Destruktiviteti agresiv i opozitës politike

Destruktiviteti agresiv i opozitës politike

Lulzim Basha dhe Edi Rama

Ajo që ndodhi këtë të enjte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe jashtë saj, edhe një herë më shumë konfirmoi që në skenën e këtushme politike nuk janë të paktë njerëz - karrikatura, që paraqiten si liderë për të pretenduar të marrin në duar frenat e pushtetit dhe të krijojnë publik veçse me intriga, përplasje, fyerje dhe vulgaritete. Këto tipare që nuk kanë të bëjnë aspak me përmbajtjen e rolit të opozitës në një shoqëri demokratike, te ajo janë bërë lehtësisht të dukshme, kur kultura e saj politike është ”gërryer” deri në atë shtresëzim primitiv sa që çdokush mund të shohë se prej të qënit opozitë është e lejueshme çdo gjë.

Dhe ky destruktivitet agresiv i pakicës parlamentare shfaqet me të gjitha format pikërisht kur tashmë të gjithë qytetarët e këtij vendit e kanë kuptuar dhe ndjerë, se baza e përparimit të tyre është respektimi i parimeve humane dhe zhvillimi i procedurave demokratike, ngritja e një shoqërie civile dhe ripërtëritja morale e saj. Aq më tepër kur ekziston një shans i mirë që edhe çdo ”përplasje” brendashoqërore në Shqipëri të mund të vendoset përfundimisht drejt perspektivës perëndimore, çka shpresohet edhe nga kancelaritë e Brukselit, që Bashkimi Evropian i zhvilluar të rritet dhe fuqizohet më tej si hapësirë e paqes, e lirisë dhe e stabilitetit.

Por për t’u përfshirë edhe Shqipëria brenda këtij Unioni, që para 5 vjetësh janë përcaktuar një sërë reformash institucionale, ajo më kyçe e të cilave është Reforma në Drejtësi, që për një pjesë të politikanëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve është ”kafshatë që s’kapërdihet dot”. Kjo është edhe arsyeja kryesore që veçanërisht njerëz – karrikatura të opozitës parlamentare, pas sabotimeve dhe vonesave që shkaktuan për të deformuar këtë reformë të rëndësishme, tani reagojnë egërsisht për të përmbysur qeverinë dhe destabilizuar institucionet e shtetit, në kundërvënie të hapur me shumicën absolute të popullit dhe me kujdesjen mirëdashëse të aleatëve ndërkombëtarë për integrimin evopian të shqiptarëve.

Ajo që ndodhi këtë të enjte në sallën e Kuvendit të Shqipërisë dhe jashtë saj, kur opozita dështoi në kërkesën brutale për t’u shkarkuar Ministri i Brendshëm, sipas një skenari qesharak të përgatitur prej përfaqësuesish të saj, thjesht mund të shkaktonte vërtet keqardhjen e qytetarëve për këtë lajthitje, madje as nuk do të mallkoheshin shumica e rrjeteve sociale për talljet që po përhapin me këtë rast në adresë të liderve opozitarë. Mirëpo...çështja është shumë më serioze po të mbahet parasysh se edhe ndodhitë e djeshme, që do të gjejnë shumë shpejt zgjidhje ligjore, nuk janë raste të veçuara, por vazhdë e pandërprerë e një sërë planesh destabilizimi, deklaratash destruktive dhe veprimesh të dhunshme të opozitës politike. Për të freskuar kujtesën brenda pak rradhësh, mjafton të ndalemi shkurtimisht vetëm në disa ngjarje të kohëve të fundit.

*   *   *

Plot një vit më parë, më 18 maj të 2017-s u arrit një marrëveshje politike midis kryetarit të mazhorancës, Edi Rama dhe kryetarit de jure të Partisë Demokratike, Lulëzim Basha. Atëhere ky akt bëri bujë, jo vetëm se u arrit të bëhej papritur, në orë të vona nate, por edhe se për disa muaj me rradhë opozita u ngujua në një çadër të ngritur në mes të Tiranës, midis institucioneve të rëndësishme të shtetit, duke proklamuar që në reaksion ndaj qeverisjes së asaj kohe Partia Demokratike dhe aleatët e vegjël të saj të mos futeshin në zgjedhjet parlamentare të pritshme. Por ajo që i ”prishi mëndjen” Bashës dhe mentorit të tij, Sali Berishës, ishte një letër që këta nuk e publikuan, gjatë së cilës, kryetari i Partive Popullore Evropiane, Doull dhe Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Tusk i nxisnin të braktisej ajo çasër si kofini në kokat e deputetëve të djathtë, të ktheheshin këta në Parlament dhe të merrnte pjesë edhe e djathta në zgjedhjet e përgjithshme. Në të kundërt, nënshkruesit e letrës bënin me dije se do të njiheshin rezultaet e atyre zgjedhjeve qoftë edhe vetëm me pjesemarrjen e forcave politike të majta.

Ato çka përmbante marrëveshja midis Ramës dhe Bashës, praktikisht u shtuan dhe u zgjeruan me zemërgjerësinë e Partisë Socialiste: u krijua një qeveri tranzitore për të mbikqyrur fushatën elektorale, në përbërje të së cilës u zgjodhën nga krahu i djathtë jo 4 ministra – siç kërkoi Basha -, por 6 të tillë dhe zëvendëskryeministrja. Kur u shpallën rezultaetet e zgjedhjeve, që tashmë dihen, nga ministrat e Partisë Demokratike nuk u dëgjua ndonjë zë kontestues. Ndërsa, kur u konstituua Legjislatura e re dhe qeveria e dalë nga shumica absolute e anëtarëve të Kuvendit nga Partia Socialiste, Kreu i Partisë Demokratike nisi të buçiste, se rezultatet qenkeshin të manipuluara. Dhe, ashti si edhe Kryetares së re të LSI, qetësinë po ia prishnin ”fantazmat” e efekteve të mundshme të reformës në Drejtësi. Sipas tyre, situata kërkonte veprime të shpejta, për të rrëzuar qeverinë legjitime dhe për të zgjedhur një qeveri tranzitore, që do të duhej të funksiononte deri në zhvillimin e zgjedhjeve të reja, aty nga pranvera e 2018-s. Si do të mund të arrihej kjo?

Duke qënë ende në detyrë Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, si edhe disa vartës të tij në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, atëhere u shkëputën pjesë të përgjimeve që kishin siguruar organet ligjzbatuese italiane në Katania nga veprimtaria e grupit kriminal ’Balilaj’, ku përmendej edhe emri Saimir, si edhe blerja e ndonjë bizhuje për nënën e tij, nga një trio prokurorësh tropojanë iu kërkua Këshillit të Mandateve të Kuvendit që t’i hiqte deputetit dhe Ministrit të Brendshëm në atë, Saimir Tahiri, plotësisht imunitetin parlamentar, për t’u bërë e mundur kërkimi në Gjykatë e arrestimit të tij si masë sigurie. Zhvillimet e diskutimeve në atë organ të Kuvendit, ku prokurorët nuk paraqitën prova, por veçse ”dyshime të arësyeshme” (në shkelje apo cungim të parashikimeve të ndryshimeve të Kodit të Procedurës Penale, hyrë në fuqi më 1 gusht të vitit të kaluar) tashmë dihen mirë.

Mirëpo jo çdo gjë mbetej këtu. Plani i hartuar në zyrat e SHQUP-it dhe të LSI parashikonte që me ”tagrat” e Adriatik Llallës dhe të vartësve besnikë të tij të arrrestoheshin edhe kryetarët e dy prej bashkive më të mëdha të vendit, emrat e të cilëve po lakoheshin përditë e më shumë nga propaganda politike e opozitës. Në këto e sipër, liderët e kësaj të fundit parashikonin zgjatjen me çdo mënyrë të mandatit të të bindurit të tyre, Kryeprokurorit Llalla, të cilit po i afrohej fundit.

Por aty nga tetori apo nëntori i vitit të kaluar, kur Kryeministri Rama ndodhej në Bruksel, edhe Lulzim Basha thirret atje për një takim me drejtues të Partive Popullore Evropiane, gjatë të cilit, kryeati Doul dhe Prsidenti i Parlamentit Evropian, Tajani, i rekomanduan Bashës që për të zgjedhur zëvendësuesin e Llallës në mungesë të një shumice të ciluar prej3/5-sh të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë ishte rënë dakord edhe me kreun e mazhorancës që deri në krijimin e organeve të reja drejtuese të drejtësisë shqiptare (KLGJ, KLP etj.) të propozonte e djathta një Prokuror të Përgjithshëm, të Përkohshëm, në zbatim të një dispozite ligjore tranzitore.

Kur Basha u kthye në Tiranë dhe e informoi mentorin e tij për këtë sugjerim të aleatëve evropianë, reagimi kundërshtues ishte i menjëhershëm, deri edhe në kërcënimin e dorëzimit të mandateve, çka do ta fuste skenën politike të vendit në një kolaps edhe më të rëndë. Ndërkohë që kryetari i mazhorancës, Edi Rama i bëri opozitës 3-4 herë thirrje për të propozuar një kandidat për Prokuror të Përgjithshëm, të Përkohshëm, derisa në këtë post u zgjodh një profesioniste e ligjit me origjinë familjare të djathtë. Është e tepër të kujtojmë tani skenat e zgjedhjes së kësaj zonje aty nga fundviti i kaluar.

Por nuk mund të lihen pa përmendur edhe përpjekjet e ethëshme të liderve opozitarë për të bllokuar miratimin e paketës së plotë ligjore të reformës, 24 ligje të së cil kishin mbetur në sirtaret e Kuvendit. Pa folur pastaj për aktivizimin e të gjitha ”metastazave” që kishin mbetur së zgjaturi në organet e drejtësisë nga trupi i opozitës, në pengim të rrjetës së hedhur për të kapur ”peshqit e mëdhenj” të krimit dhe korrupsionit. Dhe kur këto ”metastaza” humbën zhdërvjelltësinë dhe nisën të atrofizoheshin, qetësia, etika apo finesa politike u trazua edhe më keq. Prandaj përpjekja e fundit për destabilizim, ajo e diskreditimit të Ministrit aktual të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, që mund t’i hapte oreksin opozitës për të shtuar vrullet drejt shkarkimit të tij, madje edhe të Kryeministrit, u stis nëpërmjet një skenari të destinuar të dështonte.

*   *   *

Në këto kushte, kur roli i opozitës politike në Shqipëri është vënë në pikëpyetje serioze, duke iu kundërvënë haptazi – sipas të gjitha sondazheve të ndërkombëtarëve - aspiratave të mbi 90 për qind të popullit për krijimin apo zbatimin e kulturës së ndëshueshmërisë dhe çeljes së bisedimeve të Shqipërisë me BE, nuk mund të mos shtrohet çështja e domosdoshmërisë së ripërtëritjes së forcave me orientim të djathtë, që veprimtaria e tyre të ketë si emërues të përbashkët qëndrimet politike konstruktive në të mirë të zhvillimit të vendit, në përqafimin e vlerave evropiane dhe në ndërmarrjen pa kompromis të të ashtuquajturave ”Kritere të Kopenhagenit”, të cilat kërkojnë nga çdo vend kandidat i Bashkimit Evropian, më së pari realizimin e një stabiliteti institucional, si garanci për rendin demokratik dhe ligjor. Nevoja e kësaj ripërtëritjeje theksohet edhe nga rezultatet e pyetsorëve të bëra në vendin tonë gjatë 5 muajve të fundit nga Fondacioni ”Konrad Adenauer” i CDU gjermane, që është edhe një nga asistuesit ndërkombëtarë kryesorë të Partisë Demokratike. Sipas këtyre rezultateve, referuar zgjedhjeve të ardhshme për pushtetin vendor, Partia Demokratike dhe aleatët e vegjël të saj rrezikojnë seriozisht të humbasin pothuajse të gjitha bastionet apo bashkitë që qeverisin aktualisht, madje duke u vënë në pikëpyetje edhe Shkodra. Dhe s’mund të ndodhë ndryshe.

Tek e fundit, një interpretim e përgjithshëm për rregullat bazë të mirëkuptimit midis forcave politike të ndryshem dhe sidomos midis tyre dhe elektoratit është kusht i domosdoshëm për fundkionimin e çdo shoqërie të kohës së sotme. Dhe, në bashkëjetesën shoqërore diskursi i vlerave i shërben vetë bashkëjetesës, që kërkon respekt dhe tolerancë madje edhe ndaj kundërshtarëve. Përvoja e vendeve të zhvilluara perëndimore e ka bërë të qartë tashmë se, kufijtë e tolerancës vendosen aty ku bëhet fjalë për diskursin e vlerave. Kush i vë në dyshim rregullat bazë të këtyre vlerave dhe nuk ofron konsensus rreth tyre jo vetëm që del jashtë proceseve politike, por edhe detyrohet t’u nënshtrohet ndëshkimeve të shtetit dhe të popullit.

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja