Dëshmia rrënqethëse e babait
të Lukës: Ja si vdiq im bi

TIRANE - Olinto Olivotto, babai i italianit 27-vjeçar Luka, i cili ndërroi jetë më 18 tetor të këtij viti në klinikën private në Shqipëri “Universal Hospital Tirana” pas kurës me sodë buke që mori për trajtimin e kancerit nga mjeku italian Tullio Simoncini, rrëfen ekskluzivisht në emisionin URBANIKA në TV A1Report se si nisi e gjithë historia si dhe dyshimet për shkaqet e vërteta që i morën jetën djalit të tij.

Në një intervistë me Skype nga Katanja nëpërmjet internetit, Olivotto tregon se ende nuk ka një raport mjeko-ligjor të zbardhur edhe pse ka ditë që djali i tij ka ndërruar jetë. Ai thotë se nga trupi i Lukës janë marrë nga ana e policisë provat, të cilat mund të hidhnin dritë mbi misterin e kësaj historie. Sipas zotit Olivotto, çdo pajisje e gjithçka tjetër në trupin e djalit të tij, shërben si provë dhe nuk mund të merret nga policia.

“A ishte në rregull vendosja e aparaturave mjekësore mes të cilave do të futej në trupin e Lukës soda e bukës e të shkonte kështu në vendin e duhur? Pse autopsia u zhvendos, pse u morën provat? Kjo është e paligjshme. Provat ishin në trupin e Lukës. Policia e ka marrë këtë provë e kjo gjë nuk u mund të vërtetohet tani.Kam dyshimet e mia që këto prova janë fshirë njëherë e përgjithmonë.”, shprehet Olivotto.

Kur Luka pati përkeqësime dhe po transportohej me ambulancë drejt QSUT-së, Olivotto tregon se djalit të tij iu dha valium ndërkohë që i duhej dhënë morfinë. Ishte rënë dakord me mjekët se në rast të tillë do të përdornin morfinën për ta qetësuar, ndërsa mjeku që Olivotto i mban mend vetëm emrin, Dr.Lutfiu në mënyrë individuale përdori valiumin. "Dyshohet se pikërisht ky mund të jetë shkaku i vdekjes, pasi menjëherë Lukës iu bllokuan rrugët e frymëmarrjes.”, - tha Olivotto.

Një tjetër problematikë që Olivotto trajton është dhe transportimi nga klinika private në reanimacionin e qendrës spitalore “Nënë Tereza” në momentin që gjendja shëndetësore e Lukës u përkeqësua menjëherë sapo në trupin e tij u aplikua kura me sodë buke. Ai rrëfen gjendjen jashtë standardeve të reanimacionit, me dyer të hapura e pa doktorë. Duke ngritur hije dyshime mbi zhvendosjen e djalit të tij drejt QSUT-së, Olivotto thotë se problemi është edhe më i thellë se kaq.

Sipas Olivottos, mjeku Simoncini ishte një përfitues të cilit nuk i interesonte shërimi i djalit të tij. “Simoncini ishte një përfitues, i cili përfitoi nga situata. Ai pasi aplikoi kurën dhe Luka u bë keq, tha: Mbase ishte një gabim!, Por ishte shumë vonë. Kur Luka është ndjerë keq, ambulanca është vonuar një orë e gjysmë. Ata vonuan të thërrisnin ambulancën, e cila do e transportonte nga klinika drejt QSUT-së.”, tha Olivotto.

Sipas tij, mjeku nuk ka pasur në interes kurimin e djalit të tij, por thjesht marrjen e parave. Duke iu referuar këtij përfundimi, Olivotto tregon se vetëm pak para se mjeku të aplikonte kurën në trupin e djalit, pyeti se në cilin krah ndodhej tumori, në anën e djathtë apo të majtë. Sipas babait të pacientit italian, kontaktet që kanë pasur me mjekun italian ishin të pakta dhe se komunikimet e mëtejshme me të i kanë realizuar nëpërmjet telefonit.

“Paradoksi nuk është ajo që ndodhi, është ajo që nuk ndodhi. Simoncini iku pasi filloi kura (ai na kishte thënë se nuk kishte impenjime me pacientë të tjerë), më tej u aplikua nga mjekë të tjerë. Simoncini ka pasur kontakt me ne vetëm për pak dhe më pas ka ikur duke pasur kontakte vetëm me telefon. Mjekët e tjerë kanë vijuar kurën, nën përgjegjësinë e Simoncinit.”, shprehet Olinto Olivotto.

Mjekut italian Tullio Simoncinit i ishte hequr licenca në shtetin italian për shkak të kurës me sodë buke që ai ushtronte ndaj shërimit të sëmundjes së kancerit. Sipas tij kanceri është një kërpudhë bakteriale dhe kurimi më i mirë për të nuk janë kimioterapitë, por kura me sodën e bukës. Simoncinit iu hoq licenca në Itali, ndërsa vijoi më tej profesionin e tij dhe metodën e kurimit të kancerit me sodë buke në klinikën private në Tiranë.

luka me familjen gjate pushimeve
(Në foto. Luka me familjen gjatë pushimeve verore)

OLIVOTTO: E NJOHEM MJEKUN ITALIAN NGA INTERNETI, LUKA KRIJOI BESIM

Olinto Olivotto rrëfen gjithashtu edhe njohjen dhe kontaktet e para me mjekun italian, i cili mori përsipër trajtimin e djalit të tij për shërimin e kancerit. Zoti Olivotto thotë se u njohën me kurën e Simoncinit nëpërmjet internetit.

“Filloi në internet e gjitha. Aty pamë gjithçka ai kishte bërë. Nëpërmjet internetit ne pamë publicitetin e realizuar nga mjeku. Ai e ka pas të ndaluar të bënte marketing në media të tjera si televizion, gazet apo radio, kështu që shfrytëzonte internetin, si më pak të kontrolluar. Kështu shkuam në studion e tij dhe u njohëm personalisht me të. Aty Luka vendosi të vazhdonte kurën me të. Pasi biseduan me Lukën, pasi pa fazën e tumorit, e cila ishte e përqendruar vetëm në krahun e djathtë, vendosi të bënte kurën e cila kishte probabilitet 70% për të shkuar.” Babai i pacientit italian rrëfen më tej se “nëse gjithçka shkonte mirë atëherë kanceri do të zhdukej plotësisht.”

OLIVOTTO: LUKA REAGOI KEQ MENJEHERE PAS INJEKTIMIT TE SODES SE BUKES
Sipas Olinto Olivottos, djali i tij Luka, shfaqi gjendje të rënduar shëndetësore menjëherë pasi në trupin e tij u injektua soda e bukës. Ai thotë se me një qetësi të madhe mjeku italian i shpjegoi se kjo situatë ishte normale dhe se pacienti mund ta përballonte. “Kurimi i Lukës ka nisur më 14 tetor, të hënën në mbrëmje. Me anë të një lënde që shkonte deri në pjesën e trurit vendosej edhe doza e sodës së bukës rreth 400-450 mililitra. Luka ka reaguar menjëherë duke shfaqur ndryshime. Shenja e parë që ka dhënë Luka ka qenë një vjellje e menjëhershme dhe aty mjeku ka ndërprerë kurën duke i shpjeguar familjarëve se kjo është normale dhe se trupi i Lukës mund ta përballonte kurën. (Mjeku shpjegoi mjaft i qetë)”, tha zoti Olivotto.

Babai i pacientit italian, 27-vjeçarit Luka Olivotto, tregon më tej se gjendja e djalit të tij u përkeqësua aq sa kaloi në paralizë. “Më pas Luca pati paralizë, nuk fliste më 4-5 orë më vonë. E gjithë pjesa e krahut të djathtë u paralizua, nuk kishte më mundësi të fliste. Fjalët e fundit të Lukës: Është gjithçka në rregull!”, tregon i përlotur për emisionin URBANIKA, zoti Olivotto.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 27 Janar, 09:30

    A mendoni se vota e diasporës do të jetë përcaktuese në zgjedhje?



×

Lajmi i fundit

New York Times: Vuçiç 'sakrifikoi' kryeministrin që të fitojë kohë

New York Times: Vuçiç 'sakrifikoi' kryeministrin që të fitojë kohë