Dështon për të tretën herë seanca në GJKKO për Inceneratorin e Elbasanit, shpallet në kërkim e akuzuara që duhet të ishte në ‘arrest shtëpie’

Ka dështuar për të tretën herë seanca në GJKKO për fillimin e gjykimit për Inceneratorin e Elbasanit. E pandehura Jonida Zeqo e cila hetohet nën masën e arrestit shtëpiak, nuk është gjetur në banesë ashtu si edhe në seancën e kaluar.

Në këto kushte, Klodian Braho kërkoi në gjykatë të Jonida Zeqo të shpallet në kërkim. Sipas gjykatës, Zeqo kishte dërguar një email në adresë të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku deklaronte se ishte në dijeni të procesit dhe se kërkonte gjykim të shkurtuar. Ky email nuk u mor parasysh nga trupi gjykues që deklaroi se Zeqo në këtë mënyrë po i fshihet drejtësisë.

Gjithashtu në seancë ka munguar edhe avokati Ardian Leka i cili mbron Klodian Zoton. Gjykata pezulloi afatet e paraburgimit për të pandehurit deri në seancën tjetër që u caktua në datën 5 maj. Jonida Zeqo, ish-anëtare e Komisionit për dhënien e koncesionit, akuzohet për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim.

Përfundimet nga hetimet e SPAK

Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka provuar se procedurën e dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, duke shkelur kështu ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike.

Gjithashtu SPAK bën me dije se nga hetimet është provuar fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncensionit, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncensionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.

“Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) proçedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, njofton Prokuroria e Posaçme (SPAK).

Sipas prokurorëve veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.

“Lidhur me këto dy momente, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, i pandehuri Alqi Bllako në cilësinë e ish Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, si dhe të pandehurit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.

SPAK ka dalë në përfundim se ka mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se nga shoqëritë tregtare“Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar konçensionin)dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.

Sipas SPAK Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka përfituar rreth mbi 308 mln lekë nga shuma monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Kjo përbën një përfitim material të parregullt, që është marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Prokuroria e Posaçme thotë se Stela Gugalla, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

Sipas SPAK Lefter Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 21/04/2023 01:27

    Hera e dyte qe nuk e gjejne ne shtepi dhe akoma e lene ne /arrest shtepie/ dhe ka surrat e guxon te komunikoje me e-mail!! Cfare dreq gjykatesish e prokuroresh qenkan keta?! Hiqjani //arrest shtepie// dhe paralajmeroheni se nese nuk paraqitet fizikisht heren e trete,jo vetem qe do te kaloje ne burg pa afat,sepse ka dhene prova arratisjeje, rrezikon te shpallet e kerkuar ne faqen e Interpolit,por dhe mund t'i hiqet e drejta per gjykim te shkurtuar.

    Përgjigju
  • Argati: 20/04/2023 10:23

    Pyetne Edvin shkjaun do u tregoj se ju është Jonida….!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'