Detaje nga padia të 11 ish
zyrtarëve të lartë të burgjeve

RAPORTI I PLOTË I MINISTRISË SË DREJTËSISË MBI TË PADITURIT


TIRANË-
Lënda:Kallëzim penal ndaj 11 ish-zyrtarëve të lartë të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale
 
Ministria e Drejtësisë ka konstatuar se një ndër problematikat më të mëdha me të cilat ndeshet shërbimi penitenciar shqiptar është mosrespektimi nga ana e Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale, i procedurave ligjore të dhënies së lejeve të veçanta.
 
Si rrjedhojë e këtij shqetësimi, nën mbikqyrjen e Ministrisë së Drejtësisë, me urdhërin e Drejtorit të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, u ngrit grupi i punës për verifikimin e praktikave të dhënies së lejeve shpërblyese dhe të veçanta për të dënuarit dhe të paraburgosurit në të gjitha IEVP-të e vendit, për vitin 2013.
 
Nga analizimi i këtyre dosjeve, u konstatua se për periudhën e mësipërme janë dhënë gjithsej rreth 2500 leje shpërblyese dhe të veçanta. Nga numri total i lejeve të dhëna, të veçanta janë 404, ku 97 prej tyre, janë dhënë në kundërshtim të hapur me bazën ligjore me anë të së cilës rregullohet precedura e dhënies së lejes së veçantë në I.E.V.P-të e Republikës së Shqipërisë.
 
Gjithashtu konstatohet që pjesa më e madhe e këtyre lejeve të dhëna në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi, janë miratuar në periudhën Korrik, Gusht dhe Shtator të vitit 2013, konkretisht rreth 800 leje shpërblyese dhe të veçanta.
 
Në I.E.V.P Kosovë - Lushnje janë dhënë 55 leje të veçanta, nga të cilat 9 prej tyre janë dhënë në kundërshtim me nenin 15 të Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë Nr.7087, datë 10.09.2009 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese, apo të veçanta personave të burgosur”.

Gjithashtu konstatohet se për një të dënuar, gjatë kësaj periudhe, janë dhënë 7 leje (1 leje e veçantë çdo muaj) për shkak të sëmundjeve të ndryshme të familjarëve, të vërtetuara në të gjitha rastet nga raportet mjekësore të lëshuara nga të njëjtët mjek të shërbimit të ORL-së, të spitalit rajonal të Fierit.  

Në I.E.V.P Peqin janë dhënë 68 leje të veçanta, nga të cilat 41 prej tyre janë dhënë në kundërshtim me pikën ‘d’ të nenit 70 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.303, datë 25.03.2009, “Per miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, i ndryshuar, pasi ka mospërputhje mes afatit të lejes së propozuar nga Komisioni në raportin e përbashkët të sektorit ligjor, sektorit të sigurisë dhe atij të kujdesit social, me urdhërin e dhënë nga Drejtori i këtij Institucioni.    

Në I.E.V.P Rrogozhinë janë dhënë 123 leje të veçanta, nga të cilat 40 prej tyre janë dhënë në kundërshtim me pikën ‘d’ të nenit 70 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.303, datë 25.03.2009, “Per miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, i ndryshuar, dhe nenin 22 të Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë Nr.7087, datë 10.09.2009 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese, apo të veçanta personave të burgosur”, të cilët parashikojnë se leja e veçantë miratohet nga Drejtori i I.E.V.P, vetëm pasi të ketë marrë të paktën dy mendime pozitive në favor të miratimit të saj sipas raporteve të përgatitura nga Sektori Ligjor, Sektori i Sigurisë dhe Sektori i Kujdesit Social, kusht që në të gjitha praktikat e këtyre lejeve nuk është plotësuar. Gjithashtu konstatohet se edhe në këtë I.E.V.P, gjatë kësaj periudhe, janë dhënë disa herë leje të veçanta (4 deri në 5 leje) për disa të dënuar. 

Në I.E.V.P Korçë janë dhënë 3 leje të veçanta në kundërshtim me pikën ‘d’ të nenit 70 të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.303, datë 25.03.2009, “Per miratimin e Rregullores së Përgjithshme të Burgjeve”, i ndryshuar, dhe nenin 22 të Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë Nr.7087, datë 10.09.2009 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese, apo të veçanta personave të burgosur”, të cilët parashikojnë se leja e veçantë miratohet nga Drejtori i I.E.V.P, vetëm pasi të ketë marrë të paktën dy mendime pozitive në favor të miratimit të saj, sipas raporteve të përgatitura nga Sektori Ligjor, Sektori i Sigurisë dhe Sektori i Kujdesit Social. Në rastet konkrete nuk ka raport të përbashkët të këtyre tre sektorëve. Mungon gjithashtu edhe çertifikata e vdekjes së familjarit të të dënuarit. 

Në I.E.V.P Zahari-Krujë është dhënë 1 leje e veçantë në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë Nr.7087, datë 10.09.2009 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese, apo të veçanta personave të burgosur”, i cili parashikon se për lejet e veçanta që jepen në rastet e vdekjes së anëtarit të familjes, i burgosuri duhet të paraqesë tek drejtori i institucionit, ndër të tjera edhe çertifikatën e vdekjes së anëtarit të familjes së të burgosurit lëshuar nga autoriteti përgjegjës shtetëror apo vërtetimin nga mjeku i zonës përkatëse ku ka ndodhur vdekja. Këto kërkesa të kësaj dispozite në këtë rast nuk janë plotësuar. 

Në I.E.V.P Shënkoll-Lezhë janë dhënë 2 leje të veçanta në kundërshtim me nenet 12 dhe 13 të Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë Nr.7087, datë 10.09.2009 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese, apo të veçanta personave të burgosur”, pasi në kohën e dhënies së lejeve personi i sëmurë rëndë, pjesëtar i familjes së të dënuarit, kishte kohë që kishte dalë nga spitali. 

Në I.E.V.P Vaqarr është dhënë 1 leje e veçantë në kundërshtim me nenet 12 dhe 13 të Udhëzimit të Ministrit të Drejtësisë Nr.7087, datë 10.09.2009 “Për rregullimin e disa çështjeve që kanë të bëjnë me procedurën e dhënies së lejeve shpërblyese, apo të veçanta personave të burgosur”, pasi në kohën e dhënies së lejes personi i sëmurë rëndë, pjesëtar i familjes së të dënuarit, kishte kohë që kishte dalë nga spitali. 
 
Nga ky kontroll i kryer në të gjitha institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, vërehet se në të gjitha praktikat e lejeve të veçanta të dhëna në kundërshtim me aktet ligjore në fuqi, personat e dënuar që kanë përfituar leje të veçantë janë persona me rrezikshmëri shoqërore të lartë, pasi pothuajse në të gjitha rastet janë të dënuar për veprën penale të vrasjes (në format e ndryshme të saj). 
 
Ju informojmë se gjetjet e këtij kontrolli të kryer nga ana e SHKBB-së, i janë nënshtruar një analize ligjore të thelluar në përfundim të së cilës, u konstatua të elementëve të figurës së veprës penale të shpërdorimit të detyrës nga ana e drejtuesve të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale të mësipërme.
 
Për këtë qëllim krahas kallzimeve penale, për çdo rast mospërmbushje të rregullt të detyrës duke sjellë dëmtim të interesave të ligjshëm të shtetit, do të vihen në dispozicion të Prokurorisë i gjithë dokumentacioni me shkeljet ligjore përkatëse për të përfshirë në hetim çdo funksionar që ka abuzuar me detyrën.
 
Ndërkohë janë identifikuar të gjithë personat përgjegjës që kanë shpërdoruar detyrën nëpërmjet dhënies së lejeve në kundërshtim me ligjin për të cilët është bërë edhe kallëzimi penal:
 
Në IEVP LUSHNJË
 
 
*Ish-Drejtori i IEVP Kosovë, Shkëlqim Krasniqi
*ish-Përgjegjësi i Sektorit Ligjor Eris Bregasi
*ish-Përgjegjësi i Sektorit te Shëndetsisë Ardian Gjini
 
 
Në  IEVP Rrogozhinë
 
*ish-Drejtori i IEVP Rezart Tusha
*ish-mjeku Alban Haxhi
 
 
Në IEVP Peqin
 
*Ish-Drejtori i IEVP Saimir Hasalla
 
 
Në IEVP Fushë-Krujë
 
*ish-Drejtori i IEVP F-Krujë Grigor Prifti
*ish-Përgjegjësi i Sektorit Ligjor Saimir Leka
 
 
Në IEVP  Korçë
 
*ish-Drejtori i IEVP Koço Bello
 
 
Në IEVP Durrës
 
*ish-Drejtori i IEVP Denion Shëngjergji
*ish-Përgjegjësi i Sektorit Ligjor Dorian Oketa
 
Gjithashtu Ministria e Drejtësisë bën me dije se është vendosur që planifikimi i lejeve të mos jetë më një mujor, por të bëhet një vjeçar dhe në çdo rast leje do të njoftohet edhe policia e shtetit.
 
Po kështu në një data base të veçantë do të rregjistrohen të gjitha lejet e dhena nga çdo IEVP. Ndërkohë është ngritur një sistem raportimi ditor për çdo kërkesë dhe leje të miratuar.
 
Aktualisht i është kërkuar të gjithë I.E.V.P-ve të Republikës së Shqipërisë, që nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të dërgojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë një raportim ditor (24 orësh), të të gjitha lejeve shpërblyese dhe lejeve të veçanta të dhëna për të burgosurit që vuajnë dënimet penale në I.E.V.P-të e vendit.
 
Të gjitha këto masa synojnë nga njëra anë forcimin e kontrollit dhe përgjegjshmërisë dhe nga ana tjetër shmangien e praktikave abuzive dhe korruptive.
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve