Më 16 tetor 1973, ndërkohë që e gjithë bota ndiqte me vëmendje konfliktin e përgjakshëm në Lindjen e Mesme, midis Izraelit dhe vendeve arabe, e njohur ndryshe si “Lufta e Yom Kippur”-it që zgjati një muaj, udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, sekretarët e Komitetit Qendror të PPSH-së, Hysni Kapo dhe Ramiz Alia, priste një grup ushtarakësh të lartë nga Ministria e Mbrojtjes Popullore, të cilët kishin shkuar në vilën e tij në qendër të “Bllokut” të udhëheqjes, për t’i uruar ditëlindjen. Gjatë fjalës së tij, pasi u uroi mirëseardhjen, udhëheqësi komunist Enver Hoxha, u foli atyre për situatën në arenën ndërkombëtare, ku në qendër të vëmendjes ishte konflikti i armatosur në Lindjen e Mesme.
Sa më sipër bëhet e ditur nga një dokument arkivor, i nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, ku midis të tjerash në bisedën me ushtarakët e lartë, Enver Hoxha ka folur mbi rolin e superfuqive (SHBA-ës dhe Bashkimit Sovjetik), në konfliktin e Lindjes së Mesme, duke u ndalur në rëndësinë strategjike të naftës arabe. Në atë periudhë kohe (tetor 1973), Shqipëria komuniste ndodhej në një fazë të rëndësishme të politikës së saj të jashtme, pasi kishin filluar krisjet e para me Republikën Popullore të Kinës të udhëhequr prej Mao Ce Dunit, pas vizitës në Pekin të Presidentit të SHBA-ve, Richard Nikson, gjë e cila do ta çonte në infinit izolimin e Tiranës zyrtare, nga e gjithë bota.
Në atë takim i cili zhvillohej në një moment tensionesh të larta në arenën ndërkombëtare, Enver Hoxha në fjalën e tij fokusohet edhe “në unitetin e ushtrisë me partinë, duke analizuar rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë dhe qëndrimin e shtetit shqiptar ndaj ndërhyrjeve të superfuqive në konfliktet rajonale”. Fjala e tij, mbetet një dëshmi e rëndësishme e gjuhës politike të asaj kohe dhe strategjisë diplomatike të Tiranës zyrtare, ku udhëheqësi kryesor i saj, Enver Hoxha, rreket të interpretojë krizat ndërkombëtare, duke e paraqitur Shqipërinë si një “ishull parimor në një det intrigash imperialiste”! Për më shumë na njeh dokumenti në fjalë, të cilin Memorie.al po e publikon të plotë, në kuadrin e ngjarjeve që po ndodhin aktualisht në Lindjen e Mesme.
DOKUMENTI ARKIVOR I TAKIMIT TË ENVER HOXHËS ME NJË GRUP USHTARAKËSH TË MINISTRISË SË MBROJTJES, I ZHVILLUAR NË SHTËPINË E TIJ, KU NDODHESHIN EDHE HYSNI KAPO E RAMIZ ALIA
“PARTIA NA MËSON TE PUNOJMË, TE KRIJOJMË, TE VIGJILOJMË EDHE TE MBROJMË”
Nga biseda me një grup ushtarakësh
16 tetor 1973
Mirë se na erdhët, shokë, faleminderit për vizitën.
Jam shumë i kënaqur që piqemi. Jua shpërblefsha në gëzime. Nderimi që më bëni ju, i takon Partisë sonë heroike, që na edukoi dhe na kaliti, që na mësoi e na mëson çdo ditë si të luftojmë dhe të punojmë vazhdimisht e më mirë, për interesat e lartë të popullit tonë trim.
Prandaj, edhe jetën tonë ne ia kushtojmë asaj, Partisë sonë të shtrenjtë. Kaq sa kemi bërë për popullin e mrekullueshëm të vendit tonë, është shumë pak. Sado të punojë njeriu, sado e gjatë të jetë jeta e tij, nuk mund të thuhet se ai e ka kryer plotësisht detyrën ndaj atdheut dhe popullit të vet.
Të gjithë ne jemi kurdoherë borxhlinj ndaj popullit që na lindi e na rriti, prandaj duhet t’i shërbejmë atij me besnikëri deri në vdekje. Siç e dini, rreziqet e jashtme dhe të brendshme që mund t’i kenë se Shqipërisë, nuk janë të pamundshme, prandaj Partia na mëson të punojmë, të krijojmë, të vigjilojmë dhe të mbrojmë. Në Lindjen e Mesme arabët po luftojnë kundër sionistëve, imperialistëve amerikanë dhe social-imperialistëve sovjetikë.
Të dyja superfuqitë imperialiste, duke u nisur nga interesat e tyre, po bëjnë gjithçka që popujt arabë të rrojnë në skllavëri, që pasuritë e tyre t’u shërbejnë imperialistëve amerikanë dhe sovjetikë, prandaj dhe lufta aktuale e ka burimin te lakmitë e tyre për të hedhur në dorë pasuritë e popujve arabë, të cilët duan të çlirohen e të jetojnë të lirë.
Shteti i Izraelit nuk është tjetër veçse një armë në duart e amerikanëve, kurse sovjetikët luajnë rolin pompës zjarrfikëse në luftën çlirimtare të popujve arabë, që janë zgjuar për të kundërshtuar kolonializmin dhe neokolonializmin.
Interesat e imperialistëve dhe aspiratat e popujve arabë po bien ndesh, po ballafaqohen në fushën e luftës. Mos harroni, shokë, se lufta zhvillohet këtu në pellgun e Mesdheut, afër nesh dhe flakët e saj mund të shtrihen edhe tej kufijve shtetërorë të palëve ndërluftuese.
Popujt arabë, pavarësisht nga shkalla e unitetit midis tyre, u bashkuan në luftë kundër armikut të përbashkët. Pra, është krijuar një situatë e favorshme për luftën e tyre, të cilën as amerikanët, as sovjetikët nuk e dëshirojnë.
Kjo gjendje revolucionare, po të vazhdojë, do të kontribuojë në forcimin dhe në kalitjen e unitetit arab në dëm të imperialistëve amerikanë dhe sovjetikë. Në luftë e sipër, këta popuj do të zbulojnë më mirë intrigat dhe komplote të armiqve, do të pasurojnë eksperiencën e rezistencës kundër tyre dhe do të fitojnë.
Në këtë luftë arabët do t’i njohin akoma më mirë miqtë dhe armiqtë e tyre dhe do të dinë të vlerësojnë më drejt ç’janë liria dhe pavarësia të fituara me gjak, me djersë e me sakrifica. Ky moment revolucionarë në Lindjen e Mesme ka tronditur gjithë botën kapitaliste.
Këtu nuk është çështja e humbjes së shkretëtirës së Sinait, por e interesave të mëdhenj të koncerneve kapitaliste të naftës. Nëntoka arabe ka 7 për qind të tërë rezervave të naftës në botë, pra, në raport me sipërfaqen e tokës, kjo është sasi e konsiderueshme.
Në qoftë se me këtë konflikt të armatosur do të pengohet furnizimi i naftës, imperialistët, të tërë me radhë, do të vihen në vështirësi. Ka shumë mundësi që në këtë luftë të ndërhyjnë imperialistët, bile mund të thuhet se ndërhyrja e tyre ka filluar.
Amerikanët po dërgojnë armatime për Izraelin, disa lajme thonë se pak armë po dërgojnë edhe sovjetikët për arabët. Sovjetikët në të vërtetë nuk duan t’i ndihmojnë fare arabët, se interesat e tyre të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë më të mëdhenj, prandaj nuk duan të ballafaqohen me to, por janë gjendur ngushtë para opinionit publik botëror e, s’kanë çfarë të bëjnë.
Kuptohet se në këto kushte fatet e luftës varen nga rezistenca e vetë arabëve. Ne, siç e dini, kemi qenë dhe do të jemi në anën e popujve arabë dhe të të gjithë popujve të tjerë që luftojnë për liri dhe pavarësi. Sa më të fortë, vigjilentë, të armatosur dhe të përgatitur për mbrojtje të jemi, aq më tepër ndihmohen miqtë tanë.
Ne jemi vend i vogël, por me ato mundësi që kemi, i përkrahim pa rezervë miqtë. Kur është puna për të mbrojtur atdheun e miqtë tanë, ne askujt nuk ia kemi frikën, përkundrazi armiqtë na tremben, jo pse ne kemi raketa dhe mirazhet, por sepse kemi armë ideologjike, që sqarojnë opinionin botëror.
Këto armë janë më të forta e bëjnë shumë më tepër efekt nga ç’bëjnë raketat dhe mirazhet. Këtu qëndron arsyeja e dashurisë dhe e respektit të madh që kanë popujt e botës për Shqipërinë. Në vendet arabe, si në të gjitha vendet e tjera të globit tonë, e kanë në gojë Shqipërinë për qëndrimin e saj të drejtë e parimor ndaj ngjarjeve ndërkombëtare.
Unë dhe shokët e mi të pranishëm, Hysniu e Ramizi, ju falënderojmë shumë për vizitën që na bëtë ju, shokë të dashur të luftës, oficerë të ushtrisë sonë të lavdishme. Këtu midis jush ka edhe veteranë, që kanë dalë në pension, por të tërë ne jemi një, se nga lufta kemi dalë.
U transmetoni të gjithë shokëve, ushtarë, oficerë, nënoficerë dhe veteranë të Ushtrisë sonë Popullore, përshëndetjet tona më të zjarrta, urimet më të mira të Partisë dhe të Komitetit të saj Qendror. Ju ftoj ta ngremë një dolli për Partinë tonë të lavdishme dhe për ushtrinë tonë trime! Të rrojë Partia! / Memorie.al
Komente










