Dëshmia e ish-kryebashkiakut të Shkodrës: Teksa ngjiteshim malit të Shoshit, nga mbrapa pashë mësues Gjovalinin me gjak në fytyrë…

Dëshmia e ish-kryebashkiakut të Shkodrës: Teksa ngjiteshim malit të Shoshit, nga mbrapa pashë mësues Gjovalinin me gjak në fytyrë…

Pjesa e pestë

Meqenëse terrenin nuk e njifshim, dhe ishte i mbuluem me borë, thellësinë e së cilës e kishim me dyshim (era, në vende të caktueme, e zmadhon së tepërmi thellësinë e borës), nuk patëm besim me shkue në kambë deri te burimi, por vetem kambadoras. Mbushëm shishet e ujit për udhëtim, hangrëm bukë e sheqer e u nisëm për rrugë, drejt malit të Shoshit. Prej pjesëtarëve të grupit, vetëm unë, e kisha ba nji herë rrugën e Gurit të Kuq, që kalonte nëpër malin e Shoshit, edhe atëherë natën.

Nji vendas, që për fat të mirë e takuem, na tregoi drejtimin dhe na udhëzoi me ndjekë gjurmët në borë, që disa të tjerë para nesh kishin ba atë ditë, gjatë ecjes së tyre, në rrugën për Shkodër. Filluam marshimin, këtë radhë në heshtje të plotë, duket na kishte trembë të ftohtit e bora, e madhe, si dhe pasiguria që të krijon mosnjohja e saktë e terrenit.

Rruga merrte përpjetë, ritmi ishte i ngadalshëm, këmbët zhyteshin në borë deri mbi gju, por kadalë e kadalë po i afroheshim pikës ma të naltë të qafës së malit, ku do të kalojshim.

Kur çdo gjë dukej se po shkonte mirë, ndjeva prej mbrapa zane me ton shqetësues, kthehem e shoh Gjovalinin, kishte gjak në fytyrë dhe dukej në gjendje, si para të fikëtit. U tremba, u afrova me shpejtësi e konstatova se, gjaku ishte sipërfaqësor, delte prej buzëve të çame prej erës së ftohtë, nuk ishte asgjë serioze, u lehtësova, e me zë të naltë i’a komunikova Gjovalinit.

Çantën e Gjovalinit e mori Muhameti, kurse unë i futa krahun, për me e ndihmue, e filluam ecjen së bashku. Duket se, gjendja e të fikëtit, i kishte ardhë prej panikut që i kishte krijue gjaku nëpër fytyrë, sepse mbas pak minutash, Gjovalini e mori veten dhe vazhdoi rrugën, me ritmin normal.

Vështirësitë e zbritjes së Gurit të Kuq, e ngadalsuen së tepërmi ecjen, sepse grupi, nuk ishte i mësuem në këtë lloj rruge, mbërritëm para se t’erret në shkollën e Prekalit. Mikpritja e dy mësuesve që gjetëm, ishte e veçantë, makaronat me voj kikiriku, që hëngrëm atë natë, ishin “ushqimi ma i shijshëm që kisha provue, deri në atë çast në jetën time”.

Fjetëm dy vetë në nji shtrat, në drejtim të kundërt, sepse nuk na nxinte shtrati. Të nesërmen nade, falënderuam mësuesit e Prekalit për mikpritjen e vazhduem përsëri marshimin në këmbë, kishim edhe 5 orë rrugë (25 km.), deri në Shkodër. Mbas 20 minutave ecje, për fat na mori nji zetor kooperative. Udhëtimi në karrocerinë e zetorit, na u duk si me pasë hypë në veturën ma luksoze.

Te Ura e Mesit, ndërruam mjetin, tashmë në karrocerinë e nji kamioni “ZIS”, që na uli në periferinë e qytetit të Shkodrës. Aishen, mësuesen prej Tirane, e mora në shtëpinë time, nana Inda me dy gjyshat, na pritën me shumë dashni e u gëzuan pa masë për ardhjen tonë, së pari, morëm nji të nxeme pranë stufës me dru, mandej u lamë dhe u shpëlamë, me ujë të nxehtë e së fundi, drekuam ushqimet e shijshme, që nana na pregatiti.

At mbas dite, nuk lëviza prej shtëpie, isha shumë i lodhun dhe i dëshiruem, me përjetua nji mjedis të ngrohtë që vetëm familja ta ofron. Të nesërmen, nadje, shkova te autobusi i linjës së Tiranës, me përcjellë Aishen, i urova rrugë të mbarë dhe tana të mirat, për vitin e ri 1968.

“Kryemadhja”, Breg Lumi, Dukagjin

Në vjetin 1967, përjetova për herë të parë sezonin veror, në mjedisin malor dhe jo, atë, detar. Megjithëse në ‘Breg të Lumit’ ditën bënte nxehtë, notimi në ujin e ftohtë të lumit të Shalës, mbante në ekuilibër temperaturën trupore.

Mbrëmjeve ishte fresk, shtresat ajrore plot avuj të maleve përreth, gjatë natës freskoheshin e bijshin poshtë në luginë. Koha e mirë, dhe qëndrueshme e sezonit, jepte nxitje për ekskursione panoramike drejt naltësive malore, që i rrinin si mbi krye, Bregut të Lumit, por kënaqësia ma e madhe ishte peshkimi me “flutur”, i troftave në ujin kristal të lumit të Shalës.

Kaq i madh ishte ky pasion, kaq kënaqësi me jepte, sa shpesh herë falënderojsha të Madhin Zot, për këtë dhuratë të veçantë, që më fali, pikërisht, në nji prej momenteve të vështira të jetës sime…!

Prej drejtorit të shkollës, Ndue Zef Toma, që gjeta në Breg të Lumit, kur fillova punën, si edhe prej përvojës sime, mësova shumë për peshkimin e troftës:

(- Peshkimi i troftës me ‘grep flutur’, rekomandohet në hije.

– Çdo shtjellje uji, që bën rrjedha mbas nji pengese, krijon mjedisin e parapëlqyem të troftës për “sulm”…!

-Mbas dy hedhjeve të ‘grepit flutur’, pa rezultat në të njëjtin vend, mos provo të tretën, por ndërro pozicion.

-Udhëzohet tërheqja e ‘grepit flutur’, në drejtim me rrjedhën.

-Këshillohet vendosja e nji “plumçe”, të lehtë, në mënyrë që ‘grepi flutur’ të zhytet nën ujë.

-Duhen shmangë veshjet me ngjyra të ndezta.

-Duhet me ecë sa ma lehtë e pa zhurmë gjatë zallit, afër lumit.

-Nuk këshillohet shoqnimi me nji njeri tjetër gjatë peshkimit, sepse biseda me zë të lartë afër lumit, mundet me trembë peshkun.

Në çdo mbas dite vonë, kur dielli më shihej mbas maleve e hija binte në ujin transparent të lumit, fillonte peshkimi. Instinkti i vetëmbrojtjes së troftave, që rrijshin të mëshehuna gjatë ditës me diell, u jepte siguri e agresivitet për gjetjen e ushqimit gjatë atyre orëve, kur në ujë binte hija. Për çdo mbrëmje kthehesha në apartamentin ku banojshim, me plot trofta, pra darka ishte e sigurueme.

Mirëpo, kishte diçka që nuk shkonte; unë isha kuzhinieri i grupit, blejsha grepat për peshkim, që kushtonin 100 lekë copa, përballoja mundin e peshkimit dhe, kur kthehesha në mbrëmje, duhej edhe me pastrue troftat e mandej me i gatue, për me i hëngër së bashku, me të tjerët!

Por, për këtë lloj shqetësimi pata mirëkuptim të plotë prej shokëve, të cilët vendosën që blerjen e materialeve të peshkimit, me e konsiderue shpenzim të kolektivit e, vetëm për pastrimin e gatimin e troftave, unë nuk do të isha në rolin e kuzhinierit, gjë, që do ta bajshin të tjerët.

Të shtunën, mbas dite, 20 Gusht 1967, ma shumë dola për shëtitje se sa për peshkim, por si gjithmonë, parangallin me grepin flutur e kisha në xhep.

Dita ishte e bukur, freskia e mbrëmjes kishte fillue me ra mbi luginë, mjegulla e fresktë, që formohej mbas perëndimit të diellit buzë lumit, të jepte kënaqësi.

Eca kadalë në drejtim të Nderlysës dhe u ndala përballë nji shkëmbi të madh, të pozicionuem në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit, rreth 1 km., larg prej ndërtesës së shkollës.

Ky shkëmb, që krijonte shtjellje uji, ishte shkaku i depozitimeve të shumta ranore të lumit, në vendin ku unë po qëndroja. Në atë pozicion, gjanësia e lumit i kalonte 30 m., në krahun tjetër të lumit, thellësia ishte ma e madhe.

Ashtu si kot, bana gati parangallin dhe e hodha në largësi ‘grepin flutur’, mjaft afër bregut përballë. Nuk e kisha mendjen te peshkimi, por papritmas nji pengesë ma bllokoi tërheqjen e grepit, u mërzita sepse ndodhte shpesh që grepi ngatërrohej nëpër rrajë të bimëve etj., dhe u bana gati me u zhveshë, për me zhbllokue grepin në thellësi të ujit, por ma parë thashë me vete, po provoj edhe nji herë me e tërheqë ma fort, se ndoshta zhbllokohet…!

E tërhoqa me force. Për çudi grepi lëvizi, së bashku me pengesën, a thue zhgula ndonjë rrajë apo ndoshta grepi ishte kapërthye te ndonjë skelet bagëtie, të hedhun në lum? Vazhdova tërheqjen e pengesës së rëndë dhe, kur u afrue, m’u ndridh shpirti; dallova nji troftë gjigante, që nën ujë m’u duk si “nëndetëse”! U emocionova pa masë, por nuk e hupa mendjen.

Meqenëse, unë, peshkoja me fildispanjë të hollë, nuk duhej përdorë forcë e madhe, prandaj i lëshova rrugë troftës me mendim, që prap me e tërheqë, e kështu “lësho e tërheq”, deri sa t’u lodhte. Mirëpo trofta mori drejtimin e shkëmbit, u fut nën te, dhe tentonte me kalue në anën tjetër…!

U frigsova se në fërkim me shkëmbin, fildispanja e hollë mund të këputej, prandaj vendosa me e tërheqë me forcë, dhe mbërrita me e sjellë, deri afër meje.

Më krijoi përshtypjen, se ishte dorëzue, sepse nuk bënte asnjë kundërshtim…! Në këtë moment, bana gabimin fatal: tentova me e nxjerrë prej ujit troftën, me tërheqje…!

Fildispanja u këput, e trofta ra në ujë, por n’at pozicion, prej depozitimeve ranore, uji ishte aq i cektë, sa bishti i gjanë i saj, që lëvizte pa pushim, nuk mbërriti me përfitue fuqinë e duhun për ikje. Në çast u hodha në ujë, dhe me trupin tim bllokova mundësinë e ikjes së troftës drejt lumit, mandej me shpejtësi i futa të dy duart poshtë saj dhe e hodha në breg.

Vendi ku ra trofta, ishte i pjerrtë e prej lëvizjeve që ajo bënte, mundte me rrëshqitë prap në ujë, atëherë mora nji gur dhe me forcë i rashë në krye, trofta nuk lëvizi ma. Zemra kishte marrë super xhiro, fryma prej emocionit nuk më mjaftonte, u ula përtokë e pushova për disa minuta.

Emocioni e gëzimi qëndrojshin së bashku! Tue vrojtue me kujdes troftën, kuptova se kisha peshkue “Kryemadhen” (si mbas fjalorit vendas); në realitet, trofta ishte me krye të madh, kishte tre palë dhëmbë në gojë dhe ishte në ngjyrë gri në rozë me pika. (Kur e pastruam për gatim, gjetëm në barkun e sajë nji tjetër troftë, me peshë rreth 300 gr.)

Me briskun që kisha me vete, bana gati vjegcen prej degës së “mrinës”, kaçubë që gjendet me shumicë bri lumit, ku vara “kryemadhen”, dhe u drejtova triumfator drejt shkollës. Gjatë ecjes, konstatova se bishti i shkrryhej për tokë, m’u desht me e mbajt pak si nalt, gjë që edhe më sforcoi krahun sepse kishte mjaft peshë, që rezultoi gati 7 kg.

I pari, që takova rrugës, ishte ish agronomi i lokalitetit, ish- akademiku, i ndjeri Ahmet Osja. Fjala “mori dhenë”, mbasi sapo hyna në shkollë, pa përfundue entuziazmi fillestar i mësuesve, filluan me ardhë shumë shokë të tjerë, për me pa “kryemadhen”.

Kolegët e mi mësues, i patën var pak buzët; atë natë, “kryemadhja” u përla. Çdo shok që pati ardhë në shkollë, shijoi edhe nji copë prej saj. Sot, e konsideroj veten me fat, që përjetova aventurën e peshkimit të “kryemadhes”. /Memorie.al/

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Labi: 08/01/2023 13:37

    Pako elektorale,jo antikrizë sa për saktësim.

    Përgjigju
  • MIRDASH AGOLLI: 07/01/2023 09:49

    KY LE TË TREGOJË ÇFARË TË DOJË,POR AI MË 1997 SHKODRËS I TREGOI SE RIËSHTË KOMUNIST NË EMËR TË SË ,,DJATHTËS.,,BILES E VOTUAN GJITHE KOMUNISTAT DHE LLUMI PËR TU BËRË KRYETAR BASHKIE

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh