Dëshmia e rrallë e ish-oficerit: Ju tregoj shërbimet sekrete të Batalionit Special të Sigurimit, si dhe objektin ‘Ulliri’ ku ata përgatiteshin që dilnin jashtë me mission

Dëshmia e rrallë e ish-oficerit: Ju tregoj shërbimet sekrete të Batalionit Special të Sigurimit, si dhe objektin ‘Ulliri’ ku ata përgatiteshin që dilnin jashtë me mission

“Duke pasur parasysh se faktin se, unë kam shërbyer vetë te Burgu Tiranës, (‘Reparti 313’), si oficer roje, për gjatë gjithë periudhës më shumë se një vjeçare (1982-‘83) që zhvillohej procesi hetimor dhe gjyqësor i të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Kadri Hazbiut”, e them me bindje se, ish-Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino, nuk ka treguar të vërtetën.

Ai ka dashur të shfajësoj veten me atë që ka thënë, pasi, gjatë gjithë asaj periudhe kohe që ne kemi qenë prezent aty, dëgjonim ulërima nga të dënuarit, gjë e cila kuptohej lehtë se vinte nga dhuna e torturat që ushtrohej ndaj tyre. Po kështu, nga kolegë të mi oficerë apo dhe ushtarë të ndryshëm që kanë bërë shërbim brenda dhe jashtë burgut në atë kohë, kam dëgjuar se, pasi mbaroi gjyqi ndaj “Grupit armiqësor të Kadri Hazbiut” (që u zhvillua brenda ambienteve të atij burgu), një ditë pas dhënies së dënimeve me vdekje, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Llambi Ziçishtit e Llambi Peçinit, nga qelitë e tyre, janë dëgjuar klithma, thirrje dhe ulërima, si p.sh.: “O Enver Hoxha ndihmë, na e fal jetën”, “O Hekuran Isai, ndihmë, na falni jetën, mos na pushkatoni”, etj., të kësaj natyre.

Po kështu, në dijeninë time, Kadri Hazbiun e kanë nxjerrë të vdekur nga burgu i Tiranës natën e 9 shtatorit të vitit 1983 dhe kufomën e tij, e kanë dërguar më pas te objekti “Komiteti Ekzekutiv” në Linzë, ngjitur me Batalionin e Sigurimit, ku ishin tunelet sekrete që u pushkatuan Feçor Shehu, Llambi Ziçishti dhe Llambi Peçini, po në atë vend ku vite më parë, ishte pushkatuar edhe Beqir Balluku me Petrit Dumen e Hito Çakon”.

Z. Halil, mund të na thoni diçka për veten tuaj dhe si arritët të mobilizoheshit si efektiv në radhët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe?

Unë kam lindur në vitin 1948 në fshatin Shëmëri të malësisë së Tiranës, nga është dhe origjina e familjes sonë. Po në Shëngjergj, unë mbarova dhe shkollën 7-vjeçare (siç ishte atëhere sistemi arsimor), ndërsa shkollën e mesme, e kam kryer në Tiranë, pas mbarimit të shërbimit ushtarak, në degën Mekanike, (pa shkëputje nga puna) te gjimnazi “Partizani”.

Nisur nga fakti se nuk kishim probleme biografie, quheshim familje me biografi të mirë, më 6 shtator të vitit 1967, unë u thirra për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak dhe më dërguan në rrethin e Tropojës, në zonën kufitare, në postën e Sulbicës.

Sa kohë shërbyet në kufi dhe kur u liruat nga ushtria?

Aty unë kam shërbyer deri më 22 maj të vitit 1969, kur më sollën në Tiranë, në Sauk, për të kryer një kurs 6 mujor, për oficer kufiri. Në atë kohë kursi për oficer kufiri, ishte gjashtë muaj, më vonë u bë 9 muaj, pastaj u bë një vit dhe gradualisht dy vjet, e më pas tre vjet.

Ishte kërkesa juaj për të ndjekur kursin për oficer, apo ju përzgjodhën?

Më përzgjodhën për të bërë kursin e oficerëve të Kufirit. E para ishte biografia e mirë dhe ana tjetër ishte përgatitja ushtarake, gjatë kohës së kryerjes së shërbimit ushtarak në atë zonë kufitare, unë isha dalluar në përvetësimin e programit stërvitor, si në lëndët teorike, ashtu dhe në praktikë, gjatë stërvitjes e shërbimit. Isha një ushtar me rezultate të mira, i përgatitur nga ana ushtarake e gjithashtu edhe nga ana disiplinore. Plotësoja të gjitha ato kritere, që duheshin për të shkuar në atë kurs për oficer kufiri.

Gjatë periudhës gjashtë mujore në Sauk, vetëm anën teorike bënit, apo dhe praktikë mësimore në kufi?

Përveç anës teorike në shkollën e Saukut ku komandant ishte Gani Goxhi dhe komisar Halil Pula, kemi bërë dhe praktikë mësimore në kufi, në Han të Hotit dhe në Muriqan, të cilën na e zhvillonin disa oficerë të Kufirit të shkollës së Saukut. Bashkë me mua në atë kurs, ka qenë edhe Razi Xhihani nga Kavaja, Nik Deda, nga Tropoja, etj.

Ku ju emëruan oficer pas mbarimit të atij kursi?

Kursin gjashtë mujor e mbaruam në fund të dhjetorit të vitit 1969 dhe pasi u titullova oficer kufiri, mua më emëruan në detyrën komandant toge, në ‘Repartin 45’, që ndodhej te Komanda e MCR-së (Mbrojtja Civile e Rendit), afër Institutit të Fizikës Bërthamore, ku ishte dhe godina e Arkivit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku tashmë prej vitesh ato godina janë në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes.

Çfarë detyrash kryente ‘Reparti 45’?

Ai ishte një repart Xhenio me tre kompani ushtarësh, që varej nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe komandant ishte Ilo Kristo. Detyra e atij reparti, ishte kryerja e punimeve xheniere në objekte të rëndësisë të veçantë dhe tepër sekrete, që kishte shteti i asaj kohe, siç ishin tunelet e Kërrabës, Skraparit, Selitës në malësinë e Tiranës, etj. Të gjitha ato tunele dhe objekte të tjera ushtarake, si: vend-Komanda Qendrore e Ushtrisë, tuneli i depozitimit të thesarit dhe vlerave monetare të shtetit, tuneli i Arshivës, etj., (ku një pjesë e të cilave janë edhe sot në gjendje pune funksionale), u ndërtuan nga ai repart.

Objekte të tjera ushtarake apo civile, u ndërtuan nga ai repart ?

Ka pasur edhe objekte të tjera që u ndërtuan nga ‘Reparti 45’, si p.sh., reparti i Ndërlidhjes së Ministrisë së Punëve të Brendshme në Kërrabë, të cilin e projektuan, montuan dhe e vunë në punë specialistët kinezë. Në vitin 1970, reparti ynë u shpërngul dhe u vendos në afërsi të fshatit Linzë, rreth 2 km. më në lindje, aty ku në atë kohë ishte objekti “Ulliri”, i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ne, na dërguan aty, për të ndërtuar objektet e ‘Repartit 324’, i cili ishte Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, një repart special, që varej direkt nga ministri i Punëve të Brendshme, por si hallkë e ndërmjetme, ishte Komanda e Ministrisë, me komandant Rrapo Demo dhe më pas, Nikoll Shkurti. Reparti 324, që kur u krijua në atë kohë, e deri në fillimin e viteve ‘90-të, do të shërbente për kryerjen e detyrave tepër sekrete të një rëndësie të veçantë, që kishte Ministria e Punëve të Brendshme dhe gjithashtu shteti shqiptar i asaj kohe.

Çfarë ishte objekti “Ulliri” dhe përse shërbente ai?

Objekti “Ulliri”, ishte një godinë dykatëshe, që përgatiste kuadrot e Zbulimit Politik Shqiptar për jashtë vendit. Ajo ishte shkolla ku mësonin e përgatiteshin ata persona që shteti i asaj kohe, i dërgonte me mision jashtë, si zbulues ose në detyra të ndryshme sekrete.

Kujton ndonjë nga ata që përgatiteshin për të dalë me mision jashtë shtetit?

Objekti “Ulliri”, ishte një nga objektet tepër sekret dhe të një rëndësie të veçantë që kishte shteti shqiptar i asaj kohe dhe ne të ‘Repartit 45’, (si dhe ‘Reparti 324’ që u krijua më vonë), nuk kishim asnjë lidhje me të. Reparti jonë, u akomodua aty, për një periudhë kohe të shkurtër e më pas na hoqën nga aty dhe u akomoduan në çadra, deri sa u ndërtuan objektet e ‘Repartit 324’. U shfrytëzua një periudhë kohe, që aty nuk bëhej mësim, pasi objekti “Ulliri”, nuk funksiononte gjatë gjithë kohës si shkollat e tjera, por me periudha kohe të caktuara, sipas nevojave të shtetit, kur përgatiste kuadro për t’i nxjerrë me mision jashtë shtetit.

Ndërtimi i objektit “Ulliri” në atë vend, ishte bërë me qëllim që të mbahej sa më i fshehtë nga sytë e publikut dhe larg qendrave të banuara. Ai objekt ishte tepër i sigurt nga të gjitha anët, kufizohej vetëm me reparte ushtarak. Nisur nga kjo edhe godina dykatëshe e saj, ishte ndërtuar në një vend si gropë, në mes të pemëve me ullinj e me shkurre, mezi dukej dhe çatia e saj, vetëm nga një rrugë që kalonte diku më sipër e cila të çonte në fshatin Linzë.

I gjithë objekti “Ulliri”, sigurohej me shërbim 24 orësh dhe mbulohej vetëm nga efektivët e ‘Repartit 324’, ku çdo derë apo dritare, ishte e vulosur dhe kontrollohej e merrej në dorëzim, sa herë ndërrohej shërbimi, në çdo katër orë. Po kështu, ushtari që kryente shërbimin te porta kryesore e objektit “Ulliri”, ishte me mitraloz të lehtë në vend roje, ndërsa të tjerët, me armë automatike “Kallashnikov”. Por të kuptohemi, kjo kishte më tepër efekt psikologjik, pasi nuk mund të afrohej njeri, jo te porta kryesore e objektit “Ulliri”, por as afër tij.

Kur erdhi aty për herë të parë për të dhënë mësim Nexhmije Hoxha, ajo u ankua nga rruga e pa asfaltuar dhe me gropa. Po atë ditë, menjëherë pas ankesës së saj, u dha urdhër dhe brenda tetë orëve, Xhenio e Ushtrisë së Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtoi një urë betoni e cila shkurtoi atë rrugë disa km. të gjatë.

Përveç Nexhmije Hoxhës, kujton ndonjë tjetër që vinte aty për të dhënë mësim?!

Një pjesë e tyre që jepnin mësim aty, vinin nga Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e Saukut, apo nga Ministria, sipas lëndëve përkatëse që ata jepnin aty, por nga që ai objekt, apo më saktë ajo shkollë, ishte një sekret shtetëror i rëndësisë së veçantë edhe kuadrot që jepnin mësim aty, vinin dhe iknin me automjete të mbyllura, që të mos njiheshin dhe të mos kuptohej se për çfarë vinin. Përveç Nexhmije Hoxhës që jepte lëndën e marksizmit, nuk mund t’ju them me saktësi ndonjë emër tjetër, pasi vetëm si fytyra i njihnim.

Kur u ndërtua ‘Reparti 324’ dhe për çfarë ka shërbyer?

‘Reparti 324’, u krijua në vitin 1970-‘71 dhe ai ishte vazhdim i ‘Repartit 45’, i cili nga repart xhenio, u shkri si i tillë dhe u shndërrua në “Batalionin e Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme’, i cili ishte një repart special i koduar, si ‘Reparti 324’. Ky repart varej direkt nga Ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu dhe ai u bë pak a shumë si, “Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore”  i cili varej direkt nga Ministri i Mbrojtjes Popullore të asaj kohe, Beqir Balluku.

Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, kryente detyra të ndryshme sekrete e tepër sekrete, të një rëndësie të veçantë, sipas nevojave që kishte apo i paraqiteshin në momente të caktuara Ministrisë së Punëve të Brendshme. Komandant i ‘Repartit 324’, që me krijimin e tij, ka qenë Dane Binaj, (i cili vite më vonë u bë komandant i Gardës së Republikës), kurse komisar, ka qenë Flamur Arapi.

Si e kujtoni ndërtimin e tij, pasi u shprehët pak më lart, se atë e ndërtoi ‘Reparti 45’, ku ju ishit komandant toge? 

Nisur nga rëndësia e madhe që kishte ai Batalion Special i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, (i cili përbëhej nga tre kompani dhe një togë autonome kimie), pjesa më e madhe e objekteve të atij reparti, duke filluar nga kapanonet e ushtarëve, fjetoret, klasat ku bëhej mësim me kabinetet përkatëse, salla e mbledhjeve, mensa, kuzhina, depot e armatimit, depot e prapavijës, anekse të ndryshme, si salla e televizorit etj., u ndërtuan të gjitha nën tokë, me tunele beton-arme, të cilësisë së lartë, të cilat kishin sistem ndriçimi dhe ajrimi të bollshëm. Me kushte normale jetese, për fjetjen, mësimin, etj., duke mos pasur asnjë lloj problemi. Pjesa më e madhe e godinave dhe ambienteve të ‘Repartit 324’, për dy kompanitë, të dytën dhe të tretën), si dhe togën autonome të Kimisë, ishin të gjitha nën tokë, jashtë ishin disa zyra të komandës, parku i automjeteve, lavanteria, banjot, dushet, ambientet sportive, etj.

Kompania e parë, ku ishte?

Kompania e parë, (‘Reparti 329’) apo siç njihej ndryshe si ‘Toga e motorëve’, ndodhej në qendër të Tiranës, ngjitur me Akademinë e Shkencave, në hyrje të saj është porta prej muri guri me hark. Dislokimi i asaj kompanie aty, ishte për të qenë sa më afër godinës së Ministrisë së Brendshme, të cilën efektivët e saj, e mbulonin me shërbim 24 orësh. Përveç këtyre, ‘Reparti 324’, kishte dhe një pikë tjetër ushtarake të instaluar në Kodrën e Rrashbullit afër Shkozetit në Durrës, e cila merrej me kontrabandë e cigareve që bënte shteti shqiptar i asaj kohe dhe efektivi i ushtarëve aty, rrinin të veshur civilë dhe me flokë të paqethur. Në atë repart që përbëhej nga një togë ushtarësh, unë kam shërbyer për gjashtë vjet si komandant i saj, nga 1985-sa, deri në vitin 1991.

Po kështu, një pikë tjetër ushtarake e ‘Repartit 324’, ishte dhe objekti “Shtylla” që ndodhej prapa malit të Dajtit, në Qafë-Mollë, në afërsi të Fekenit i cili përbëhej nga disa objekte sekrete të rëndësisë së veçantë, të gjitha në tunele nën tokë, ku do akomodohej ministria e Brendshme në rast lufte.

Si dhe për çfarë shërbenin këto pikat e tjera dhe cilat ishin detyrat konkrete që kryente ‘Reparti 324’?

Para se t’ju tregoj për detyrat që kryente ‘Reparti 324’, apo siç njihej Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, desha të them se ai repart, bashkë me Gardën e Republikës, ishte një njësi speciale elitë, jo vetëm e Ministrisë së Punëve të Brendshme, por e gjithë Ushtrisë Shqiptare, pra edhe e atyre të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Kjo gjë, jo vetëm për nga detyrat që kryente, por edhe për kushtet e jetesës që i ishin krijuar, si trajtimi ushqimor me normë të lartë, përbërja e zgjedhur e efektivit të saj ushtar dhe oficer, stërvitja speciale që kryente, kam parasysh këtu edhe fushimet dimërore në Feken dhe ato verore në bregdetin e Karpenit të Kavajës, etj.

Ku konsistonte përzgjedhja e efektivit ushtar dhe oficer të atij reparti?

Përzgjedhja e efektivit ushtar të ‘Repartit 324’, fillonte që në Degët Ushtarake të rretheve, së pari ishin garancitë biografike, pastaj shikohej formimi, arsimimi dhe sjelljet e tyre në punë e shoqëri, që ata kishin pasur para se të mobilizoheshin, etj. Ndërsa për kuadrot, efektivin oficer, përveç anës biografike që shikohej me imtësi në disa breza, shikohej edhe përgatitja ushtarake, rezultatet e shkollës etj.

Cilat ishin shërbimet dhe detyrat që kryente ‘Reparti 324’?

Batalioni i Sigurimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, me tre kompanitë e tij, kryente shërbime dhe detyra të ndryshme, me karakter sekret dhe të një rëndësie të veçantë, këto të paracaktuara më parë, apo dhe sipas nevojave që i paraqiteshin Ministrisë së Punëve të Brendshme, në momente të ndryshme. Si p.sh., ngarkim shkarkimi i vlerave monetare të ‘Thesarit të Shtetit’ dhe lëvizja e shoqërimi i tij nga një objekt në një tjetër, si në Kërrabë, Skrapar dhe Bankën Qendrore të Shtetit në Tiranë.

Detyrë tjetër ishte dhe sigurimi, lëvizja, shoqërimi dhe transport i arkivave të shtetit shqiptar, nga një objekt në një tjetër. Kompania e III-të, bënte shoqërimin dhe transportin e vlerave monetare që vinin në Portin e Durrësit nga Republika Popullore e Kinës, dhe dërgoheshin në vendet përkatëse, në Kërrabë, Skrapar, ku ruhej ‘Thesari i Shtetit’.

Të gjitha këto shërbime speciale, që kryheshin nga Kompania e III-të, e cila ishte dhe më e rëndësishmja e Batalionit të Sigurimit, ishin të parashikuara dhe për rast lufte. Këto lloj shërbimesh, nuk ishin shumë të shpeshta dhe Kompania e III-të, gjatë gjithë vitit, kryente stërvitje intensive në repart dhe jashtë tij, sipas programit.

Detyra të tjera special, kryente Kompania e III-të?

Po, kishte dhe detyra të tjera por ato ishin tepër sekret dhe të një rëndësie shumë të veçantë e për to, nuk duhej të dinte askush.

Si kryheshin këto detyrat pa e ditur as komanda e Batalionit…?!

Vinte njoftimi nga Ministria e Brendshme për komandën e Batalionit tonë, ku thuhej se duheshin kaq dhe aq ushtarë, me këto karakteristika, të fortë fizikisht, të kenë këtë lloj armatimi apo pajisje personale me vete, me veshje civile apo ushtarake, etj., të cilët duhet të jenë para derës kryesore të godinës së ministrisë në këtë orë. Pas këtij njoftimi, Komanda e Batalionit, përzgjidhte ushtarët nga Kompania e III-të, të cilët i dërgonte te Ministria e Brendshme, sipas orarit që u ishte caktuar dhe ata aty i priste një person, që i merrte në dorëzim. Si fillim, ai person u bënte instruktazhin e nevojshëm, u caktonte detyrën apo shërbimin që do kryenin ata në Tiranë apo jashtë saj, në ‘x’ apo ‘y’ vend, duke i njohur me detaje për kryerjen e detyrave. Dhe pasi mbaronte shërbim, për një ditë, dy ditë, apo më shumë, ata ktheheshin përsëri në repartin tonë.

Për të gjitha këto, ku kishin qenë, çfarë pune kishin bërë, kë kishin takuar, etj., ata nuk duhet të flisnin në mënyrë kategorike me as njëri. Kjo ishte e prerë në mënyrë kategorike dhe askush, qofshin këta dhe oficerë eprorë të këtyre ushtarëve, nuk kishin të drejtë as të pyesnin se ku kishin qenë ata. /Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë

Në kërkim pas shpalljes non grata, Artan Grubi dyshohet se fshihet në Shqipëri! Dëshmia e biznesmenit: E dërgova me makinë deri në Tiranë