Dëshmia e kolonelit: Si i ndërtuam vilat sekrete për Enverin, Mehmetin, Hysnin dhe Beqirin në periferi të Skraparit, ku ata do banonin në rast lufte…

Dëshmia e kolonelit: Si i ndërtuam vilat sekrete për Enverin, Mehmetin, Hysnin dhe Beqirin në periferi të Skraparit, ku ata do banonin në rast lufte…

Pas marrjes së vendimeve nga ana e Këshillit të Mbrojtjes, për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, të cilët, gjithashtu, ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; nga kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit. Pasi na u komunikua detyra, nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin, apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheheshin objektet strategjike tepër sekrete, që asokohe konsideroheshin të një rëndësie të veçantë”. Kështu e kujtonte Ahmet Mehmeti, ish-ushtarak i lartë pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes, atë kohë në fillimin e viteve ’60, kur u ngarkua si oficer drejtimi për të ndjekur zbatimin e disa objekteve tepër sekrete që do të ndërtoheshin në rrethin e Skraparit. Po cilat ishin ato objekte, pse u vendos ndërtimi i tyre në rrethin e Skraparit dhe si u vlerësuan ato, pas përfundimit të punimeve, nga Mehmet Shehu, që shkoi vetë për inaugurimin e tyre? Për të gjitha këto, na njeh dëshmia ekskluzive për Memorie.al e kolonelit Ahmet Mehmeti, i cili në mesin e viteve ’70-të u largua si i padëshirueshëm nga Ministria e Mbrojtjes.

 Zoti Ahmet, kur lindi për herë të parë ideja e ndërtimit të tuneleve të fshehta të ushtrisë dhe konkretisht atyre të Skaraparit, të cilat pas viteve ’90 janë përfolur shumë edhe në media?

Për herë të parë ideja për tunelizimin masiv të vendit u hodh në fillimin e viteve ‘60, pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, por duhet thënë se edhe më parë ushtria kishte ndërtuar tunele për nevojat e mbrojtjes së vendit. Në atë kohë, më saktë diku aty nga viti 1961, Këshilli i Mbrojtjes vendosi që të zhvillonte aktivin e zgjeruar të Ushtrisë, i cili si temë kryesore do të kishte problemet e mbrojtjes së vendit, apo thënë ndryshe  rishikimin e atyre problemeve të cilat ishin të kushtëzuara me situatën në të cilën ndodhej vendi ynë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Kjo gjë u vendos parimisht në atë aktiv, pasi për zbatimin e saj do merreshin strukturat e degëve përkatëse të Ministrisë së Mbrojtjes, ku njëri nga kuadrot që u caktua për Jugun isha dhe unë.

Çfarë masash u morën për Jugun e vendit, ku u caktuat dhe ju?

Në vendimet që u morën nga Këshilli i Mbrojtjes, i kryesuar nga Enver Hoxha si Komandant i Përgjithshëm, Jugu u nda në dy drejtime strategjike. Drejtimi i parë ishte ai i zonës Elbasan-Korçë, i cili përfshinte dhe rrethet e Librazhdit, Pogradecit, Gramshit, Skraparit e Kolonjës. Në këtë drejtim strategjik unë u ngarkova me detyrën e oficerit të drejtimit. Ndërsa drejtimi i dytë strategjik, ku si oficer drejtimi i caktua Kristaq Qarri, përfshinte territoret e rretheve Ballsh, Berat, Përmet, Tepelenë, Sarandë dhe Gjirokastër. Po kështu u vendos që vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, për kohë lufte, të ndërtohej në rrethin e Skraparit, pasi në rastin e ndonjë agresioni të mundshëm, që do të na vinte nga Greqia, që nga Skrapari do të drejtoheheshin e komandoheshin të gjitha njësitë e ushtrisë sonë, që ishin instaluar në Jugun e vendit.

Vetëm për këtë gjë u vendos ndërtimi i vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në Skrapar?

Ndërtimi i vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në rrethin e Skraparit kishte dhe një qëllim tjetër: Nëqoftëse do të pushtohej pjesërisht territori i vendit dhe do të kalohej në mbrojtjen e manovruar të shkallës së dytë, ashtu si dhe gjatë Luftës, Skrapari do të përbënte zonën nevralgjike nga ku do të drejtohej e udhëhiqej lufta kundër armikut pushtues. Për këtë arsye u vendos që në rrethin e Skraparit të ndërtoheshin edhe disa objekte të tjera, si katër vilat, në të cilat do të vendoseshin drejtuesit kryesorë të Këshillit të Mbrojtjes, bashkë me familjet e tyre: Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Beqir Balluku. Pra, në rast lufte ata do të transferoheshin nga Tirana në Skrapar dhe do të vendoseshin në ato vila për të marrë në dorë drejtimin e shtetit.

Përveç vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm dhe vilave të udhëheqjes, cilat ishin objektet e tjera që thatë se do të ndërtoheshin në Skrapar?

Ndër objektet e tjera, që Këshilli i Mbrojtjes vendosi të ndërtoheshin në Skrapar, ishte dhe ai i thesarit të shtetit, i cili, po ashtu si vilat e udhëheqjes dhe vendkomandës së Shtabit, ishte një objekt tepër sekret dhe i një rëndësie të veçantë. Për ndërtimin e tunelit të thesarit të shtetit, nga ana e kryeministrit Mehmet Shehu u përcaktuan edhe të gjitha detyrat përkatëse, se si në rast lufte do të evadohej thesari nga Banka e Shtetit në Tiranë, për në tunelin e Skraparit e deri tek helikopteri që do të ulej në taracën e Bankës në Tiranë, për të marrë arkat me flori.

Pas marrjes së këtyre vendimeve, kush ishin personat që u ngarkuan për zbatimin e tyre?

Për zbatimin e tyre u ngarkua ministri i Mbrojtjes, Beqir Ballukum dhe Shefi i Shtabit, Petrit Dume, të cilët gjithashtu ngarkuan një grup pune të përbërë nga gjeneralët Vaskë Gjino e Mendu Backa; kolonelët Josif Zegali e Kadri Brahimaj; si dhe nga unë (Ahmet Hasan Mehmetaj) e Kristaq Qarri, që mbanim gradat e majorit. Pasi na u komunikua detyra nga ana e Beqir Ballukut e Petrit Dumes, ne si grup pune shkuam në rrethin e Skraparit dhe bëmë rikonicionin apo më saktë njohjen e terrenit, për të përcaktuar e piketuar vendin ekzakt se ku do të ndërtoheheshin objektet strategjike tepër sekrete, që atëherë konsideroheshin të një rëndësie të veçantë.

Ku u piketua ndërtimi i këtyre objekteve sekrete dhe çfarë masash u morën për ndërtimin e tyre?

Për ndërtimin e vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm u caktua Qafa e Devrisë, ndërsa për vilat e udhëheqjes dhe tunelin e thesarit të shtetit u vendos që ato të ndërtoheshin në periferi të qytetit të Çorovodës, në vendin e quajtur Guak. Pas piketimit të objekteve përkatëse, u morën dhe një sërë masash për ndërtimin e tyre. Një nga gjërat e para që u bë ishte rikonstruksioni i pjesshëm i rrugës nacionale Berat-Skrapar, i cili vazhdoi deri në fshatin Malind, si dhe u hapën edhe tri rrugë të tjera, që në gjuhën ushtarake quhen rrugë taktike për manovrim forcash, të cilat e lidhnin Skraparin me rrethet fqinje. Një nga ato rrugë kalonte nëpër fshatin Gjerbës dhe prej andej dilte në fshatin Maliq të Korçës. Ndërtimi i këtyre rrugëve iu caktua regjimentit të Xhenjos, ndërsa për ndërtimin e tre objekteve të tjera që thashë më lart (vendkomandës së Shtabit, katër vilave të udhëheqjes së lartë dhe tunelit të thesarit të shtetit) u vunë në dispozicion shumë inxhinierë e specialistë të aftë. Përveç meje që isha caktuar oficer drejtimi dhe shkoja shpesh herë për të parë ato objekte, gjatë ndërtimit të tyre vinin për inspektim edhe drejtuesit më të lartë të shtetit e të ushtrisë, si Mehmet Shehu, Beqir Balluku etj. Vetëm Enver Hoxha nuk erdhi asnjëherë për t’i parë ato gjatë ndërtimit. Pasi i mbaruam së ndërtuari ato, Mehmet Shehu, i cili erdhi vetë për t’i parë, së bashku me një grup të madh drejtuesish të lartë të shtetit dhe Ushtrisë, na falënderoi për punën e bërë e na tha se së shpejti si ato objekte do të ndërtonim në zonën verilindore të vendit.

 A u ndërtuan dhe në verilindje të tilla objekte?

Pas mbarimit të këtyre objektev në Skrapar, ashtu siç ishim me grupet e punës, Mehmeti na mori të gjithëve dhe bashkë me të shkuam në verilindje të vendit, në zonën e malit të Munellës, në rrethin e Pukës. Bashkë me ne, Mehmeti mori me vete edhe të gjithë komandantët e të gjitha njësive të veriut të Shqipërisë. Aty qëndruam për disa ditë dhe bëmë rikonicionet përkatëse për ndërtimin e objektit të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm, i cili do merrte drejtimin e shtetit, në rast se vendi ynë do të kërcënohej nga ndonjë agresion ushtarak nga veriu. Por ai objekt mbeti vetëm në fazën e rikonicionit dhe nuk u ndërtua kurrë, për rrjedhën e ngjarjeve që pasuan më vonë.

Po objektet që u ndërtuan në Skrapar, a u vunë në funksionim?

Të gjitha funksionuan më së miri, deri në fillimin e viteve ’90, kur filloi edhe prishja e tyre. Nga vendkomanda e Shtabit të Përgjithshëm në Qafën e Devrisë u drejtuan disa stërvitje të mëdha, si “Vjosa” apo “Morava”, në të cilat mori pjesë vetë Mehmet Shehu, i cili me bastun në dorë shkeli me këmbë të gjithë zonën ku ishin objektet.

Po katër vilat e ndërtuara për udhëheqjen e lartë në periferi të qytetit të Çorovodës, a u shfrytëzuan ndonjëherë prej tyre?

Për këtë nuk kam dijeni, por di të them se ato vila kanë funksionuar normalisht, të pakëtn deri para viteve ’90. Dëshmia e kolonel Mehmetit: Pas prishjes me rusët u mblodh urgjent aktivi i ushtrisë në Durrës. Lidhur me periudhën kur u hodh për herë të parë ideja për tunelizimin masiv të ushtrisë, dhe çfarë u disktutua në mbledhjen e aktivit të Ushtrisë, që u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në plazhin e Durrësit, Ahmet Mehmeti tregonte: “Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, në vitin 1961, udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe e Këshillit të Mbrojtjes vendosën që mbrojtja e vendit të mbështetej krejtësisht në forcat tona, pasi deri në atë kohë mbrojtja e vendit ishte e mbështetur edhe nga Moska, që konsiderohej si aleati ynë më i madh. Pra, me pak fjalë, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, mbrojtja e vendit do të mbështetej krejtësisht në forcat tona, që solli si pasojë dhe zhvillimin e atij aktivi të Ushtrisë, ku, veç të tjerash, u vendos ndërtimi edhe i tuneleve të Skraparit. Aktivi i zgjeruar i Ushtrisë u zhvillua në Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve, në plazhin e Durrësit, dhe aty morën pjesë drejtuesit kryesorë të njësive të Ushtrisë, siç ishin Korpuset e Brigadat dhe kuadrot kryesorë të aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa nga udhëheqja e lartë aty morën pjesë: Enver Hoxha, kryeministri Mehmet Shehu, Sekretari i KQ të PPSH-së që mbulonte dhe Ushtrinë  Hysni Kapo, ministri i Mbrojtjes  Gjeneral-leitnant  Beqir Balluku, dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë  Gjeneral-major Petrit Dume, të cilët përbënin dhe presidiumin e asaj mbledhjeje tepër të rëndësishme. Referatin kryesor të asaj mbledhjeje e mbajti ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku. Tema e saj ishte: Mbrojtja e atdheut, detyrë mbi detyrat. Pas atij diskutimi u bënë dhe shumë diskutime të tjera, të cilat kryesisht ishin në mbështetje të referatit të ministrit të Mbrojtjes. Aty pati dhe debate të diskutantëve të tjerë që e morën fjalën, por ato u sheshuan shpejt me ndërhyrjen e Enver Hoxhës, i cili u shpreh se gjithsecili duhej ta thoshte mendimin e tij lirshëm, pasi për atë gjë ishin thirrur aty të gjithë drejtuesit kryesorë të njësive të Ushtrisë. Pas atyre debateve, punimet e aktivit vijuan normalisht dhe në përfundim, si pikë kryesore, u vendos: Ndërtimi i mbrojtjes pozicionale-aktive, i kombinuar me mbrojtjen e manovrueshme, kryesisht në bregdet, në Jug të Shqipërisë dhe në zonat verilindore, të cilat ishin zona më të rrezikuara nga një agresion ushtarak i mundshëm.

“Objektet e Skraparit i përballonin edhe goditjet atomike”

Po sa kohë zgjatën punimet për ndërtimin e objekteve sekrete të Skraparit dhe cili ishte vlerësimi që iu bë atyre nga udhëheqja e lartë? Lidhur me këtë, Ahmet Mehmeti dëshmonte: “Punimet për ndërtimin e atyre objekteve sekrete zgjatën më pak se një vit, pasi aty u organizuan një numër i madh forcash të specializuara dhe nuk mungonte asnjëlloj materiali. Ndërtimi i tyre u bë me një cilësi tepër të lartë dhe aty, në zyrat dhe dhomat e punës e të ndenjijes të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm, nuk mungonte asnjë nga elementet e domosdoshme të jetesës normale. Ato objekte ishin maskuar më së miri me pemë dhe rrjeta kamuflazhi dhe ishin parashikuar të përballonin të gjitha goditjet e armikut, si atë atomike ashtu dhe ato kimike. Po kështu edhe katër vilat për udhëheqësit më të lartë të shtetit u ndërtuan me të gjitha kondicionet fizike, pa u lënë gjë mangut atyre të Dajtit në Tiranë, Pogradecit, Vlorës apo Durrësit, ku ata pushonin normalisht me familjet e tyre. Kur mbaroi ndërtimi i objektit të vendkomandës së Shtabit të Përgjithshëm në Qafën e Devrisë, i cili ishte i gjithi nën tokë, u vendosën edhe masat e forta të sigurisë për ruajtjen e tij me truproje të posaçme. Aty, në afërsi të atij objekti, u vendos një repart i komanduar nga shefi i mbrojtjes së objekteve, Sytki Korita. Kur mbaroi ndërtimi i objekteve dhe do të bëhej përurimi i tyre, nga udhëheqja e lartë erdhi Mehmet Shehu me Beqir Ballukun e Petrit Dumen, si dhe gjeneralët Mendu Backa, Vaskë Gjino, Tanush Shyti, Todi Naço e Kadri Brahimaj (kolonel). Të gjithë këta u shoqëruan nga kolonel Dilaver Radëshi, të cilin Mehmeti e merrte gjithnjë me vete në Skrapar, si dhe sekretari i parë i Komitetit të Partisë të rrethit, Teki Malindi, dhe kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Qetsor Kaltanji. Mehmeti i shkeli me këmbë të gjitha objektet, që nga vendkomanda e Shtabit, tuneli i thesarit e deri tek vilat e udhëheqjes, duke u futur zyrë më zyrë e dhomë më dhomë. Atij i pëlqeu shumë cilësia e ndërtimeve të atyre objekteve dhe na tha: “Ju lumtë, si këto objekte që bëmë këtu, së shpejti do të ndërtojmë edhe në zonën verilindore të vendit”.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb