Tre persona të maskuar dhe të armatosur grabitën pasditen e djeshme një bankë të nivelit të dytë në Laç. Policia ka shoqëruar 13 persona si dhe ka kontrolluar 11 banesa. Ndërkohë mësohet se shuma e grabitur nga filiali i bankës është 23 mijë euro. 

Policia deklaron se grabitja ka ndodhur në më pak se tre minuta, ndërsa autorët kanë qenë tre të maskuar dhe armatosur të cilët pasi kanë thyer xhamin e bankës, kanë hyrë brenda. Specialistë të bankës po punojnë për përcaktimin e shumës së parave të vjedhura. Report Tv siguroi dje videon e grabitjes së bankës ku në pamje dukej momenti i bastisjes së bankës nga tre persona të maskuar dhe armatosur, të cilët largohen me shpejtësi bashkë me qesen e parave.  

Grabitësit kanë shfrytëzuar mungesën e efektivëve të policisë në rrugët e Laçit pasi ndodheshin në festën e fundvitit në një restorant në Mamurras. Mendohet që autorët kanë qenë në dijeni të këtij fakti dhe kanë vepruar pa u shqetësuar.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com