TIRANE- Mungesa prej 3 minuta e 53 sekonda e dëshmitarit të prokurorisë në vendin e ngjarjes si dhe disa dëshmi kontradiktore të dhëna prej tij dhe bashkëshortes, i kanë mjaftuar Gjykatës së Krimeve të Rënda, për tu bindur që të shpallin të pafajshëm të pandehurin Arben Frroku.

Gazeta “Shqiptarja.com” vijon zbardhjen e plotë të vendimit prej 101 faqe që i dha pafajësinë biznesmenit Frroku, ku sot botohen dëshmitë që sipas gjykatës kanë qenë kontradiktore dhe të paqarta. Edhe dëshmitari tjetër, ish-gardisti ka treguar se nuk ka pasur dijeni për vrasjen e Lamaj dhe se për këtë ngjarje nuk ka pasur asnjë takim me dëshmitarin Fatmir Vladi, dhe dy policët Tonin Vocaj e Agron Kuliçaj.

Ish-efektivi i Gardës së Republikës momentalisht rezulton i ikur jashtë shtetit dhe që është proceduar nga prokuroria e Tiranës për akuzën e “Dëshmisë së rreme”, ka qenë njeriu i parë që ka ndryshuar dëshminë.