Dy persona u arrestuan në Lushnjë për shitje të lëndëve narkotike në zona të ndryshme të qytetit. Në pranga ranë Eduart Sharka dhe Skerdilajd Gjoni.

31-vjeçvari Sharka e shiste drogën duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi.

Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 318 gramë kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë.

Në banesën e 39-vjeçarit Gjoni u gjet një sasi kokaine dhe 3 celularë. Policia vijon hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

"Identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas që shisnin doza kokaine në zona të ndryshme në Lushnjë dhe posedonin sendet e kundërligjshme. Sektori për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, pas disa muajsh hetime të kryera me metoda proaktive, organizoi dhe finalizoi, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, operacionin e koduar “Motoristi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

E. Sh., 31 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës, duke përdorur motomjetin me të cilin shpërndante porosi ushqimi. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën 318 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, fishekë për armë zjarri, 1 grirëse bimësh narkotike dhe 3 celularë;

S. Gj., 39 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza kokaine në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 3 celularë", njofton Policia. 

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë