TIRANË - 4 orë debate mes mazhorancës dhe opozitës në Këshillit e Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit ka përfunduar pa sukses. Palët do të vazhdojnë sot përsëri përpjekjet për të kapur afatit e 6 marsit si data e fundit ligjore për të përfunduar aktet. Molla e sherrit ka qenë formulari i vetëdeklarimit, ku PD insiston të përfshijë arrestimin si pikë që shkakton ndërprerjen e mandatit, apo pengon kandidimin apo emërimin në poste publike. Për mazhorancën, kjo qasje është antikushtetuese, pasi kalon mbi ligjin. PD deklaroi se mosmiratimi i kësaj pike cenon thelbin e gjithë ligjit të dekriminalizimit. Pyetja që ndan palët, është ajo që saktëson përmbylljen e formularit.

*****

PD kërkon që zyrtari të pyetet “A jeni arrestuar ndonjëherë?”, duke legjitimuar kështu ndërprerjen e mandatit apo funksionit të zyrtarit që në momentin që mund të arrestohen, pa u dhënë mundësinë kushtetuese të gjykimit. Formulari i paraqitur dje nga socialistët përmban një pyetje tjetër: “A jeni dënuar me vendim të formës së prerë nga ndonjë gjykatë?” Demokratët kanë dy rezerva mbi propozimin e socialistëve: formularin e vetëdeklarimit dhe institucionin përgjegjës për verifikimin e të dhënave në këtë formular vetëdeklarimi.

PD i qëndron bindjes se verifikimin duhet ta bëjë këtë vetëm nga prokuroria dhe jo nga institucioni përgjegjës, “Verifikimi i drejtpërdrejtë nga institucionet dhe në këtë rast është prokuroria, është një element kyç i ligjit. Heqja e këtij elementi heq gjysmën e mekanizmit verifikues që ka ligji, pra e cungon dhe e bën jo efektiv ligjin”, deklaroi përfaqësuesi i demokratëve në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi. Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla mbrojti propozimin e vet duke deklaruar se ai shmang shkeljen e Kushtetutës. Në përfundim të mbledhjes, palët thanë se nuk kishin rënë dakord. Taulant Balla tha pas mbledhjes, se maxhoranca është kundër shtimit të çështjeve që tejkalojnë ligjin.

“Më 17 dhjetor kemi miratuar ligjin dhe sot duhet të miratojmë një akt nënligjor. Nuk mund të shtojmë çështje që tejkalojnë ligjin. Formulari është aneksi i projekt vendimit, sot diskutuam projektvendimin. Duhet ti qëndrojmë strikt ligjit. Duhet të kemi një formular të përbashkët. Palët ndahen tek formulari i vetëdeklarimit. Aktet nënligjore nuk mund të tejkalojnë ligjin” u shpreh Taulant Balla pas takimit të Këshillit të Mandateve që ka theksuar se debatet do të vazhdojnë sot përpara seancës së parlamentit.

Ndërkohë, Oerd Bylykbashi deklaroi se maxhoranca po vijon tentativat që të nxjerrë nga binarët ligjin e dekriminalizimit dhe se deri tani nuk është arritur asnjë dakortësi për projektvendimin në fjalë. “TU mundua maxhoranca që ti hidhte hije dyshimi për antikushtetueshmëri ndaj akteve. Kjo çështje u tërhoq. Nuk ka dakortësi për aktet nënligjore që duhet të miratohen nesër. Nëse kjo tentativë do vijojë, ne jemi përpara një situate mjaft të rëndë” u shpreh Bylykbashi.

Xhafaj: Partitë nuk mund të dalin mbi Kushtetutën
Deputeti Fatmir Xhafaj ka thënë se, vullnet i partive nuk mund të dalë mbi kushtetutën. Ai ka shtuar se Kuvendi ka ngritur një grup pune, pasi Këshilli i Mandateve e Rregullore është një këshill konsultativ dhe nuk ka të drejtë të marrë vendime. Prokuroria, sipas tij, është organi kyç zbatues. ”Shikoj vendimet dhe të dy keni gjetur bazën ligjore  pikën 1, neni 78 e Kushtetutës. A është kjo dispozita e përshtatshme që mund të na lejojë ne të marrim një vendim të kësaj natyre në Kuvendin e Shqipërisë? Konsensusi është i rëndësishëm, por një konsensus që del mbi Kushtetutën dhe ligjin nuk besoj që është konsensusi që do duhet. Vullneti i partive nuk është mbi vullnetin e Kushtetutës dhe ligjit”-tha Xhafaj, kreu i komisionit të ligjeve.
 
Meta: Të ecim përpara, të gjejmë konsensusin
Kreu i Kuvendit, Ilir Meta u bëri thirrje palëve për gjetjen e konsensusit, dhe tha se këtu nuk ka asnjë alibi për bllokimin e procesit. “Nëse opozita mendon se nuk ka asnjë problem kushtetues dhe kundërvënie ligjore për zbatimin e këtij ligji ne të ecim përpara, të arrijmë konsensusin për të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim korrekt dhe strikt të ligjit dhe të vazhdojmë punën. Për të evituar çdo lloj dyshimi se këtu ka një alibi për të penguar dhe zvarritur procesin”-tha Meta. Sakaq, deputeti i Partisë Demokratike, Eduart Halimi u shpreh se, maxhoranca nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndonëse për dekriminalizimin u investua gjithë Brukseli. Në mbledhje janë bërë akuza të ndërsjella për çështjen e ligjit të dekriminalizimit.

Precedenti, PD kapet pas rastit “Prenga”, kërkon përfshirjen e mendimeve
Edhe gjatë ditës së djeshme, PS dhe PD nuk kanë rënë dakord për të përfshirë amendimet e opozitës në ligjin e dekriminalizimit, që do të përjashtonin Armando Prengën nga parlamenti, pas arrestimit për ngjarjen e shkëmbimit me armë në Laç.  Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se PD ka këmbëngulur që të përfshihen menjëherë amendimet e saj të bërë për rastin “Prenga” dhe në këtë kontekst të përshpejtohet votimi në seancë.

Mazhoranca nuk pranon amendimet e PD-së, menjëherë sapo u miratua ligji, teksa ka shprehur vullnetin e përshpejtimit të punës për procesin e miratimeve të akteve nënligjore. Konferenca e Kryetarëve pritet të mblidhet ditën e sotme para seancës plenare për të marrë në shqyrtim kërkesat e palëve dhe për t’u shprehur mbi to, sikundërse do të mblidhet edhe Këshilli i Mandateve.

PD kërkon futjen e saj në rendin e ditës, por paraprakisht kjo nuk është pranuar nga PS. Pritet vendimi që do të marrë Konferenca e Kryetarëve, në kushtet kur opozita është angazhuar për të bllokuar seancën plenare, dhe moslejimi i votimit të tyre, mund të përbëjë një kauzë për Partinë Demokratike. Partia Demokratike depozitoi javën e shkuar në Kuvend dy iniciativa ligjore për dekriminalizimin dhe komisionet hetimore parlamentare. Propozimi demokrat për dekriminalizimin, parashikon përjashtimin nga politika për funksionarët dhe të zgjedhurit kur ata arrestohen në kushtet e flagrancës të krimit kundër jetës dhe shëndetit.