PRISHTINË, 24 Janar/ATSH/.- Një operacion i hetuesve anti-drogë nga qendra, që duhej të zhvillohej të premten gjatë natës në veri të Mitrovicës, ka dështuar, ndërsa shkak është bërë vetë Policia e Kosovës në veri, e cila ka penguar kolegët e tyre nga Prishtina, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it.
Sipas këtyre burimeve, hetuesit policorë të njësitit anti-drogë nga Prishtina, kanë pasur informacion se droga që kishte hyrë nga Serbia në Kosovë, do të dorëzohej në veriun e Mitrovicës. Por ata janë ndaluar nga pjesëtarët e policisë së Kosovës në veri. Edhe pse janë prezantuar dhe kanë ofruar dëshmi se janë kolegë, ata nuk janë lejuar të kryejnë punën e tyre, duke u detyruar të kthehen mbrapshtë.
"Tre hetues anti-drogë nga Prishtina me automjet zyrtar Land Rover ngjyrë e bardhë, janë ndaluar mbrëmë rreth orës 21:30 në sheshin Shumadija në veri të Mitrovicë nga policët veriorë. Pas rreth 15 minuta bisedime, ata ju kanë thënë kolegëve të tyre nga Prishtina se është urdhër i shefit të hetimeve rajonale për rajonin e veriut, Millan Ristoviq, që ata të mos lëvizin më në thellësi të qytetit dhe të kthehen mbrapsht", kanë thënë burimet.
Kosovapress-i ka provuar që në lidhje me rastin të kontaktoj ndonjërin prej përgjegjësve të policisë në veri, por asnjëri prej tyre nuk e ka hapur telefonin./m.m/











