Dëshmia e ish-truprojës së kryeministrit Shehu: Njeriu që realizoi vrasjen e Mehmetit ka hyrë në vilë pasi i kanë hapur derën nga brenda

Dëshmia e ish-truprojës së kryeministrit Shehu: Njeriu që realizoi vrasjen e Mehmetit ka hyrë në vilë pasi i kanë hapur derën nga brenda

Enver Hoxha

Publikohen disa nga historitë e panjohura të ish-kryeministrit më jetë gjatë të Shqipërisë komuniste, Mehmet Shehut, të rrëfyera prej ish-truprojës dhe komandantit të grupit të shoqërimit të tij, Ali Çeno, lidhur me raportet e shefit të tij me Enver Hoxhën dhe disa nga ngjarjet më të përfolura që vazhdojnë të jenë të mbuluara me mister edhe sot pas plot katër dekadash nga eliminimi i tij, si ato të mbrëmjes së 17 dhjetorit të vitit 1981, kur Ali Çeno shoqëroi shefin e tij për në shtëpi pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku ai u kritikua ashpër nga Enveri dhe pjesa më e madhe e anëtarëve të saj dhe ngjarjet e mëngjesit të asaj nate, kur kryeministri shqiptar u gjend pa jetë në dhomën e tij të gjumit!

Dëshmitë e rralla të ish – truprojës së kryeministrit shqiptar, duke filluar nga ngjarjet e vitit 1974, kur Enveri tentoi të fuste në konflikt Mehmetin me Beqir Ballukun dhe ish-gjeneralët e tjerë që u pushkatuan, kontradiktat e Enverit me Mehmetin që në vitin 1976, gjë e cila solli dhe një ftohje mes tyre dhe gjithashtu edhe të Fiqretit e Nexhmijes, aq sa dhe pushimet ato dy familje nuk i bënë më bashkë siç i kishin bërë gjithmonë, (konflikti i cili, u reflektua edhe te dy grupet e shoqërimit që kryesoheshin nga Sulo Gradeci dhe Ali Çeno), debatet e ashpra të dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, në pranverën e vitit 1981, kur nisën demonstratat në Kosovë, ngjarjet e vjeshtës së 1981-it pas fejesës së djalit të dytë të Mehmetit, me “vajzën me biografi të keqe”, ku Enveri me Nexhmijen shkuan për urim dhe përse ata e nxorën jashtë fotografin e familjes së kryeministrit, debatet për prishjen e asaj fejese pasi Enveri urdhëroi që Mehmeti të kthehej urgjent nga Korça…?!

Mbledhja e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit 1981 dhe porositë e veçanta që i dha kryeministri Shehu truprojës së tij, për grupin e shërbimit që ishte roje atë natë në vilë, kush dhe përse e njoftoi Çenon që të shkonte atë natë me shërbim aty, gjë e cila nuk kishte ndodhur kurrë më parë…?! Si e mësoi Aliu në mëngjesin e 18 dhjetorit atë që kishte ndodhur me shefin e tij, çfarë i tha atij, Vladimiri, djali i madh i familjes Shehu para se ai të futej në dhomën e gjumit të kryeministrit, biseda në telefon e Aliut me Ramiz Alinë dhe përgjigja e tij, roli i Kadri Hazbiut në atë ngjarje, torturat ç’njerëzore që i bënte hetuesi Sokol Koleka gjatë proçesit hetimor Aliut dhe çfarë i kërkonte ai të pohonte në lidhje me Enver Hoxhën, versioni që jep Çeno, për mënyrën, mekanizmin dhe njerëzit që morën pjesë në vrasjen e ish-kryeministrit Shehu, e përse ai akuzon Ramiz Alinë, si zbatues të atij plani që ishte ideuar më parë nga Enver Hoxha?!

“Mbledhja e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, mbaroi aty rreth orës 20.00 të mbrëmjes dhe menjëherë pas saj, Mehmeti tepër i nervozuar si rrallë ndonjëherë, hyri me nxitim në studion e punës së shtëpisë tij dhe që tek dera e flaku çantën, e cila ra në dysheme. Unë menjëherë u ula që ta merrja për ta vënë në vendin ku e mbante zakonisht, por ai më tha: ‘Lëre Ali dreqin, lëre…’! Duke parë në atë gjendje tepër të tronditur, për ta zbutur disi dhe për ta qetësuar, unë i thashë: ‘Sa herë kritikohemi ne, nuk duhet të bëjmë kështu’. Pas kësaj ai m’u drejtua mua duke më thënë: ‘Pse mor Ali, ti e krahason veten me mua…?! Nuk i dëgjove pocaqitë se çfarë bënin në mbledhje, si papagall…’?! (E kishte fjalën për mbledhjen e Byrosë Politike që porsa kishte mbaruar, ku pothuaj të gjithë anëtarët e saj, të nxitur nga Enver Hoxha, e sulmuan ashpër me akuza nga më të ndryshmet). Mbas pak, aty rreth orës 20 e 45, nga studio e punës ku ai ishte vetëm dhe unë te dera e saj në korridor, Mehmeti e mori në telefon Enverin dhe i tha: ‘Shoku Enver, a ka mundësi të vij vetëm pesë minuta, që të kopsisim disa gjëra…’? Unë nuk e dëgjova se çfarë i’u përgjigj Enveri nga ana tjetër e receptorit, por atë gjë e mësova të nesërmen nga Fiqreti. Para se të ndahesha prej tij, për të shkuar në shtëpinë time, Mehmeti, m’u drejtua: ‘Ali’ kini kujdes shërbimin, se e keqja të vjen andej nga se pret’. Unë e kisha të qartë se përse e kishte fjalën dhe para se të largohesha, i ndava detyrat grupit të shërbimit, e u largova për në shtëpi, për t’u rikthyer përsëri aty pas një telefonate që më bëri një nga pjesëtarët e grupit të shoqërimit dhe fjeta në dhomën e shërbimit. Të nesërmen në mëngjes, pasi nxora “Benz”-in dhe e bëra gati për ta çuar shefin në mbledhjen e Byrosë, dëgjova ulërima nga kati i dytë i vilës. Më pas, doli Vladimiri djali i madh i familjes dhe kërkoi që unë dhe doktori (Llesh Rroku), të shkonim shpejt sipër. Ladi bëri me gisht nga dhoma e gjumit dhe duke u dridhur i tëri më tha: ‘Ali, shko shikoje babin…’! Unë u futa menjëherë aty dhe për momentin, kujtova se i kishte rënë të fikët. Menjëherë i mata pulsin dhe pashë që ai kishte mbaruar…”!

Kështu e kujtonte Ali Çeno, truproja dhe ish-komandanti i grupit të shoqërimit të kryeministrit komunist të Shqipërisë, Mehmet Shehu dhe një nga njerëzit më të besuar të tij, natën e 17 e 18 dhjetorit të vitit 1981, kur ai u takua dhe shoqëroi shefin e tij për në shtëpi, pas mbledhjes së Byrosë Politike, ku Mehmeti ishte thirrur për të dhënë llogari, lidhur me fejesën e djalit të dytë të tij, Skënderit…! Pas kësaj, Aliu heshti pak për një çast dhe sytë gati i’u mbushen me lot. “Ja si më rrëqethet mishi…”, na thoshte ai, teksa kujtonte ish-shefin e tij, kryeministrin më jetë gjatë në historinë e shtetit shqiptar, të cilit i shërbeu me besnikëri për dhjetë vite me radhë dhe për herë të parë na tregonte të gjithë prapaskenat që çuan në natën fatale të 18 dhjetorit të vitit 1981, kur kryeministri shqiptar i cili për 27 vjet kishte drejtuar vendin me dorë të hekurt, u gjet pa jetë në dhomën e gjumit të vilës së tij, aty në hyrje të “Bllok”-ut, vetëm pak hapa larg ndërtesës së Komitetit Qendror të PPSH-së dhe pallatit të madh të Enver Hoxhës, hija e të cilit, duket se e mbulonte atë çdo perëndim dielli…!

Po si dhe kur lindën për herë të parë kontradiktat në mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, cili ishte ministri që dëshmonte mbi konfliktin e ashpër ndërmjet tyre në vitin 1954, kur pas mbylljes në shtëpi i ruajtur nga ish partizanët e tij besnikë nga Mallakastra të Brigadës së Parë Sulmuese, Mehmeti, u bë gati për të dal në mal?! Po çfarë akuzash i kishin bërë kryeministrit Mehmet Shehu atë ditë të 18 dhjetorit të vitit 1981, në mbledhjen e Byrosë Politike dhe ç`kishte biseduar ai me djalin e ish-ministrit të Mbretit Zog gjatë një vizite që ai si kryeministër kishte bërë në qytezën e Cërrikut?! Përse Mehmeti i kërkoi takim Enver Hoxhës atë mbrëmje, pak orë para ngjarjes misterioze dhe cila ishte përgjigja që mori nga ai?! Që kur kishin filluar kontraditat dhe çarja e madhe midis tyre, të cilat çuan në konfliktin e pariparueshëm të asaj nate fatale në atë fund dhjetori dhe a kishte lidhje ajo me debatin e ashpër që ishte zhvilluar ndërmjet tyre përpara Shtëpisë së Partisë, teksa dilnin nga ndërtesa e Komitetit Qendror të PPSH-së në marsin e 1981-it, kur kishin filluar demonstratat në Kosovë dhe Mehmet Shehu i kishte kërkuar Enverit që të çonin tanket në kufirin me Jugosllavinë?

Cilat ishin marrëdhëniet e Mehmetit me Ramiz Alinë dhe përse u prishën ato vetëm pak ditë pas ceremonisë që bënë dy familjet Shehu dhe Alia, në vilën e Malit të Dajtit?! Çfarë kishte kurdisur Enver Hoxha, kur së bashku me Nexhmijen, shkuan për vizitë tek familja Shehu, për t`i uruar fejesën e djalit, Skënderit, me vajzën e familjes Turdiu dhe përse e nxorën jashtë fotografin e familjes Shehu (Dashamir Rrapin), duke mos e lënë atë që t`jua bënte ai fotografitë? Përse Enveri e thërriti urgjent Mehmetin nga mbledhja e Korçës në tetorin e vitit 1981 dhe çfarë i kërkoi atij në shtëpinë e tij, gjë të cilën, Mehmeti i’a kundërshtoi në mënyrë kategorike në grindjen e ashpër që plasi midis tyre?! Përse mbrëmjen e 18 dhjetorit, Mehmeti e porositi komandantin e rojeve të tij, Ali Çenon, që: të kishte kujdes, se rreziku mund t`ju vinte andej nga se prisnin?! Çfarë donte të thoshte ai me atë porosi dhe përse Ali Çeno u thërrit atë natë që të shkonte të flinte aty, gjë që nuk e kishte bërë kurrë më parë gjatë gjithë periudhës afro 10 vjeçare që shërbente në atë detyrë?!

Përse Ali Çeno ngulte këmbë, duke thënë se: shefi i tij nuk kishte vrarë veten, por ishte vrarë nga një njeri tjetër, i cili ka hyrë natën nga dera e përparme e vilës, duke bashkëpunuar me një nga oficerët e shërbimit të brendshëm?! Si reagoi Ramiz Alia, kur Aliu e njoftoi se çfarë i kishte ngjarë shefit të tij? Çfarë kishte në gotën që Aliu pa mbi komodinën e Mehmetit dhe përse ajo u zhduk menjëherë, pasi aty u fut grupi e ekspertëve kriminalist që do bënte kqyrjen e vendngjarjes?! A ishte i implikuar Kadri Hazbiu në atë ngjarje, cili ishte qëndrimi i tij në hetuesi dhe çfarë tha Kadriu ai në gjyq për Mehmet Shehun dhe trupin gjykues? Çfarë i kërkonte Ali Çenos hetuese Sokol Spiro Koleka gjatë procesit hetimor dhe përse ai duhet të pranonte se: shefi i tij Mehmeti, e kishte ngarkuar atë (Aliun), që të vriste me atentat Enver Hoxhën?!

Rreth këtyre mistereve ku pjesa më e madhe e tyre janë të panjohura dhe të papublikuara më parë, si dhe shumë ngjarje e fakte të tjera të panjohura që lidhen me ish-kryeministrin më jetë gjatë të shtetit shqiptar, Mehmet Shehu, si dhe marrëdhëniet e raportet e tij me Enver Hoxhën, bëhen publike nga dëshmitë rrëfyera ekskluzivisht nga Ali Çeno, ish-truproja dhe komandant i grupit të shoqërimit të tij, të cilat Memorie.al i publikon për herë të parë për lexuesit e saj në disa numra të rubrikës dossier.

Vijon nga numri i kaluar

Çeno: Ja si e gjeta Mehmetin pa jetë në krevat!
“Dora e tij ishte e ftohtë dhe gjysmë e ngrirë. Ai ishte i shtrirë në krevat me gojën e sytë e mbyllura dhe krevati nuk kishte asnjë rrudhë. Teksa po i masja pulsin, pashë Ladin që mori te komodina disa fletë të shkruara, të cilat ishin të futura në një zarf të hapur. I thashë që të m’i jepte, por ai më tha se ato ishin për familjen. Po ashtu mbi komodinë pashë dhe një gotë që në fund të saj kishte një gisht lëng ngjyrë të verdhë. Atë gotë Mehmeti e përdorte për të pirë kamomil si qetësues, prej gjendjes shpirtërore tepër të shqetësuar, që kishte ato ditë. Në atë moment unë mora në telefon Ramiz Alinë dhe i thashë: ‘Shoku Ramiz, më dëgjo me vëmendje, Mehmeti ka vrarë veten’. Pas fjalëve të mia, Ramizi m`u përgjigj fare i qetë, sikur t’i kisha dhënë ndonjë lajm krejt të zakonshëm, duke thënë: Jo ore. Unë i thashë përsëri, se: Mehmeti kishte lënë një letër në një zarf të madh. Vetëm pas këtyre fjalëve Ramizi filloi të bërtiste dhe tepër i egërsuar më tha: ‘Kush e ka letrën, të mos e lexojë njeri, mos e hapni fare’. Kur nuk kishin kaluar më shumë se 15 minuta, aty në dhomë erdhi Kadri Hazbiu, që në atë kohë ende ishte (formalisht) në funksionin e Ministrit të Mbrojtjes Popullore, kurse Ramiz Alia qëndroi poshtë dhe nuk u ngjit fare sipër. Fjalët e para të Kadriut ishin: ‘Kush e ka letrën’?! Unë i thashë se atë e kishte Ladi dhe menjëherë hyra në dhomë, e nxora atë që andej, dhe i thashë që letrën t’ia jepte Kadriut. Mbas pak aty erdhi dhe grupi i ekspertëve kriminalistë që do të bënte akt-ekspertizën. Ata i mblodhën të gjitha sendet që ishin aty në dhomën e gjumit të Mehmetit, si orën e dorës, magnetofonin, etj. Ndërsa po i paketonin ato në valixhet e tyre, unë u thashë që të merrnin dhe gotën që ishte mbi komodinë. Por, kur ktheva kokën, pashë se gota nuk ishte aty. Më erdhi inat dhe fillova që të kontrolloja, u futa dhe në banjo, por dhe aty nuk e gjeta”, kujtonte Ali Çeno ato çaste të mëngjesit të 18 dhjetorit të vitit 1981, kur ai gjeti pa shenja jete shefin e tij, kryeministrin e Shqipërisë, Mehmet Shehun!

Çeno: Vrasjen e kurdisi Ramizi
Po si e mendon Ali Çeno se është kryer vrasja e shefit të tij, Mehmet Shehut, dhe cilat janë misteret që e kanë mbuluar atë natë duke u gdhirë 18 dhjetori i vitit 1981. Cilët janë autorët e vërtetë që urdhëruan vrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu, si u kurdisën prapaskenat dhe si u realizua ajo vrasje? Truproja dhe komandanti i grupit të shoqërimit të ish-kryeministrit të Shqipërisë komuniste, për një çast heshti dhe psherëtiu duke fërkuar mjekrën me dorë. Teksa mendohej pak, në vështrimin dhe mimikën e portertit të tij edhe pa foluar, lexohej qartë se ai dinte shumë më tepër se ç’kishte dëshirë të na rrëfente rreth asaj ngjarje të pazakontë, e cila do t’i ndryshonte kryekëput rrjedhën e jetës, duke e përplasur burgjeve të regjimit komunist për dhjetë vite! Lidhur me këtë ai dëshmonte:” Nuk e kam vënë kurrë në mëdyshje se ajo vrasje është kurdisur nga Ramiz Alia”, lëshonte akuzën e bujshme Ali Çeno, duke vënë gishtin mbi ish – Presidentin e fundit komunist të Shqipërisë, si një nga urdhëruesit e vrasjes së ish – kryeministrit Mehmet Shehu dhe vazhdonte më tej, duke thënë: “Për këtë jam më se i sigurt.

Ramizi ishte i vetmi njeri nga të gjithë anëtarët e Byrosë Politike dhe ata të Komitetit Qendror që i rrinte shumë larg Mehmetit, sepse të gjithë të tjerët i rrinin ‘sus’ dhe mundoheshin t’i serviloseshin sa më shumë, pavarësisht se Mehmeti nuk i duronte dot ato. Ramiz Alia vinte në shtëpinë e Mehmetit, vetëm në raste festash dhe ajo gjë bëhej sa për sy e faqe. Eliminimi i Mehmetit erdhi si pasojë e hapjes së rrugës për pushtet të Ramiz Alisë, të cilin Enveri e përcaktoi si pasardhësin e tij. Po Ramizi nuk mund ta zinte dot vendin e Enverit (pas vdekjes së tij) në rast se do ishte gjallë Mehmet Shehu dhe pa u s’postuar më parë fizikisht ai. Kështu që Enveri me Ramizin vendosën eliminimin fizik të Mehmetit, për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit të familjes Hoxha, gjë për të cilën Ramizi kishte dhënë prova se do e bënte, me lidhjen e krushqisë me familjen e Enverit. Kurse Mehmet Shehu, jo vetëm që nuk kishte treguar ndonjë dëshirë për të lidhur ndonjë krushqi me familjen e Enverit, por ai kishte bërë të kundërtën, e kishte refuzuar atë, kur Nexhmija kishte pasur dëshirë dhe kishte tentuar që një mbesën e saj, ta fejonte dhe martonte me Skënderin, djalin e dytë të Mehmetit.

Të njëjtën gjë Mehmeti kishte bërë dhe me Ramiz Alinë, ndoshta dhe më flagrante, duke prishur miqësinë në mes dy familjeve, vetëm pak kohë pas ceremonisë që ata bënë në vilën e malit të Dajtit, aty nga fillimi i vitit 1980. Këto veprime të Mehmetit nuk ishin pak, për t’i dhënë Enverit të kuptonte, se ai, (Mehmeti) nuk po pyeste fare për të (Enverin), se për Ramizin, jo se jo që në gjallje të tij, pale më kur Enveri të kishte vdekur. Dhe ajo për të cilën mendoj se Enveri me Ramizin nuk e kanë kapërdirë dot, është se Mehmeti jo vetëm që refuzoi lidhjet miqësore me familjet e tyre, por pranoi të lidhej me familjen Turdiu që, sipas Enver Hoxhës, kishte në farefis disa kriminelë të arratisur në Amerikë, midis të cilëve dhe Arshi Pipën, që kishte bërë akuza shumë të rënda ndaj Enver Hoxhës nga ana e moralit. Duke i parë të gjitha këto në kompleks, Enveri me Ramizin morën vendimin e eliminimit fizik të Mehmet Shehut dhe realizimin e atij plani e mori përsipër Ramizi, i cili e filloi përgatitjen e situatës që me kurdisjen e kritikave në Byro”, shprehej Ali Çeno, duke lëshuar akuzën e bujëshme ndaj Ramiz Alisë dhe arsyet përse u vendos eliminimi fizik i shefit të tij, Mehmet Shehut.

Çeno: Ja si mendoj se u realizua vrasja
Po çfarë ndodhi mbrëmjen e 18 dhjetorit të vitit 1981 në labirinthet e “Bllokut” komunist ku jetonte udhëheqja e lartë shqiptare, pasi ishte vendosur eliminimi fizik i kryeministrit Mehmet Shehu dhe si u realizua vrasja e tij? Lidhur me këtë Ali Çeno shprehej: “Mendoj se plani për vrasjen e Mehmetit ka qenë i përcaktuar qartë dhe deri në detaje, që do të realizohej në mbrëmjen e 18 dhjetorit. Them se për atë gjë ishin përgatitur dy variante. Varianti i pare, ishte vrasja e Mehmetit, ashtu siç dhe u realizua, duke thënë se: ‘ai vrau veten gjatë një krize nervore’. Kurse varianti i dytë, do të zbatohej në rast se nuk do të arrihej të realizohej varianti i parë. Në këtë rast, pra në variantin e dytë, Mehmeti do të arrestohej apo do të vritej me pretekstin se: ‘atë natë pasi nuk kishte pasur rrugëdalje tjetër, nga situata që i’u krijua pas kritikave në Byro, kishte dashur që të vriste me atentat Enver Hoxhën dhe atë gjë ia kishte ngarkuar truprojës së tij Ali Çenos, i cili nuk arriti që ta kryente dot vrasjen, pasi u arrestua pak para se ta kryente atë’. Për realizimin e variantit të dytë, duhej që patjetër unë të isha atë natë prezent në ambientet e vilës së Mehmetit. Për ta zgjidhur këtë gjë (pasi unë nuk flija kurrë aty), atë natë më telefonoi njëri nga pjesëtarët e grupit të shërbimit, duke më thënë se: duhej të shkoja patjetër aty, pasi kur i kishte pyetur Mehmeti, ata i kishin thënë se Aliu ishte aty me shërbim dhe nuk duhej që të dilnin gënjeshtarë në rast se shefi (Mehmeti) do t’i binte ziles, për të më kërkuar mua.

Kështu, duke menduar për shokët, atë natë unë u detyrova të shkoja rreth orës 23 te vila, duke rënë pa dashje në atë grackë që ishte organizuar më parë, që unë të ndodhesha aty. Që nga ajo kohë gjithmonë e kam sjellë nëpër mend dhe më ka munduar fakti, se: nga ka hyrë në vilë personi që realizoi vrasjen e Mehmetit. Në fillim dyshoja se ai kishte kaluar nga dera e prapme e vilës, ku zakonisht ne nuk kishim roje, por më pas e kam mësuar të vërtetën dhe e di shumë mirë se, personi që realizoi vrasjen, ka hyrë nga dera e përparme e vilës, e cila hapej nga brenda me citofon. Për të realizuar hyrjen e vrasësit brenda në vilë, ka bashkëpunuar një i shërbimit të brendshëm, i cili i ka hapur derën nga brenda. Them se në fillim nga ky person i brendshëm i është hedhur ilaç gjumi në gotën që Mehmeti e përdorte me kamomil dhe pasi ajo gjë e ka bërë efektin, personi është futur brenda në dhomën e tij dhe e ka vrarë në gjumë, me pistoletë me silenciator, sepse zhurma e pistoletës do të ishte e pamundur të mos dëgjohej në qetësinë e asaj nate, jo vetëm nga ne që ishim pak më larg, por të paktën nga Astrit Veliu (vite më pas, komandant i grupit të shoqërimit të Presidentit, Rexhep Meidani) që ishte me shërbim fare pranë dritares së dhomës së gjumit të Mehmetit. Jam krejt i bindur se kështu është realizuar vrasja dhe jo ashtu siç thotë ai, shefi i ekspertëve të kriminalistikës, i cili ka deklaruar që ajo ka qenë vetëvrasje klasike.

Nuk ka vetëvrasje klasike, ka vrasje klasike. Po në rast se ai ekspert kriminalist, ka qenë i detyruar atëherë që të thoshte atë gjë, sot është e pamoralshme që të mos e thotë të vërtetën, se ajo ka qenë një vrasje. Dihet që vetëvrasja kryhet në kushtet e një depresioni të thellë dhe njeriu që e bën atë, shpërfytyrohet fare. Kurse në rastin konkret, Mehmeti ishte në një gjendje krejt normale i shtrirë në kurriz me këmbë të bashkuara, i mbuluar deri përgjysmë, me sy e gojë të mbyllur dhe syzet e pa hequra, ndoshta ngaqë e ka zënë gjymi duke lexuar, dhe krevati i tij ishte pa asnjë rrudhë. Nuk ka asnjë mundësi që njeriu të vrasë veten pa u shtrembëruar fare dhe pistoleta në momentin e qitjes, duhet t`i kishte kërcyer pak larg trupit, kurse në fakt ajo ishte gati afër dorës. Që ajo ishte një vrasje, e konfirmoi dhe atëherë ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, kur i thanë: ‘Hajde, se Mehmeti ka vrarë veten’. Por kur Llambi erdhi aty, me naivitet tha: ‘Kjo nuk është vetëvrasje’. Ky pohim i kushtoi jetën Llambi Ziçishtit. Po gota që ishte sipër komodinës, çfarë kishte brenda dhe përse e zhdukën, kur ajo duhej për ekzaminim dhe jo ora e dorës, magnetofoni apo syzet që morën me vete grupi i ekspertëve kriminalistë”, përfunodonte dëshminë e tij Ali Çeno, në lidhje me atë se si ka funksionuar atë natë të 18 dhjetorit 1981, mekanizmi i vrasjes së shefit të tij, Mehmet Shehut, madje duke qenë krejt i bindur në pohimet e tij./Memorie.al/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë