Dëshmia: Gjyqi i Bashkim Shehut me gruan e tij, Marjetën u zhvillua në një nga zyrat e burgut dhe kur u lexua kërkesa e saj për divorc, Bashkimi tha...

Dëshmia: Gjyqi i Bashkim Shehut me gruan e tij, Marjetën u zhvillua në një nga zyrat e burgut dhe kur u lexua kërkesa e saj për divorc, Bashkimi tha...

“Unë, Operativi i Sigurimit i Burgut të Burrelit, që bashkëjetova me ‘armiqtë e popullit”! Megjithatë, do të mundohem që edhe këtë deklaratë; “ta respektoj” në thelbin e saj. Them në thelbin e saj, se format që ka përdorur Sigurimi i Shtetit, si: rrjeti sekret, teknika operative, survejimi, kontrolli postar e të tjera, tashmë kanë dalë në pazar. Në tregimet e mia, do mundohem të jem i saktë. Për të qenë sa më i vërtetë, jam i detyruar të përmend, edhe emra konkretë, por asnjëherë ata që duhet të mbeten sekret. Këto kam vendosur t’i marr me vete në varr. Me mbarimin e Shkollës së Ministrisë së Brendshme, fillova punë me përfytyrimin që na kishin krijuar për “armiqtë e klasës e të atdheut”. Këtë imazh, në praktikë nuk e ndesha ashtu siç na ishte predikuar dhe gradualisht në ndërgjegjen time, filloi të zbehej. Një ndikim të fuqishëm, në ndryshimin e konceptit të krijuar tek unë për armikun e klasës, ka luajtur “bashkëjetesa”, me të dënuarit e burgut të Burrelit, për shumë vite me radhë.

Gjyqi në zyrat e burgut, për divorcin e Bashkim Shehut

Pasi ish-kryeministri vrau veten, familja e tij iu nënshtrua procesit të persekutimit. Gruaja, Fiqirete Shehu, u dënua e vdiq në burg. Djali i madh, Vladimiri, vrau veten, ndërsa dy djemtë e tjerë, Skënderi e Bashkimi, u dënuan dhe i sollën në burgun e Burrelit. Bashkimi ishte martuar e, kishte dy fëmijë. Gruaja e tij, Marjeta, ishte vajza e Lefter Velçës, me origjinë nga Kullsi i rrethit të Vlorës, në atë kohë, shofer eksporti.

Marjeta ndodhej e internuar në Belsh, bashkë me dy fëmijët e vegjël. Ajo e kishte të vështirë, ta përballonte jetën në këto kushte. Për të dalë nga kjo situatë, kishte kërkuar mendimin e babait për të bërë shkurorëzimin me Bashkimin, por kishte gjetur kundërshtimin e vendosur të tij. Pavarësisht kësaj, ajo mori vendimin e pavarur dhe kërkoi ligjërisht divorcin me Bashkim Shehun.

Vendi ku do zhvillohej seanca gjyqësore për këtë çështje, u caktua një nga zyrat e komandës së burgut të Burrelit. Në ditën e caktuar, Marjeta u paraqit aty, sipas rregullores. Nuk mungoi atë ditë edhe babai i saj, Lefteri, i cili banonte në Durrës. Pasi u lexua kërkesa e Marjetës për shkurorëzim, u kërkua të thoshte fjalën e vet edhe Bashkimi. “Unë nuk e dëshiroj ndarjen,- tha ai,- sepse me Marjetën, kam dy fëmijë që janë gjithçka për mua.

Natyrisht edhe për Marjetën. Dhe fatin e tyre, me prindër të ndarë, për arsyet që ndodhën midis nesh, e shikoj shumë tragjik. Unë nuk e dua ndarjen me Marjetën, se me Marjetën më ka lidhur vetëm e vetëm dashuria për të. Mendoj se edhe me Marjetën, kështu është. Për të gjitha këto, nuk e dëshiroj ndarjen. Po kjo nuk mund të mos ndodhë, në qoftë se nuk mendojmë kështu të dy. Pra, e thënë ndryshe, unë nuk mund të figuroj formalisht i martuar, me një grua që nuk më do më. Në përfundim të fjalës time, për këtë çështje vendos Marjeta”.

Kryetari i seancës, kërkoi që edhe Marjeta të thoshte fjalën e saj. “Fjala ime e fundit, – u shpreh ajo,- është pasqyruar në kërkesën që kam paraqitur për ndarje bashkëshortore”. Pa mbaruar mirë Marjeta, kërkoi të fliste Lefter Velça, babai i saj. “Kam ardhur për të thënë fjalën time edhe unë këtu, – u shpreh ai. – Jam kundër kësaj, që po bën Marjeta. Fati i Bashkimit është edhe fati i saj. Ajo nuk është e para, që i arrestohet burri. Ato kanë ditur ta përballojnë jetën, ashtu siç u ka ardhur. Këtë duhet ta bëjë edhe Marjeta, në qoftë se është vajza ime…”!

Sakaq, duke iu drejtuar Bashkimit, Lefteri vazhdoi: “Sido që të ndodhë, Bashkim, mua do të më kesh këtu, në takimet e përmuajshme. Do jem në krahun tënd, për çdo nevojë që do të kesh. Rregullorja e burgut, nuk do më pengojë, pasi midis meje dhe teje ka një lidhje të fortë familjare. Ti Bashkim, je babai i nipit dhe mbesës time. Në ç’përfundim u mor vendimi i divorcit. Bashkimi, i dërmuar shpirtërisht, u takua me Lefterin dhe mandej shkoi në birucë. Marjeta, pa i dhënë dorën as Bashkimit, as të atit, u largua me nxitim. Lefter Velça e mbajti fjalën. Ai i qëndroi afër Bashkimit deri sa u lirua nga burgu.

Ju rrëfej takimin sekret të Avdul Banushit me vëllezërit, pas 25 vitesh…!

Kur u fut brenda, mbylla derën dhe u përqafova me mall, duke harruar raportin, oficer i Sigurimit – i dënuar politik. Pas pak erdhi Qamili, shitësi i burgut, që solli kafet e porositura dhe një paketë cigare, që i blija çdo ditë me të ardhurat e mia. I thashë se, kisha takuar njerëzit e tij dhe një moment e pashë me vëmendje, si do reagonte. Sytë e Avdulit ndrinë nga lotët dhe buza iu drodh. E lashë të qetësohej, pastaj vazhdova: U takova edhe me xha Hakanin.

Nuk është e vërtetë që ai nuk rron. Më tha se do të gjejë mundësinë, të vijë e të të takojë. Avduli u shpreh mosbesues dhe ngriti dyshimin për ndonjë veprim taktik nga ana ime, për ta mposhtur psikologjikisht, gjë që edhe e shprehu. “Xha Hakani rron dhe ti do ta takosh”, iu ktheva me zë të lartë. “Nuk e lëmë këtë bisedë, – ndërhyri ai disi indiferent. -Babai ka vdekur, para disa vjetësh. Çfarëdo që më thua, nuk ta besoj dhe pikë”.

E lashë në mendjen e tij dhe aty për aty, nxora letrat që i dërgonin vëllezërit. Fillova t’ia lexoj. Nuk kisha mbaruar as tre rreshtat e parë, kur ai filloi të shkrehej plotësisht. E lanë forcat dhe gradualisht, arriti në një gjendje të tillë ku nuk mundi ta përmbajë veten. Veçanërisht, letra e Hodos, e bëri të qajë me ngashërim, duke më detyruar edhe mua të përlotem. Në letra, i shkruanin edhe për xha Hakanin, por në këtë pike, ai mundohej të tregohej mosbesues.

Mendimi se i ati nuk jetonte, ishte ngulitur thellë në mendjen e tij dhe nuk kishte burrë nëne, t’ia shkulte. Ndenjëm gjatë bashkë. Aty në zyrë, hëngrëm edhe drekën. Natyrisht, jashtë vëmendjes së të tjerëve. Më në fund u ndamë. Pas disa ditësh, më lajmëruan se xha Hakani, kishte vdekur. U trondita jashtë mase.

Kisha menduar disa surpriza, filli i të cilave mu këput më mes. I kisha premtuar, Avdulit se do ta takoja me të atin, por tani nuk do mundja. Përveç këtyre, ndjeva keqardhje për xha Hakanin, që nuk arriti të takonte të birin, para se të mbyllte sytë. Gjeta mundësinë dhe një ditë shkova në Gjirokastër, për të ngushëlluar familjarët e tij. Me Hodon, të vëllain e Avdulit, që punonte mësues, u takuam te hotel “Çajupi”. Aty e ngushëllova. “Ndodhi shumë keq, – e theu heshtjen Hodua. – Them se kam bërë diçka të mirë në këtë drejtim.

Kur e ndjeva se babai po ndahej nga jeta, i kërkova të më jepte porositë e fundit, për Avdulin. Këto i kam të incizuara. Gjithashtu kam incizuar edhe një pjesë të vajeve me ligje për babanë. Them që një ditë, t’ia çoj në Burrel. Ai ka nevojë edhe të qajë. Besoj se do më ndihmosh, për këtë…”! Aty për aty, e miratova idenë e tij, që m’u duk e frytshme. Si pimë kafen, u ngritëm dhe u nisëm për në shtëpinë e Zijait, ku do të ngushëlloja sipas zakonit.

Ngushëllime vëllazërore

Mëngjesin e ditës tjetër, pasi bleva paketën e cigareve për Avdulin, shkova në burg, për ta ngushëlluar për vdekjen e xha Hakanit. Sapo erdhi në zyrë, i shoqëruar nga polici dhe pa pranga, bëra shenjë që të mbeteshim vetëm, mbylla derën dhe u përqafuam në atë mënyrë, që tek të tjerët do të bënte përshtypje. Pa e kuptuar, ishim bërë shumë të afërt, duke harruar që u përkisnim “llogoreve të kundërta”. Nuk munda t’i mbaja lotët.

– Çfarë ke? – më pyeti Avdyli. -I ke mirë të gjithë?

– Nuk kam gjë jo. Mirë i kam të gjithë.

– Ku ke qenë, që nuk ke ardhur këto ditë?

– Ashtu erdhën punët kësaj radhe. Hodua më dërgoi një telegram ku më njoftoi për vdekjen e xha Hakanit dhe shkova për këtë punë në Gjirokastër. Ja telegrami! Dhe ja vendosa përpara. Pastaj i hodha mbi tavolinë paketën e cigareve, sipas zakonit dhe i zgjata dorën, për ta ngushëlluar.

Pasi ndenji ca në heshtje, m’u drejtua me një pamje të çuditshme:

– Ta marr për të vërtetë, këtë që më the? Dhe sytë iu përlotën.

– Më vjen keq! Ti vazhdon të më marrësh për djallëzor. Kjo është e vërtetë. Unë të tregova, edhe kur u takova me xha Hakanin në Gjirokastër. Më erdhi keq, që nuk munde ta takosh ti.
Pas kësaj, ai filloi të qajë me dënesë. E lashë disa minuta të zbrazte me dënesë dhe pastaj ndërhyra.

– Hajde përmbahu tani! Je burrë i fortë, e burrat e durojnë dhimbjen. U mundova ta qetësoja…!

Lajmi për vdekjen e babait, do ta mundonte shumë Avdulin, për të cilin tani, ora e burgut nuk lëvizte. Prej kohësh, qëndronte i vetëm në birucë, sepse shoku i dhomës, ishte transferuar në qeli tjetër. Një ditë “guxoi” të më kërkonte të ndërhyja për të dalë nga biruca dhe të sistemohej në një dhomë, me hapësirë më të madhe. Kërkoi gjithashtu, t’i jepja mundësinë të merrej me pikturë. Këtë profesion, e zotëronte qysh përpara se të arratisej nga Shqipëria.

Ia plotësova kërkesën dhe e rregullova në një dhomë të mirë për kushtet e burgut, me hapësirë më të madhe. Nga një piktor në Burrel, shoku im, Petrit Gurabardhi, sigurova mjetet e nevojshme të piktorit, si letër, bojëra, penel, vaj, lapsa, etj. Mbas kësaj, sa herë shkoja në dhomën e tij do ta gjeja duke pikturuar. Një ditë, më mori leje dhe pikturoi edhe portretin tim, të cilin e ruaj si kujtim të çmuar…!

Takimi, pas 25 vitesh!

Ishte vërtet diçka emocionale. Më në fund, pas 25 vitesh, Avdul Banushi, priste të takonte vëllezërit, Hodon dhe Zijain. Porosita të përgatitej zyra, ku do të organizohej takimi. Shkova aty me dy mysafirët, që kishin ardhur nga Gjirokastra. Hyra vetë në burg, për të marrë nga biruca Avdulin. Pamja e tij, mundohej të tregonte, se po shkonte në një takim të zakonshëm, por kur u hap dera dhe u gjend përpara vëllezërve, nuk ishte më ai që mundohej të shfaqej. U hodh në krahët e tyre dhe sytë iu mbushën me lot.

– Boll qave!, – e qetësoi i pari Hodua. – Kemi ardhur të çmallemi e jo të qurravitemi. Kemi plot gjëra, për të thënë.

Pastaj Hodua, filloi t’i tregojë për familjarët e tjerë, një nga një.

– Para disa ditësh, – vazhdoi Hodua,- na vdiq babai. E mori vesh që ishe këtu dhe kur u bëmë gati për të ardhur të të takonim, vdiq papritur.

– Unë e kam ditur se babai ka vdekur prej kohësh,- u hodh Avduli dhe të them të drejtën, e kam vështirë t’u besoj edhe juve…!

– Ndoshta ti, ke arsyet e tua të mendosh kështu, – shtoi Hodua,- po ne të kemi sjellë këtu zërin e tij, amanetin para vdekjes që la për ty.

– Dëgjoje me veshët e tu dhe pastaj fol! Sakaq, Hodua vendosi në tavolinë një aparat magnetofoni, futi në të kasetën në fjalë dhe shkeli butonin. Pas një çasti, që andej, gjëmoi zëri i xha Hakanit, që u drejtohej fëmijëve të tij:

– Bijtë e mi! Vitet bënë të vetën e tani më pret vdekja. Kështu e ka kjo botë. Porosia që kam, është të qëndroni lidhur me njëri tjetrin. Ti lini mënjanë mëritë që ju ndajnë, e të gjeni forca, për të qenë të bashkuar. Meraku i vetëm që po marr me vete, lidhet me një pjesë të gjakut tim, me djalin tim dhe vëllain tuaj, me Dulen, që na mungoi prej kaq vitesh…!

Avduli, sa dëgjoi që u përmend emri, nga një zë që e njihte prej kohësh, reagoi rrufeshëm: – Po për Zotin! Ky është zëri i babait. Mënyra si ma përmendi, ma solli përpara syve. “Dule”, vetëm ai më ka folur ashtu…! – Dhe u shkreh i tëri, në dënesë. Pas kësaj, nuk mundi ta përmbajë më veten. E mori magnetofonin në krah, sikur ta kishte njeriun e tij më të dashur. Pastaj ia futi kujës, me ngashërim: – Oh, baba, baba! Të më falësh për të gjitha…!

U krijua një gjendje e rëndë. Hodua, si më i rrahur me këto situata, e mblodhi veten, u ngrit, fiku magnetofonin dhe iu drejtua Avdulit: – Avdul, pusho! Je burrë dhe duhet të gjesh forca të përmbash veten. Është e dhimbshme, e kuptoj. Po duhet bërë i fortë…!

Si pa kuptuar, kaluan rreth katër orë. Takimet në burgun e Burrelit, zgjasnin vetëm dhjetë minuta dhe vetëm në sportel. Në rastin e Avdulit, ishte bërë një përjashtim, kuptohet me lejen e autoriteteve përkatëse. Vëllezërit Banushi, u ndanë duke u përqafuar disa herë e, duke porositur njëri-tjetrin…!

“Dorëzimi” i Avdul Banushit…!

Takimi dhe lajmet nga vëllezërit e familjarët e tjerë, krijuan një gjendje të trazuar te Avduli. Shkoja tek ai çdo mëngjes, ndiznim nga një cigare dhe bisedonim për tema të ndryshme. Largohesha, duke e lënë në qetësinë e tij. Një moment mendova, mos kërkoja unë i pari, për të biseduar rreth problemeve që i interesonin punës. Le ta merrte ai iniciativën! Kjo do të ishte më rezultative. Krejt rastësisht, erdhi çasti i shumëpritur. Pas një qëndrese të gjatë, në një luftë të fortë me vetveten, më së fundi Avduli, vendosi të bisedojë me mua, për veprimtarinë e tij dhe të organizatës FRASH-it, kontaktet që mbanin me zbuluesit e CIA-s dhe ndihmën që u jepnin ata për veprimtarinë që zhvillonin në drejtim të Shqipërisë.

Por ai, asnjëherë nuk pranoi se ishte në shërbim të këtij zbulimi. Gradualisht, filloi të flasë për bazat e FRASH-it në Milano, Bari e Romë në Itali; Prevezë, Janinë, Igumenicë, Konicë e Follorinë, në Greqi; Ohër, Ulqin e Dibër e Madhe, në Jugosllavi. Këto të dhëna, që ai s’kishte pranuar t’i tregonte në procesin e hetuesisë. Megjithëse për bazat jashtë shtetit, më fliste me hollësi, për ato brenda vendit, nuk tregonte asgjë. Më tej, tregoi për aktet terroriste që kishte kryer FRASH-i në Paris, Romë, Athinë dhe Madrid, me organizatorë vetë Avdulin dhe pjesëmarrjen e Sabaudin Haznedarit e anëtarë të tjerë të organizatës, në këto vende, si S.K., N.P., L.G., N.V., etj.

Gjithsesi, ky ishte vetëm fillimi i dorëzimit të tij. Duhej këmbëngulur më tej me të. Avduli ishte një thesar për Sigurimin. Mendova se kishte ardhur koha, për të kaluar në një plan tjetër. Fillova përgatitjet, për të shkuar në Gjirokastër, bashkë me Avdulin…!

“Avduli 10 vite në qelitë e Burrelit, ne nuk dinim gjë”!

Duke hedhur dritë, mbi arsyet e këtij fakti të panjohur, Piro Nuredimi, ish Operativi i burgut të Burrelit, pohon përpjekjet e policisë sekrete, për të zbuluar misteret që i dënuari ‘VIP’ nuk pranoi t’i zbardh’ gjatë procesit maratonë që zgjati dy vjet.

“Avduli kishte dhjetë vjet në burgun e Burrelit dhe familja nuk dinte gjë”, dëshmon Hodo Banushi, vëllai i tij, duke kujtuar momentin si janë njohur për herë të parë me lajmin tronditës. Ai e ka të fiksuar në kujtesë, atë pasdite dimri, kur mysafiri panjohur që vinte nga Burreli, u ka hedhur “bombën”, në mes të shtëpisë: Vëllai i arratisur, para 25 viteve, tanimë ishte në qelitë e burgut, jo si i dënuar i zakonshëm, por si atentatori i Enverit! Në rrëfimin e tij, Hodo Banushi, tregon përjetimet nga takimi pas tri dekadash me Avdulin dhe peripecitë që i kanë ndjekur pas zbardhjes së historisë…!

Zoti Hodo! Në kujtimet e Piro Nuredinit, ish-oficer i Sigurimit në burgun e Burrelit, zbulohet një takim i fshehtë, që keni bërë në Gjirokastër, me Avdul Banushin gjatë kohës që vuante dënimin…?

Përballja me Avdulin pas 25 vitesh, ishte vërtet diçka tronditëse. Mbaj mend që, na thirri Piro Nuredini dhe shkuam për ta takuar, në një nga qelitë e Degës së Brendshme të Gjirokastrës, ku e kishin sjellë në fshehtësi të plotë, nga burgu i Burrelit. Ky ritual, zgjati plot katër ditë. Kanë qenë momente prekëse, sidomos për Avdulin, që na pyeste e interesohej jo vetëm për të afërmit, por për tërë të njohurit dhe fshatarët e tjerë. I vetmi peng që shprehte, ishte fakti që nuk arriti të takohej me babanë. Sidoqoftë, ndihej i lehtësuar që më në fund mundi të shoh e të flasë nga afër me njerëzit e dashur të zemrës.

Pra, nuk shkuat ju për ta takuar në burg, siç ishin rregullat e kohës për të dënuarit, por e sollën aty nën përkujdesjen e Sigurimit. Çfarë fshihej pas këtij fakti pa precedent?

Në atë kohë, nuk bëhej fjalë të merrnim vesh se çfarë fshihte Sigurimi, pas lëvizjeve të tilla. Më vonë, kur Avduli doli nga burgu, na tregoi se ky takim i fshehtë, ishte një lojë e Sigurimit, për të vjelë të dhëna mbi zbulimet e huaja që operonin në vendin tonë. Ishte si të thuash, një lloj përpunimi psikologjik, që Avduli të “dorëzohej” e të rrëfente gjëra që nuk i kishte pohuar kurrë…!

Çfarë pretendonte të zbulonte Sigurimi nga Avduli, kur ishin mbyllur hetimet dhe procesi gjyqësor ndaj tij?

Gjatë procesit maratonë, që zgjati dy vjet, Avduli kishte pohuar gjithçka mbi veprimtarinë e vet. Kishte pranuar madje, se kishte ardhur t’i bënte atentat Enverit, në ditën e paradës ushtarake. Ndërkaq, nuk kishte dëshmuar asgjë mbi bazat dhe bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri. Nuk dha asnjë informacion, mbi planet e Zbulimeve Perëndimore, për përmbysjen e pushtetit popullor. Shkurt, i gjithë deponimi i tij, përmblidhej fund e krye, te akti që do kryente në Tiranë. Kaq, padyshim nuk ishin pak për Sigurimin e Shtetit, por ishin të pamjaftueshme, për të depërtuar në planet e Zbulimeve Perëndimore, kundër regjimit komunist në Shqipëri. Avduli, deri në fund nuk ofroi asnjë të dhënë, edhe pse iu nënshtrua një kalvari të tërë torturash e vuajtjesh, nga më çnjerëzoret…!

Ndërkaq, ju e dinit pse akuzohej Avduli gjatë hetimeve dhe procesit gjyqësor?

Në rastin e tij, Sigurimi i Shtetit, ka operuar me një skemë të veçantë, sa cinike, aq dhe djallëzore. Arrestimi, hetimet dhe procesi gjyqësor i Avdulit, janë mbajtur sekret nga fillimi në fund. Gjithçka, ndaj tij, është ndjekur nga një grup i vogël i policisë sekrete. Madje, edhe kur është dënuar, është proceduar me fshehtësi, duke e mbajtur në një qeli të veçantë, në burgun e Burrelit…!

Pra, as familjarët nuk kishin dijeni…?!

Në kohën që Avduli gjykohej, bile edhe kur ishte në burg, ne e dinim jashtë shtetit. Vetëm pas disa vitesh, e kemi marrë vesh që ishte gjykuar dhe vuante dënimin. Lajmin na e ka sjellë, Piro Nuredini, Operativi i Sigurimit të burgut. Nuk e di në çfarë rrethanash, por mbaj mend që, një pasdite, na mblodhi të gjithëve dhe na tregoi se; Avduli ishte dënuar si agjent i zbulimeve të huaja, që kishte ardhur me mision të vriste Enverin. Madje, na njoftoi se kishte 10 vite, që ndodhej në Burrel. Pikërisht atëherë, për ne, morën fund legjendat që fliteshin lart e poshtë, për të.

Piro Nuredini në këtë rast ishte një ndërmjetës midis jush dhe Avdulit…?

Pavarësisht detyrës dhe misionit të besuar, Piro Nuredini, mbi të gjitha, ishte një djalë fisnik, që na ofroi ngrohtësi e solidaritet, në momente shumë të vështira. Pikërisht për këtë dhe sidomos për pjekurinë me të cilën kapërcente raportet delikate midis nesh, ai u bë i afërt e i respektuar, për familjen tonë. Jemi takuar e kemi biseduar me të shumë herë, kemi qarë hallet e, kemi dëgjuar mendimet e njëri tjetrit, si atëherë kur Avduli ishte në burg, por edhe kur doli nga ferri i Burrelit. Lidhjet e afërta me të, kanë vazhduar pa shkëputje, deri në momentin kur Pirua, ndërroi jetë nga një aksident automobilistik. Më ka mbetur peng, që nuk mora pjesë në varrimin e tij. Në atë kohë, isha në Greqi dhe e kam marrë vesh shumë vonë tragjedinë e tij. Sidoqoftë, Pirua, ka lënë mjaft kujtime të mira te ata që e njohën dhe i lidhi puna me të…! /Memorie.al 

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi

Dita e mësueses së baletit në ‘Një nga ne’, Romina Kaso: Më frymëzojnë sytë e fëmijëve, do kërcej sa të kem fuqi