtëpi dhe na vrau …

Dëshmia e bujshme: Unë e qëllova mafiozin e famshëm Xhevdet Mustafën dhe e lashë të vdekur, pasi ai na hyri në shtëpi dhe na vrau …

Xhevdet Mustafa

Është publikuar historia e panjohur të ngjarjes së bujshme të ndodhur në 26 shtatorin e largët, të vitit 1982. Diku rreth mesditës, në rrugën nacionale Rrogozhinë-Lushnje, pasi kishte marrë me forcën e armëve një auto veturë ‘Taxi’, Xhevdet Mustafa, ndaloi në afërsi të fshatit Zhamë. Pasi u ngjit në një kodrinë, u fut në një nga shtëpitë e familjes Sula, ku dhe do të mbetej i rrethuar nga forcat e Policisë dhe ato të Ushtrisë. Këto forca ishin nën urdhrat e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Lushnjes dhe nën mbikëqyrjen e ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, Ministrit të Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, sekretares së Komitetit Qendror të PPSH-së, Lenka Çuko, etj, të cilët mbërritën menjëherë aty. Dëshmitë e rralla të Kurt Sulës, ish-mësuesit dhe agronomit të njohur të asaj zone, i cili tregon historinë e asaj ngjarje. Duke filluar që nga momenti kur Xhevdet Mustafa, u fut i armatosur në shtëpinë e vëllait të tij, Mersinit, ku ai me fëmijët e tij dhe të vëllezërve, po ndiqnin një film në TV. Si e vrau Xhevdeti, nënoficerin e Policisë Rrugore, Tomor Zyla dhe Mersin Sulën? Rrethimin e shtëpisë nga ana e forcave të Policisë dhe Ushtrisë, që ishin nën urdhrat e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes? Ardhjen e ministrave Kadri Hazbiu, Hekuran Isai si dhe të Lenka Çukos, thirrjet e tyre që Xhevdeti, të dorëzohej dhe përgjigjet e tij, futjen e Kurtit në shtëpi ku Xhevdeti? Ai mbante peng gratë dhe fëmijët, bisedat midis tyre, momentin kur Kurti me “Belçikun” e tij, qëlloi dhe e la të vrarë Xhevdetin, futjen e autoblindës së Ushtrisë, që shembi shtëpinë? Marrjen e kufomave dhe varrimin e tyre të nesërmen me ceremoni, ku fjalën e rastit e mbajtën autoritetet më të larta të Komitetit të Partisë dhe atij Ekzekutiv, të rrethit të Lushnjes, Gjergj Velaj e Filip Ndoci. Shpallja “Dëshmor të Atdheut” të tyre në vitin 1986, si dhe takmi i Kurtit me familjarët e Xhevdet Mustafës, në vitin 1993, të cilët nuk i lejoi që të ngrinin aty një lapidar, etj.

“Unë e vrava Xhevdet Mustafën”. Deklarata e bujshme që bëhej për herë të parë, që nga 26 shtatori i vitit 1982,  39 vite nga ajo ngjarje e jashtëzakonshme, që tronditi krerët e lartë të shtetit komunist shqiptar, vjen nga goja e Kurt Sulës, një ish-mësuesi dhe agronomi të lartë nga fshati Zhamë, i Lushnjes. Thashethemnaja që u end nga ajo ditë e largët, të atij fund shatori të 1982-it, mes legjendës e realitetit, që: “një fshatar me Belçik, e kishte vrarë kontrabandën e famshëm Xhevdet Mustafa”, na detyroi të merrnim udhën drejt atij fshati, me mendimin për ta ndriçuar sadopak atë ngjarje, e ndoshta për “t’i vënë fre”, kufijve të një legjende. Fshati Zhamë, drejt të cilit udhëtuam, ndodhet në të majtë të rrugës nacionale, fare ngjitur me të, diku midis Rrogozhinës e Lushnjes.

“Shtëpitë e Sulajve, ja ku janë, ato atje mbi xhade, por familjen e Mersinit nuk e keni. Kanë shkuar të gjithë në Greqi, e i kanë vënë çelsin shtëpisë. Por atje keni vëllanë e tij Kurtin, ai mund t’ju flasë shumë, për atë ç’ka kërkoni ju. Kurti ka qenë vetë atë ditë brenda në shtëpi dhe është përleshur me Xhevdetin”.

Tregon Qemal Hekurani, një vendali që shiste perime të stinës, buzë rrugës automobilistike. Ndonëse shtëpia e Kurt Sulës nuk ndodhej më shumë se 500 metra nga aty, Qemali, në shenjë respekti na dha me vete dy djemtë e tij, për të na treguar rrugën.

“Kam qenë atë ditë aty, shkova i pari, porsa dëgjova krismat”, na thoshte ai, teksa ne po ecnim, e si për të na “kuriozuar”, se ndoshta u dukëm sikur nuk ja vumë veshin fjalëve të tij, ai shtoi: “Unë isha aty kur erdhën Kadri Hazbiu me Hekuran Isain, Hekurani i hipi vetë autoblindës dhe bëri prova tek ajo malorja atje”.

Kurt Sulën e gjetëm në shtëpinë e tij, që ndodhet në një kodrinë të vogël, në mënyrë simetrike, në një distancë të baraslarguar, në të dy anët e saj, nga lindja e perëndimi (afër 70-80 metra), ndodhen rruga nacionale dhe ajo hekurudhore. Ai doli menjëherë sa e njoftuan, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët ja behën të gjithë në oborr, pas prezantimit tonë se kush ishim, nga vinim e kush ishte qëllimi i vizitës sonë atje.

“Kurti, gjithmonë ka pas qef me fol me naj gazetar për kët punë oj nan, por s`ka mund”, na u drejtua zonja e Kurtit, një grua e zgjuar, që ndërhyrjen e saj me shumë takt e kishte më tepër për të shoqin e saj Kurtin, pasi vuri re tek ai, një farë mëdyshje, hezitimi a mosbesimi!

“Ju kini ardh pri larg or nan, e Kurti s’ka për t`ju kthy mbrapsht, pa fol noj i fjal. Ne s’kemi ç’me hum, e aj s’kthehet ma”, ndërhyri përsëri po me shumë takt, e shoqja e Kurtit, sikur donte t’i vinte vulën asaj që tha më parë, e duke na ftuar që të hyjmë në shtëpi, në një moment që i shoqi i saj na tregonte vendin, ku kishte mbetur i vrarë nga Xhevdeti, Mersini (vëllai i Kurtit).

Me një pamje fisnike, por dhe disi të lodhur nga jeta, ku ai kishte drejtuar si kryeagronom, ndërmarrje të mëdha bujqësore, si ajo e Çermës, për t’u kthyer më vonë në Institutin e Lushnjes, si bashkëpunëtor shkencor, e mësues në shkollën e mesme, të sektorit Dushk. Kurt Sula, vendos që të rrëfehet për ngjarjen e largët të 26 shtatorit të vitit 1982, e cila tronditi seriozisht regjimin komunist të Tiranës dhe personalisht Enver Hoxhën.

“Aq herë e kam treguar atë, sa jam bërë tamam si ciceron”, na thotë Kurt Sula, si për të na siguruar se është shumë i saktë, pas pyetjeve tona të parat: “Çfarë mund të kujtohet, ku ishit atë ditë dhe si e morët vesh ngjarjen”?

“Po, atë ditë, mos gaboj, ka qenë data 26 shtator dhe ishte ditë e diel. Unë me plakën time (bën me dorë nga e shoqja), dolëm nga shtëpia, aty nga ora 10 e paradites, e u nisëm me zbritë për te rruga e makinës, pasi do të shkonim në Berat, ku kishim djalin në shkollën e muzikës. Po nxitonim pak, pasi në orën 12.00, duhej të ishim në Berat. Duke ecur në xhade, në drejtim të sektorit qendrës, për të gjetur më shpejt ndonjë makinë, në drejtim tonë nga rruga që vjen nga Rrogozhina, po vinte me shpejtësi një “Fiat” taksi, ngjyrë qumështi, me targa të Durrësit. Unë i nxora dorën, siç bëjnë zakonisht pasagjerët dhe kur u afrua në drejtimin tim, pashë se brenda ishin dy vetë: shoferi dhe një tjetër mbrapa. Unë i fola se shkoja për në Berat, por makina jo vetëm që nuk ndaloi, por e shtoi shpejtësinë dhe pasi u largua pak, personi që ishte mbrapa shoferit, nxori kokën nga dritarja dhe më shikoi. Unë njëherë kujtova se mos ishte ndonjë i njohuri im, por prap ndërrova mendje se veprimi i tij m’u duk i çrregullt”.

A e njohe më pas personin që nxori kokën për të parë?

Personi që nxori kokën, ishte vetë Xhevdet Mustafa, njeriu që unë do ta shihja disa minuta më vonë. Nga sa morëm vesh, ai kishte dalë nga një restorant te stacioni i trenit në Rrogozhinë, pasi po e ndiqnin dhe në rrugën nacionale, kishte ndaluar atë “Fiat”-in taksi të Durrësit, duke i nxjerrë pistoletën. Pasi kishte zbritur dhëndrin me nusen e dasmorët, kishte detyruar shoferin, një djalë nga Durrësi, që të shkonte nga t’i thoshte ai.

Çfarë bëtë më pas?

Pasi u largua ajo makinë, unë së bashku me gruan, vazhduam rrugën drejt sektorit. Mbas pak, na doli përpara një fshatar, që quhet Idriz Sula dhe një tjetër që nuk ja mbaj mend emrin, pasi është larguar prej vitesh nga fshati jonë.

Çfarë u thanë ata?

Idrizi, tepër i tronditur na doli përpara dhe na tha, se kishin vrarë Riza Sulën, që ishte roja i objektit, te qendra e brigadës, ku ishin magazinat e sektorit. Pas kësaj, unë lashë gruan te dyqanet e Çermës dhe u ktheva mbrapsht për të parë, se çfarë kishte ndodhur. Idrizi thoshte se Riza Sulën e kishte vrarë një njeri, që ishte arratisur nga burgu, e bënte me dorë, duke treguar se ai person ishte larguar në drejtim të rrugës nga vreshtat. Ajo rrugë, që është paralel me hekurudhën, të sjell këtu prapa shtëpive tona. Ngaqë njerëzit tregonin me dorë në drejtim të shtëpive tona, (aty banojnë disa familje të fisit Sulaj), u ktheva të shihja se çfarë kishte ngjarë aty. Në këtë kohë, sa u futa rrugës anës vreshtave, pashë “Fiat”-in me targat e Durrësit, anës një kanali dhe vetëm shoferin që qëndronte brenda, me një pamje tepër të tronditur, e flokë të shpupuritura.

Komunikuat me të?

Ai sa më pa m’u drejtua: “Aman, kapeni atë njeriun atje, që është arratisur nga burgu”. Unë vazhdova të ngjitesha dhe kur dola sipër rrugës, që shikon nga shtëpitë tona, pashë një njeri që ecte mbrapsht, me kurriz nga shtëpitë tona dhe me një pistoletë në dorë. Nga ecja e tij, dukej se ai ruhej nga dikush që po e ndiqte.

Nga çfarë distance po e ndiqnit ju atë skenë?

Unë isha në një distancë, jo më shumë se 50 metra larg tij dhe ai po aq larg shtëpisë, ku banonin dy vëllezërit e mi, Ramadani e Mersini, me familjet e tyre. Unë në fillim kujtova se mos ai ishte ndonjë nga të Degës së Brendshme, i cili po ndiqte atë që thoshte Idrizi me shoferin e taksisë: “të arratisurin nga burgu”.

Si kishte ardhur Xhevdet Mustafa deri aty, pa e njohur atë vend?

Kam mësuar më pas, se deri në afërsi të shtëpive tona, Xhevdeti, ka ardhur me një makinë ushtarake. Ai pasi ka shkuar me taksinë e Durrësit, deri në një farë vendi, nuk ka mundur të ecë më tej dhe është afruar në këmbë për te reparti ushtarak, që ndodhej afër nesh, ku ka marrë një makinë “ZIS”, dhe është kthyer përsëri andej nga rruga ku kishte ardhur, duke e braktisur edhe makinën ushtarake.

Si kishte mundur ai të futej në një repart ushtarak, të rrëmbente një makinë dhe të ikte përsëri pa e ndjekur njeri?

Për rrëmbimin e makinës ushtarake, unë e kam me të dëgjuar. Po kështu u fol ato ditë, se ai donte të hynte në atë repart ushtarak për të marrë armë, pasi nuk kishte me vete veçse një pistoletë.

Të kthehemi tek momenti që ju po shikonit Xhevdetin me armë në dorë afër shtëpive të familjes Sula?

Atë moment, që unë po e shihja, as që nuk e dija, se ai njeri ishte Xhevdet Mustafa. Ai ishte i gjatë e i shëndoshë. Kishte veshur një fanellë të zezë me vija dhe një palë pantallona xhinse, me një palë atlete të bardha, të cilat kur ja pashë nga afër, (pas vrasjes së tij), kishin stampën USA. Unë kisha mbetur në këmbë, pa lëvizur e vetëm ndiqja lëvizjet e tija. Ai u tërhoq gjithë kohën me pistoletë në dorë dhe fare afër shtëpisë, m’u duk se vuri një tytë tjetër te pistoleta, që mbante në dorë, gati për të qëlluar.

Në ato momente, a po e ndiqte njeri Xhevdetin?

Po aty e pashë se atë po e ndiqte Tomorr Zyla, një kontroll i Policisë Rrugore të ushtrisë, i cili ishte i veshur me uniformë.

Çfarë ndodhi më pas?

Xhevdeti, kur u afrua afër shtëpisë, hyri brenda në korridorin ndarës, ku banonin familjet e dy vëllezërve të mi, Ramadanit e Mersinit. Pasi u fut në shtëpi, pa e parë asnjeri, ai është afruar te dhoma e dytë, pasi aty ka dëgjuar zërat e fëmijëve, që shikonin televizor dhe i ka rënë me shqelm derës e është futur brenda.

Sa veta kanë qenë në dhomën që u fut Xhevdeti?

Në atë moment aty kanë qenë shumë fëmijë, pasi ishte e diel dhe aty mblidheshin për të parë filmin shqiptar që jepte Tirana të dielave. Kështu ishin shtatë fëmijët e Mersinit, katër djem e tre vajza, e më i madhi 14 vjeç, së bashku me nënën e tyre, Shehjen. Ishin dhe djali e vajza ime, fëmijët e vëllait tjetër, Ramadanit, së bashku me nënën e tyre Shefikon.

Çfarë bëri Xhevdeti kur hyri brenda në dhomën që ishin fëmijët e kunatat tuaja?

Unë në atë kohë isha jashtë dhe po afrohesha në drejtim të shtëpisë. Nga kunatat e fëmijët, kam mësuar më pas, se ai, pasi ka shtyrë derën me shqelm, u është drejtuar atyre, duke i’u thënë: “Mos lëvizni, se kanë vrarë Enver Hoxhën dhe ne po ndjekim kriminelët”.

Si reaguan gratë dhe fëmijët pas asaj që u tha ai?

Të trembur kanë bërtitur, por nuk kanë lëvizur fare nga vendi. Nga dhoma tjetër ishte Mersini, vëllai im, i cili sa ishte kthyer në shtëpi e ishte ulur për të ngrënë. Ai e kuptoi nga të bërtiturat e fëmijëve, që dikush ishte futur brenda në shtëpi, e ndoshta pa dhe Tomorr Zylën, që po afrohej nga jashtë me pistoletë.

Çfarë bëri Mersini pas kësaj situate ku u ndodh?

Në këtë kohë Mersini mori një kosore, nga ato që ne i përdorim për të prerë dru, dhe u afrua afër derës së dhomës së televizorit, ku ishte futur Xhevdeti. Mersini në fillim bërtiti: “Dil jashtë mor qen, se po na tremb fëmijët”. Pas kësaj, ai rrinte pas dere me kosoren e ngritur gati për të goditur, personin që ishte futur. Mersini kishte veshur këpucë ushtarake dhe Xhevdeti nga brenda e pa, pasi dera nga poshtë kishte afër 5 cm. boshllëk mbi dysheme. Kështu, ai duke kujtuar nga këpucët se mos ishte Tomorr Zyla, që po e ndiqte, e qëlloi tre herë me pistoletë nga brenda derës së mbyllur, në drejtim të gjoksit dhe Mersini ra i vdekur në dysheme.

Po ju çfarë bëtë në atë moment, kur patë vëllanë tuaj që mbeti i vrarë?

Kur u afrova unë, aty e gjeta vëllanë të vdekur dhe si i xhindosur nga ajo skenë, u futa drejt e në shtëpi, brenda korridorit. Nuk shkova te dhoma e parë, ku ishte futur Xhevdeti, por për t’u mbrojtur nga ai, shkova te dhoma tjetër anash asaj. Nga aty dëgjoja fëmijët që bërtisnin: babi, babi. Te dhoma që isha, u afrova afër dritares, dhe pashë që jashtë saj, tre-katër metra Tomorr Zylën, që ishte i shembur përdhe, duke u përpëlitur.

Edhe atë e kishte vrarë Xhevdeti?

Po edhe atë. Ai nxirrte gjak nga goja e nga sytë, ku kishte marrë plumbat që e kishte goditur Xhevdeti, me pistoletë. Unë nuk kam dëgjuar krisma, as kur u vra vëllai im, Mersini, as kur u vra Tomorr Zyla. Siç duket Xhevdeti e kishte pistoletën e tij pa zhurmë, me silenciator. Pas kësaj Xhevdeti doli nga dhoma ku ishte dhe erdhi në dhomën ku po rrija unë, si i ngrirë dhe i shastisur pas vrasjes së Mersinit e Tomorrit. Ai me pistoletë në dorë, erdhi drejt meje, duke më vënë pistoletën në fyt dhe më tha: “Po ti”?! Unë e mblodha veten dhe i thashë: “Nuk kam gjë me ty, më kanë vrarë vëllanë”. Ai në atë çast e uli pistoletën dhe m’u përgjigj: “Vëllanë ta kanë vrarë komunistët, pisat e dreqit”. Unë i’u drejtova, duke i thënë: “Vëllanë ma ke vrarë ti, se te dera jote u vra. Këtu nuk ka njeri tjetër revole”. Pas kësaj ai i egërsuar m’u përgjigj: “Dil shpejt jashtë po të them, se po të hek qafe”.

Si vepruat pas kërcënimit të tij se do t’ju vriste?

Unë menjëherë dola jashtë nëpërmjet korridorit, që të nxirrte nga hyrja lindore e shtëpisë.

Kur dole nga shtëpia, a pe njerëz rreth saj?

Sapo dola, pashë rreth e rrotull shtëpisë, në një distancë afërsisht 50-60 metra, me dhjetëra njerëz: civilë të armatosur të çetave vullnetare, ushtarë, policë e fshatarë kureshtarë, që siç duket kishin ardhur, pasi kishin dëgjuar krismat. Aty afër ishte dhe një autoblindë, që siç mora vesh më vonë, kishte ardhur nga reparti ushtarak i Kolonjes (Lushnje). Me të dalë nga shtëpia, unë mbaj mend se u drejtova për nga porta kryesore e oborrit, ku ishin fshehur njerëzit kryesor të Degës së Punëve të Brendshme, e bërtisja duke kërkuar një armë, se më kishin vrarë vëllanë. /Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Hekuran Leshi(isai): 21/09/2021 09:47

    E verteta vlen gjithmone,sepse ne ate kohe Diktatura e ka tregu historine si suksesin e saj dhe jo qe e ka vra i zoti shpise-kshtu qe falenderoj shume z.DASHNOR KALOCI.

    Përgjigju
  • Xha Jaho: 21/09/2021 08:49

    Me silenciator, e kish patur pistoletèn Xhevdeti, unè nuk dègjova asnjè krismè. Dy pyetje mè pas,,,banorèt e zonès ishin mbledhur sepse kishin dègjuar krisma. O trim.!!! Pse nuk mè puth njèherè nè prapanicè, bashkè me Kaloçèt e sotèm qè tregojnè pèrralla. Lojrat e sigurimit tè shtetit tè asaj kohe, duhen analizuar nga historianè tè pèrgjegjshèm dhe jo nga daullexhinj tallava si Kaloçèt e majmunèrisè kureshtare, pèr njè klikim mè tepèr. Kèto, janè krime kundèr njerèzimit, tè organizuara dhe sponzorizuara nga organet shtetèrore, me qèllim mbajtjen e skllevèrve nè Shqipèri nèn kontroll. Èshtè karagjozllèk dhe palaçollèk, trajtimi i fakteve tè tilla tragjike, sikur tè ishin dajret e arrixhinjve. Kaloçi? Jo faleminderit.

    Përgjigju
  • Lushnjari: 21/09/2021 06:23

    Na hapet barkun me keto perralla o kaloc Njeri lavderohet per trimeri tjetei tregon historin e nje terroristi qe vrau tre kater persona dhe ne fund u shtyp si mi nga diagaci

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar

Itali/ Zbulohet 'streha e kokainës', gjenden 76 kg drogë, pakot dorëzoheshin me furgon! Mes 2 të arrestuarve 1 shqiptar