ORA 12:00 – PATOZI: RAMA BËN PRESION
Kryetari i grupit kuvendor demokrat e ka cilësuar të dështuar takimin me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. Sipas tij, Ruçi dhe Tahiri paraqitën në takim platformën editoriale të kryesocialistit Rama.
“Kemi hyrë në proces për një president sa më konsensual. U kemi bërë të qartë se në rast se do kenë të njëjtin qëndrim si ne, atëherë rriten shanset. Por, nëse ecin me editorialin e Ramës atëherë janë të dështuar. Pas kësaj të papriture që ndodhi ne do mbajmë të hapur portën e dialogut. Por, kjo nuk bëhet as me ultimatume as me presione ballkanike”, tha Patozi për gazetarët.
Lidhur me kërkesat për miratimin e reformave Patozi u shpreh: “Kemi prirjen për të zgjidhur pikat e tjera nëse nuk do të ekzistonte bllokimi i Ramës”.
ORA 11: 45 MBYLLET TAKIMI, RUÇI: TE TAKOHEN KRYETARET
Kryetari i grupitn kuvendor socialist, Gramoz Ruçi tha pas takimit se demokratëve u është bërë një propozim konkret, i cili ka në themel të tij, një tryezë me kryetarët e 6 grupeve parlamentare.
Tryeza, sipas tij duhet të trajtojë 4 çështje të rëndësishme për integrimin.
1. Të finalizohet reforma zgjedhore
2. Të miratohet përfundimisht reforma parlamentare
3. Të finalizohet dhe miratohet formula për kufizimin e imunitetit për zyrtarët e lartë të shtetit
4. Ndërtimi i një procesi gjithëpërfshirës për zgjedhjen e dakordësuar të Presidentit të ri që në raundin e parë.
PD LAJMEROI DJE TAKIMIN
Lajmi u bë i ditur dje nga zëdhënësja e Partisë Demokratike, Silvi Bardhi, në një njoftim për shtyp.
“Të djelën në orën 11:00 do të takohen negociatorët e mandatuar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi dhe Edmond Spaho, me kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, për të negociuar për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit”, thuhet në një njoftimin e shkurtër që doli mbrëmjen e djeshme nga selia blu.
Në këtë takim Partia Socialiste do të përfaqësohet nga kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi, dhe n/kryetari i ketij grupi, Sajmir Tahiri. Takimi do të mbahet në Kryesinë e Kuvendit.
Kreu i grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi i kërkoi të premten përmes një letre publike, kreut të grupit të majtë në Parlament, Gramoz Ruçi që të nisnin negociatat për zgjedhjen e Presidentit. Në letrën e tij Patozi shkruante se “ne jemi të hapur të bisedojmë sa me shpejt për zgjedhjen e Presidentit.
Negociatat zyrtare për zgjedhjen e Presidentit nisën te premten me takimin e shefit të mazhorancës, Sali Berisha me aleatin e tij kryesor, kreun e LSI, Ilir Meta. As Meta dhe as Berisha nuk thanë emra për Presidentin e ri, por thanë se dialogu është në rrugë të mbarë. Po dje Berisha takoi dy aleatët e tjerë Mediun e Republikanes dhe Idrizin e PDIU.
Në përfundim të takimeve, Berisha tha se nuk do ta takoj Edi Ramën personalisht për zgjedhjen e Presidentit, pasi siç tha ai “ne kemi bërë marrëveshje të mëdha edhe pa u takuar”. Gjatë takimit me Metën, Berisha mësohet të jetë shprehur se “nuk ia fal Edi Ramës protestën e 21 janarit”.
Ndërsa lideri i majtë, Edi Rama, është shprehur se është gati të takojë Berishën, por duhet të pëcaktohen më parë modalitetet për zgjedhjen e Presidentit.
(aq/shqiptarja.com)