TIRANË -  Mbledhja e ditës së djeshme e këshillit bashkiak të Tiranës, e thirrur nga të djathtët ka dështuar për të tretën herë në dy javë.

Kjo pasi ata nuk kanë numrin e duhur të këshilltarëve për të zhvilluar një mbledhje të rregullt të këshillit bashkiak, ata kanë vetëm 23 vota, kundrejt 32 që kanë të majtët.

Nënkryetari i këtij këshilli, Zamir Ndroqi ka kërkuar reflektim nga të mjatët dhe ti bashkohen mbledhjes pasi ka shumë çështje që kërkojnë zgjidhje. Ndërkohë që të majtët e zhvilluan mbledhjen e tyre të premten, dhe po ashtu u bëjnë apel të djathtëve që t’u bashkohen. Balancat në këshill janë prishur pas ndryshimit të aleancave, ku LSI i bashkoi votat me socialistët

Zv/kryetari i Këshillit Bashkiak, Zamir Ndroqi ka shprehur shqetësimin e tij me një letër publike për moszhvillimin e mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak, edhe pse qyteti ka emergjenca civile, siç është gjendja e banorëve të përmbytur të lumit të Tiranës.

“Duket se edhe sot mbledhja e Këshillit Bashkiak nuk është e mundur të zhvillohet, meqënëse nuk plotësohet kuorumi i nevojshëm prej më tepër se gjysma, pra 28 anëtarë të Këshillit Bashkiak. Do të kishim dëshirë të zhvillohej mbledhja, sipas rregullave dhe ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, thotë Ndroqi në letër.

Ai ka shtuar se "është e nevojshme për qytetin e Tiranës, për të gjithë qytetarët, votuesit tanë të të gjithë krahëve politikë që problemet e hallet e tyre të gjejnë zgjidhje nëpërmjet vendimeve të Këshillit Bashkiak, Bashkisë dhe Këshillit Bashkiak. Po ashtu, së fundmi çështje si përmbytjet nga vërshimi i lumit të Tiranës, edhe ato kërkojnë zgjidhje, do kenë nevojë edhe për zgjidhje ligjore. Do ishte mirë të gjendej një zgjidhje për këtë problem që ka mbetur në një ngërç dhe që mund të zgjidhet, sigurisht në bazë të ligjshmërisë dhe ligjeve në fuqi".

Sipas Ndroqit, traditë e popullit të Tiranës ka qenë mençuria, pjekuria, shqiptarizmi dhe ligjshmëria, për zgjidhjen e gjithë problemeve të ndërlikuara që kanë pasur. Edhe pas ’90, me problemet e ndërlikuara, populli i Tiranës i ka bërë thirrje ligjit dhe jo vetëgjyqësisë, për zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka pasur vetë populli i Tiranës. Gjithmonë ka reflektuar dhe i është drejtuar ligjit për zgjidhjet, asnjëherë në mënyrë jo ligjore.

Zv/kryetari i djathtë i Këshillit Bashkiak ka bërë thirrje, duke kujtuar se "ligji është është ligj, ne duhet të zbatojmë ligjet e rregullat, t’i përgjigjemi të gjithë zgjedhësve tanë për zgjidhjen e halleve e problemeve të tyre; shpresojmë që herën tjetër, të kemi një zgjidhje të këtij ngërçi që nuk shpjegohet, nuk ka pasur nevojë për ngutje, zgjidhje emocionale dhe jo të rregullta”.

Të premten e kaluar mbledhjen e Këshillit Bashkiak e thirrën të djathtët, mbledhje ku dha dhe dorëheqjen në mënyrë definitive ish-kreu Njazi Kosovrasi, por në mbledhje munguan të majtët. Ndërkohë, që të shtunën mbledhjen e thirrën të majtët, por aty munguan përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

Redaksia Online
(mag/e.b./shqiptarja.com)