Pëllumb Gjoka, një nga shtatë të pandehurit e dosjes “Metamorfoza”, ka dëshmuar këtë të enjte në GJKKO, ku ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij dhe ka vënë në dyshim provat e siguruara nga komunikimet në platformën Sky ECC.
Sipas dëshmisë së siguruar nga gazetarja e Report TV, Keti Banushi, Gjoka tha se hetimet kundër tij janë bazuar në materiale të paqarta dhe se komunikimet e përmendura nuk provojnë identitetin apo përfshirjen e tij në ngjarjet për të cilat akuzohet.
Duke komentuar analizën e kodeve të përdorura në Sky ECC, ai u shpreh se edhe nëse merret si e mirëqenë se kodet u përkasin personave të identifikuar nga akuza, bisedat janë kontradiktore dhe nuk mbështesin pretendimet e prokurorisë.
Gjoka kundërshtoi veçanërisht akuzën për korrupsion, duke deklaruar se nuk i është bërë e qartë se për cilin episod konkret akuzohet. Ai tha se SPAK pretendon se ka ndërhyrë te dy gjyqtarë, por sipas tij vetë gjyqtarët kanë deklaruar se nuk e njohin.
Në dëshminë e tij, biznesmeni pretendoi se nuk kishte asnjë lidhje me vrasjen e Gjin Ndojit në Shkodër. Ai deklaroi se nëse ekziston qoftë edhe një komunikim mes kodit që prokuroria pretendon se i përket atij dhe kodit që i atribuohet Behar Bajrit, ku flitet për këtë vrasje, është i gatshëm të pranojë çdo akuzë.
Po ashtu, Gjoka tha se nuk ekziston asnjë bisedë apo komunikim që lidhet me krijimin e kushteve për vrasjen e Genc Tafilit. Ndërsa pretendimet që lidhen me Ibrahim Licin dhe Dorian Dulin i cilësoi si “thashetheme të Sky”.
Ai pranoi se ka pasur konflikt me Kleanthi Musabellin, por këmbënguli se ndodhet në burg mbi bazën e pretendimeve të pambështetura me prova. Gjoka foli edhe për akuzën e armëmbajtjes pa leje, duke deklaruar se gjatë kontrollit në banesë policia i ka gjetur vetëm një çifte me dokumentacion të rregullt.
Ai kundërshtoi gjithashtu akuzën për grup të strukturuar kriminal, duke kërkuar të përcaktohet konkretisht se me kë pretendohet të ketë bashkëpunuar. Pesë muaj më parë, Prokuroria e Posaçme kërkoi 14 vite burg për Pëllumb Gjokën dhe 9 vite burg për ish-shefin e policisë Ardit Hasanbegaj në kuadër të dosjes “Metamorfoza”.
Gjoka akuzohet për “vrasje me paramendim” të Gjin Ndojit (Boriçi), i ekzekutuar më 9 gusht 2020 në Shkodër. SPAK e akuzon gjithashtu për sigurimin e kushteve për vrasjen e Kleanthi Musabellit, Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ndaj tij rëndojnë edhe akuzat për “korrupsion aktiv të gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si dhe për “mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ndërkohë, ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj akuzohet për sigurimin e kushteve për vrasjen e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit. Në dosjen “Metamorfoza” janë marrë të pandehur edhe ish-drejtuesi i Operacionales së Policisë, Oltion Bistri, ish-prokurori Xhevahir Lita, si dhe persona të tjerë të lidhur me grupin e Bajrave në Shkodër
Segmente nga dëshmia e plotë
"Marrim analizën e kodeve. Për një moment, po i marrim si të vërteta, sikur kodi i pretenduar është i Behar Bajrit. Nëse e marrim të mirërqenë, në ccdo bisedë ai flet vetëm për punë dhe të giitha thëniet e tij janë kontradiktore. Në nje vend ai thotë "dua ta hek njënin, por emrin nuk ia di". Në një tjetër bisedë, kodi i pretenduar si i tij, thotë "sa lekë me jep për Visi". Nuk di sa i thotë ai. Njëherë thotë "e bej se janë shumë lekë". Pastaj thotë "duan me t'vra". Më vonë thotë "nuk vras njeri se kam fëmijë". M
ë akuzojnë për korrupsion. Po e quajmë se ai kodi në Sky është i imi. A mund ta di se për cfarë kam bërë korrupsion. Unë nuk e di për ç'episod jam. Thonë kam ndërhyrë tek dy gjyqtarë. Vetë dy gjyqtarët, thonë "nuk e njohim". Tani, cilët janë më të besueshëm, gjyqyarët, apo kapterat që kanë zbardhur Sky” Për përgatitjen e kushteve për të vrarë Genc Tafilin, nuk ka asnjë bisedë, asnjë komunikim. Unë nuk kam asnjë konflikt me ta. Për Ibrahim Licin e Dorian Dulin janë thashetheme sky.
Për Kleathi Musabelli është e vërtetë që kam pasur një konflikt me të. Shkojmë tek arma. Policët në shtëpi më gjetën veç një cifte me letra. Të të vijnë policët në shtëpi e për thashetheme të më fusin në burg, të fortë janë. Tani të di, për cfarë arme jam në burg, se nuk e di. Për grupin kriminal e sqaroi avokati. Nëse kam qenë, të di me kë kam qenë. Nëse ka një komunikim mes kodit që prokurori thotë që kam pasur unë dhe atij që thotë se ka pasur Behar Bajri, ku flitet për vrasjen e Gjin Ndojit, pranoj çdo lloj akuze. Nëse ka ndonjë bisedë se ku do të rrijë makina e vrasësve" tha Gjoka.
Lajm në përditësim
Komente









