Dëshmitë e publicistit nga Franca: Teksa bisedonim me profesor Xhaxhiun dhe mikun nga Italia, te Hotel ‘Adriatiku’ në Vlorë, pas nesh ishte Operativi i Sigurimit, i cili na...

Dëshmitë e publicistit nga Franca: Teksa bisedonim me profesor Xhaxhiun dhe mikun nga Italia, te Hotel ‘Adriatiku’ në Vlorë, pas nesh ishte Operativi i Sigurimit, i cili na...

Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka?

Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit?  Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të?

Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?!  Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi.

Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!

KRONIKE PROVINCIALE

Si qytet i vjetër port, Vlora, kish pasur në shekuj kontakte të shpeshta me të huajt. Shkëmbimet tregtare me mbarë vendet e pellgut të Mesdheut, kishin qenë të rregullta e të natyrshme. Edhe vetë koncepti i njerëzve mbi kufijtë, doganat e vajtje-ardhjet në vende të ndryshme, si në Itali, Greqi, Turqi, Maltë, Egjipt, Tunis, Francë e gjetkë, pat qenë jo vetëm veprim por edhe një nocion më se i zakonshme e tipik europian.

Por, fill pas Luftës së II-të Botërore e instalimit të komunistëve në pushtet, shkëmbimet me perëndimin u prenë brutalisht. Përsa i përket vendeve të lindjes, edhe me to, fillimisht, kontaktet qenë pothuajse inegzistente. Por, pas një periudhe të shkurtër heshtje, në port mbërritën anijet e para jugosllave, të cilat më shumë morën se sa sollën. Pastaj, ndodhi divorci me Titon. Përsëri pasoi një periudhë shkretie. E pas saj, sërish erdhën miq të rinj…!

Në port mbërritën detarët e Bashkimit Sovjetik. Me anije ushtarake e tregtare. Me emrat e shkruara me germa cirilikë: “Leningrad”, “7 november”, “Vollga”, “Mir”, “Moskva”, “Odesa” etj. Porti i Skelës, rrugët e sheshet e qytetit, nisën të popullohen nga rusët. Ata mbanin emra, të cilët më pas, shumë shqiptarë do t’u a vinin fëmijëve të tyre: Natasha, Ivan, Katjusha, Larisa, Çapajev, Vladimir, Aljosha…!

Rusifikimi i vendit kish nisur. Në kinema shfaqeshin vetëm filma sovjetikë. Në librari shiteshin lirë, revista e libra nga atdheu i Stalinit. Në bar-lulishte e mbrëmje vallëzimi, luheshin këngë e pjesë ruse. Pothuajse çdo i ri apo e re, mbante korrespondencë me një djalë a vajzë nga Bashkimi Sovjetik. Ishin vitet e miqësie së pavdekshme. Pastaj, ndodhi ajo që s’mendohej kurrë. Prishja e madhe. Pasha-Limani u boshatis. Anijet dhe ekuipazhet sovjetike ikën. Porti i Vlorës u shkretua përsëri.

Në vitet që pasuan, në Ujin e Ftohtë, nisën të duken tek-tuk cisterna që vinin për të marrë naftë bruto. Ishin anije bullgare, polake, gjermano-lindore e, nga një herë edhe panameze e malteze që punonin për llogari të kompanive ndërkombëtare. Po, ndryshe nga paraardhësit, detarët e tyre nuk dilnin më në sterré.

Autoritetet portale, nxirrnin një mijë e një pengesa, për t’i ndaluar vizitat e tyre në qytet. Më pas, ai rregull u bë i prerë e kategorik. Për detarët që donin të pinin ndonjë gotë, të blinin cigare a ndonjë souvenir, Albturizmi hapi brenda molit një bar të vogël, frekuentimi i të cilit s’lejohej për shqiptarët.

Porti nisi të ruhej me ushtarë të armatosur. Rreth tij u ngritën mure të lartë e u vendosën tela me gjemba. Çdo kontakt me të huajt u ndalua rreptësisht. Për brezat që erdhën, ajo gjendje ndarje e izolimi, dalëngadalë u shndërrua në diçka tepër normale. Diçka që s’ngjallte asnjë lloj habie. Paskish qenë shkruar që të jetonin të ndarë nga bota. Diku, në një cep të humbur të Ballkanit, të vetmuar, fillikat…!

E, papritmas, pas shumë vitesh, porti u gjallërua përsëri. Kësaj here, me anije që vinin nga larg. Nga shumë larg. Me detarë të një race tjetër, të cilët njerëzit i shihnin për herë të parë. Ata vinin nga vende të reja mike. Nga Kina, Vietnami, Koreja, Kuba…! Anijet e tyre sillnin vazhdimisht grurë e vetëm grurë. Thuajse, në Shqipëri, tokat ishin tharë e bërë gur, e vendin e kish pllakosur uria e madhe.

…Pastaj, aty nga fillimi i viteve ’70-të, sidomos gjatë verës, në qytet nisën të mbërrinin tek-tuk autobusë me turistë të huaj të cilët ndalesën e parë e bënin para hotelit “Adriatik”. (Gjatë Luftës, godina e tij kish qenë rezidencë e pilotëve italianë. Ajo kish shpëtuar për mrekulli pa u hedhur në erë me eksploziv nga gjermanët, ndërkohë që ata po braktisnin qytetin në tetor 1944).

Përgjithësisht, grupet turistike vinin gjer në Fier, e pastaj, vazhdonin drejt qyteteve të Gjirokastrës e Sarandës, duke kaluar nga Ballshi e Tepelena. Vlora e bregdeti i Himarës, zonat më të bukura të rivierës, qenë fshirë nga harta e Albturizm-it për shkaqe strategjike. Së pari, sepse në Pasha-Liman ndodhej baza më e madhe ushtarake në Shqipëri, kështu që qyteti duhej të qe sa më larg kontakteve me të huajt. E, së dyti, sepse në Porto-Palermo, kinezet po ndërtonin një tjetër bazë detare për strehimin e nëndetëseve e katrave siluruese.

Qe kjo arsyeja pse, prania e një grupi turistik apo e dy-tre të huajve për Vlorën e atyre viteve, ish një eveniment i rëndësishëm. Kështu, kur në Sheshin e Flamurit a në Ujë të Ftohtë, ndodhte të ndalej ndonjë autobus me turistë, ajo qe ngjarja e ditës. Brenda disa orësh, në lagje të ndryshme të qytetit, njerëzit kalonin gojë me gojë e me shpejtësi lajmin: “E morët vesh…? Sot kishin ardhur ca të huaj. I pamë në Sheshin e Flamurit…! Te Monumenti i Pavarësisë…! Lart në Kuz-Baba…!

…1974”!

Një mbas dite shtatori, teksa po ngjisja shkallët e hotel “Adriatiku”-t, që nga veranda e tij e cila shërbente njëkohësisht si bar-bufe, dëgjova që dikush më thirri në emër. Qe profesori im i dikurshëm i letërsisë antike greko-romake, Muzafer Xhaxhiu. Njeri me kulturë, i sjellshëm, me shpirt sensibel e poetik, ai kish lenë mbresat më të mira jo vetëm tek unë, por edhe në breza të tëra studentësh të fakultetit histori-filologji.

Mbasi u përqafuam, ai më ftoi të ulesha në tavolinë, aty në një kënd të verandës ku vareshin lule bugenvili. Por, profesor Xhaxhiu, s’qe vetëm. Me të qe edhe një person tjetër të cilin, me shikim të parë, e mora me mend se ishte i huaj. E vërtet, pranë tij qe një poet arbëresh i ftuar për vizitë në Shqipëri nga Lidhja e Shkrimtarëve. Siç më shpjegoi profesori, ata s’kishin pak që kishin ardhur nga Fieri, sepse në hotel “Apollonia”, s’kishin mundur të gjenin dy dhoma të veçanta fjetje.

 “Ata të administratës së Lidhjes kanë bërë një budallallëk – më rrëfeu profesori në konfidencë – Në vend të prenotonin dy dhoma, kishin porositur vetëm një. Kështu që vendosa të vij në Vlorë edhe pse, kjo lëvizje, nuk është përfshirë në programin e itinerarit e konsiderohet ‘shkelje’…”!

Profesor Xhaxhiu shoqëronte jo rrallë herë të huaj. Pikërisht, lidhur me këtë fakt, në një prej librave të tij, reporteri  francez Jean Bertolino, tregon:

 Në pjesën më të madhe të udhëtimeve të mia më shoqëronte si përkthyes, Muzafer Xhaxhiu, një burrë me pamje të dashur, profesor i letërsisë antike në Universitetin e Tiranës. Njeri i butë e ndofta pakëz i trembur, Xhaxhiu është i pasionuar pas letërsisë franceze, të cilën çuditërisht e ka studiuar në Moskë gjatë viteve 1950-1951, atëherë kur Stalini e mbante Bashkimin Sovjetik brenda grushtit të tij të hekurt…! Gjatë pushtimit fashist, M. Xhaxhiu nuk ka qenë partizan, e më pas, as edhe anëtar i Partisë së Punës. Kështu që, ai është i privuar nga titujt honorifikë që u janë dhenë militantëve të Luftës Nacional-çlirimtare. Megjithatë, Xhaxhiu është i njohur, sepse është poet me emër në Shqipëri…”!

Pas pak erdhi kamerieri. Që të tre porositëm nga një limonadë të ftohtë. Garsoni, një djalë i gjallë e i qeshur, nuk vonoi e për pak sekonda na serviri mbi tavolinë, tri gota të mbushura me një lëng të trashë ngjyrë violetë. “Kjo është limonada”? – pyeti i habitur poeti arbëresh. Qeshëm. E kuptuam çudinë e tij. Në fakt, në gota, kish thjesht lëng kumbullash. U ngrita e shkova në banak për të pyetur në se kish limonadë të vërtetë.

 “Jo, s’kemi”! – u përgjigj ftohtë, banakierja. Në Vlorë, në atë sezon, qe vërtet një mrekulli të gjeje limonë në treg, paçka se klima e saj qe tipike mesdhetare. U ktheva te tavolina e u thashë se bari nuk dispononte limonadë të vërtetë, (me lëng limoni). Poeti arbëresh s’foli, ndërsa Xhaxhiu buzëqeshi trishtueshëm. Vazhduam bisedën duke kujtuar shokët e dikurshëm të fakultetit, shumë prej të cilëve profesori u mbante mend edhe emrat. Pastaj, folëm për letërsinë, autorët arbëreshë e disa libra të tyre që ishin botuar edhe në Shqipëri.

Në bisedë e sipër, ashtu kot, hodha një vështrim përreth verandës. Në njërën prej tavolinave përbri, pashë fytyrën e njohur të një operativi të Sigurimit. Nuk e kisha venë ré më parë e, të them të drejtën, prania e tij ma prishi gjakun. Në fakt, e dija se, sa herë që në hotel vinin të huaj, aty ndodhej i pranishëm për survejim dhe ndonjë prej tyre. Mendova se, në ato rrethana, do bëja mirë të largohesha. Përse t’i hapja telashe vetes për hiç gjë?

I kërkova ndjesë profesorit duke nxjerrë një pretekst fare banal.

– “Edhe ne do të bëjmë një dush e pastaj do zbresim për të ngrenë darkë” – tha sjellshëm profesor Xhaxhiu. U ngritëm e shkuam së bashku gjer në sportelin e hotelit. Me marifet, pashë mbrapa me bisht të syrit. Fill pas nesh u ngrit edhe miku i Sigurimit. U përshëndetëm edhe një herë, por pa u zgjatur, sepse kthina e ngushtë e recepsionit qe mbushur plot e përplot me kinezë, të cilët prisnin në radhë duke mbajtur përreth tyre valixhe, borseta e çanta pa fund./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tani: 16/10/2022 10:57

    si gjithmon dalin injorant dhe bejn shkrime pavler

    Përgjigju
    • pirro: 17/10/2022 15:19

      sakte

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Sudja e plakur ulërin nga maja e pallatit e sudja e re vjen vërdallë' Rama sulmon Berishën e Topallin: Për këta Shqipëria s'do kishte kurrë reformën në drejtësi

'Sudja e plakur ulërin nga maja e pallatit e sudja e re vjen vërdallë' Rama sulmon Berishën e Topallin: Për këta Shqipëria s'do kishte kurrë reformën në drejtësi