Pesë vite më parë, në 10 qershor 2007, Shqipërinë e vizitoi për disa orë për herë të parë një president amerikan? Ju ishit Drejtor i Protokollit te Shtetit. Cilat ishin sfidat e organizimit te pritjes?
Detyra e Protokollit të Shtetit, mes të tjerash, është të koordinojë të gjitha strukturat dhe hallkat e shtetit për mbarëvajtjen e programit dhe drejtimin e një vizite të nivelit të lartë në Shqipëri. Është një detyrë shumë e vështirë dhe jashtëzakonisht delikate, kërkon përgjegjshmëri dhe angazhim të gjithanshëm. Për këtë vizitë, e para në llojin e saj, jo vetëm nga niveli, por edhe nga rëndësia politike për Shqipërinë, për shqiptarët, për të ardhmen e tyre dhe për rajonin, u angazhua në mënyrën më serioze i gjithë shteti. Me një urdhër të veçantë të Kryeministrit Berisha u ngriti një komision i posaçëm i kryesuar nga z/kryeministri ku merrnin pjesë ministra, z/ministra dhe titullatët e institucioneve të përfshira në organizimin dhe mbarëvajtjen e vizitës. Në takimet e shpeshta u diskutuan të gjitha detajet e kësaj vizite. Disa syresh, mund të përmend, vendosjen e një logoje të veçantë (një valëzim i ngjyrave të dy flamujve, shqiptar dhe amerikan, të kuqe, të zezë dhe blu në formën e shiritave në një sfond të bardhë), që shoqëroi të gjitha elementët protokollarë të vizitës: badge-t, shenjat e makinave, stilolapsët dhe mbajtëset e letrave që u prodhuan vetëm për këtë vizitë, kapelet dhe bluzat e ndryshme, billboard-et dhe flamujt e përmasave të ndryshme, etj. Edhe fëmijët që do të prisnin në aeroport Presidentin amerikan dhe Zonjën e Parë, veshjet e tyre popullore, me të drejtë u vendosën paraprakisht. Për këtë vizitë u vendos, në bashkëpunim me palën amerikane, edhe mesazhi politik që do të shoqëronte logon i cili ishte në anglisht PROUD TO BE PARTNERS dhe në shqip KRENAR PËR PARTNERITETIN. Sfida ishte e jashtëzakonshme, për të gjithë. Të gjithë elementët, sado të parëndësishëm ose tejet periferikë në dukje të kësaj vizite, përpara se rrotat e Air Force One të preknin tokën shqiptare duhet të ishin gati të fillonin lëvizjen me të njëjtin ritëm, me të njëjtën forcë, më të njëjtën frymëmarrje. Më vonë nuk ka kohë të korrigjosh asgjë, por edhe në se, kostoja është e lartë. Si Drejtor i Protokollit të Shtetit pata fatin e madh të kontribuoj dhe të ndjek nga afër këtë ritëm,forcë dhe frymëmarrje që i dhanë vizitës dimensionin e suksesit të madh jo vetëm politik por edhe ceremonial dhe protokollar.
Në një sondazh të bërë para vizitës së ish-presidentit Bush mbi 60 për qind e të anketuarve nga media në Shqipëri thonin se kjo vizitë do të kishte ndikim të madh në imazhin e vendit në rajon e më gjerë. Çfarë impakti pati realisht vizita disaorëshe e shefit të Shtëpisë së Bardhë?
Vizita e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, përbën ngjarjen më të madhe në historinë e Shqipërisë parë në shumëplanshmërinë e impaktit të saj, të brendshëm dhe të jashtëm, rajonal, evropian dhe euroatlantik, politik, ekonomik dhe atë të sigurisë. Kjo është ngjarja kulmore në historinë dhe marrëdhëniet e dy popujve dhe dy vendeve që ndonëse të rëndësisë dhe përmasave të ndryshme, asnjëherë nuk u lëkundën në thelbin, në miqësinë dhe sinqeritetin e tyre. Befasueshëm ajo u kthye në një reklame shumëmediatike për Shqipërinë dhe shqiptarët, e cila si asnjëherë tjetër zuri minutazhin dhe komentet e mediave jo vetëm mbarëshqiptare e rajonale por edhe evropiane dhe boterore, të të gjitha kombeve, gjuhëve dhe kontinenteve. Mesazhet e rëndësishme politike të kësaj vizite u shqiptuan me vendosmëri të palëkundur, forcuan besueshmërinë dypalëshe dhe atë euroatlantike dhe i kthyen shpresat e shqiptarëve në besim. E gjithë bota u bë dëshimitare e një Shqipërie të sigurt dhe të vendosur në rrugën e saj euroatlantike, të gjithë shqiptarët kuptuan se shumë shpejt Kosova do të bëhej shteti më i ri në Botë dhe se Shqipëria do të mirëpritej në NATO.
Juve ju ka qëlluar të jeni protagonist dhe i pranishëm në pritje të nivelit të lartë. Për nga rëndësia dhe vështirësia çfarë sfidash lidhur me sigurinë dhe organizmin kishte vizita e presidentit Bush?
Organizimi i vizitës së Presidentit të ShBA-së në çdo vend të Botës është një sfidë e jashtëzakonshme. Elementët e sigurisë kanë rëndësinë dhe peshën e tyre në përgatitjen dhe ecurinë e vizitës si rallë ndonjëherë. Ekipi shumëfunksional amerikan që erdhi në Shqipëri disa kohë para vizitës ishte jashtëzakonisht bashkëpunues dhe ndërtoi së bashku me homologët shqiptarë të protokollit, të sigurimit, të komunikimit dhe të policisë një bashkëveprim shembullor, i cili kontribuoi në suksesin e vizitës. Në vizitat e lajmëruara publikisht të Shefit të Shtëpisë së Bardhë jashtë shtetit, zakonisht një pjesë e sfidave të sigurisë konsiderohen të konsumuara. Megjithatë, lëvizjet e Tij kërkojnë garanci të plotë në terren, garanci e cila u sigurua në Shqipërinë gjatë vizitës. Në asnjë çast elementët e sigurisë nuk mbingarkuan apo krijuan presion mbi ecurinë e kësaj vizite. Kjo edhe për meritë të atmosferës mikëpritëse dhe jashtëzakonisht miqësore që shqiptarët krijuan në mënyrë spontante në të gjithë itinerarin ku kaloi autokolona e makinave të Presidentit amerikan.
Sot pas pesë vitesh cilat ishin detajet që ju bënë më shumë përshtypje ju si drejtues i Protokollit?
Ndonëse kisha përvojën e përgatitjes se vizitës në Tiranë të Sekretares së Shtetit Albright, në shkurt 2000, përvojën e jashtëzakonshme të bashkëpunimit me Ambasadën e ShBA-së në Tiranë për përgatitjen e një vizite të nivelit të lartë, emocioni përpara kësaj vizite ishte i papërshkrueshëm. Mbaj mend edhe sot çastet kur Air Force One, me madhështinë dhe madhësinë e tij, u ul ne Aeroportin e Rinasit dhe çapimin e hapave të mia tek ngjitesha, së bashku me Ambasadoren amerikane Marcie Ries, në shkallët e pambarim të avionit, për të takuar brenda tij burrin më të fuqishëm të Botës dhe bashkëshorten e tij simpatike. E theksoj këtë moment, sepse në fraksionin e sekondës së shtrëngimit të duarve me të dhe rrahjes së shpatullave prej tij, gjest i disaherëpërsëritur gjatë gjithë vizitës, emocioni u kthye në një lirshmëri të pandjerë dikur, e domosdoshme për të drejtuar një vizitë të tillë. Presidenti Bush ishte jashtëzakonisht miqësor me të gjithë ata që ai takoi, edhe jozyrtarë, gjatë vizitës në Tiranë. Në përfundim të vizitës, ai u takua, madje bëri foto edhe me personelin ndihmës që u kujdes për mbarrëvajtjen e vizitës, foto të cilat nën kujdesin e ambasadës amerikane në Tiranë u shkuan të gjithëve në dorë.
Z.Bush doli disa herë nga axhenda e parashikuar, siç ishte ajo në Fushë-Krujë ku takoi edhe popullin. Çfarë shqetësimesh kishte nga pala shqiptare për sigurinë e jetës së mysafirit të lartë dhe cilat ishin masat që ajo ofroi në mbështetje të stafit të sigurisë së ardhur nga SHBA?
Është e vërtetë që takimi me popullin në Fushë-Krujë nuk ishte përcaktuar në protokoll dhe vendimi për këtë veprim u mor nga vetë Presidenti Bush. Në kohën që Presidenti Bush u fut në lokalin ku ishte planifikuar të zhvillohej takimi me fermerët shqiptarë që ishin përfitues të mikrokredive të USAID-it na thërret, mua dhe shefin e vet të protokollit dhe shefin e sigurisë së vizitës, duke na thënë se mbas takimit do të dilte jashtë të takonte njerëzit që në një entuziazëm të magjishëm brohorisnin emrin e tij, atë të ShBA-së, të Kosovës pandalshmërisht. Kështu, të ngarkuarit me sigurinë e vizitës, me profesionalizmin e tyre të përditshëm, ndërtuan gjithçka që duhet në një situatë të tillë, ndonëse jo e shpeshtë për ta, duke lehtësuar atë që me të drejtë mund të quhet festa e Presidentit Bush me shqiptarët.
Si e priti z.Bush dhe bashkëshortja e tij faktin që në Shqipëri u prit si hero, ndërsa në shumë vende të botës ka anarki dhe dhunë gjatë vizitave të presidentëve amerikanë?
Vizita e Presidentit Bush në Tiranë ishte e treta dhe e parafundit në rradhën e vizitave të tij në Evropë. Varshavë-Romë-Tiranë-Sofje ishte itinerari në të cilin Presidenti Bush dhe bashkëshortja e tij Laura Bush veçojnë emocionet që përjetuan gjatë vizitës në Tiranë. Si dëshmitar i kudondodhur i gjithë programit të vizitës : Rinas-Pallati i Brigadave-Kryeministri-Vila 31-Fushë-Krujë-Rinas ; për Znj. Bush ishte përgatitur vizita në Maternitetin "Nëna Geraldinë" dhe dreka e shijshme tek restoranti " Sofra e ariut " (që nga ajo drekë pronari i lokalit e ka quajtur sallën e veçantë "Laura Bush "), me kënaqësi të veçantë pohoj se emocioni pozitiv që çifti presidencial amerikan përjetoi në Shqipëri arriti kulmin në pjesën e vizitës në Fushë-Krujë. Emocioni pozitiv befasues dukej edhe në rradhët e stafit që e shoqëronte atë si edhe në rradhët e stafit të Ambasadës amerikane në Tiranë. Unë mora mesazhe përgëzuese nga homologu im amerikan si dhe një foto të shoqëruar nga një mesazh falenderimi prej Presidentit Bush. Gjatë një bisede miqësore, disa kohë më vonë, me një nga miqtë e Ambasadës amerikane, me të cilin bashkëpunova ngushtë për vizitën, ky i fundit më pohoi me të qeshur se Presidentit Bush dhe bashkëshortja e tij patjetër që do të riktheheshin në Shqipëri për të pushuar privatisht.
Dhe së fundi, sa e ndihmoi realisht proamerikanizmi i theksuar i shqiptarëve, qoftë edhe kjo vizitë e rallë, pranimin e Shqipërisë në NATO, dy vite më vonë dhe afrimin me BE-në?
Faktet janë kokëfortë: mesazhet e vizitës morën jetë shumë shpejt, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për Kosovën. Vizita ishte pikërisht për të përgatitur dhe paralajmëruar ngjarjet e mëdha që do të ndodhnin në historinë e shqiptarëve. Ndjenjën tonë të fortë të miqësisë dhe të besnikërisë, por jo vetëm, edhe atë respektit dhe të besimit ndaj kombit të madh amerikan e kemi të natyrshme. Ajo buron nga çastet më të vështira të historisë së mbijetesës së kombit shqiptar kur parimet e lirisë së kombeve të shpalluara nga Presidenti Ëillson shpëtuan shtetin dhe kombin shqiptar nga pangopja e vendeve fqinje me të. Historia e mëvonëshme vetëm vërteton se ndjenja e miqësisë dhe mirënjohjes ndaj kombit amerikan bëhet më e fortë dhe e qëndrueshme. SHBA dhe Evropa nuk janë vetëm nocione gjeografike. Ato janë sidomos ekonomike, politike dhe demokratike të cilave ne jemi duke iu afruar megjithë sfidat që kërkohen. Edhe vizita e Presidentit Bush në 10 qershor 2007 mbetet kontribut i jashtëzakonshëm që shqiptarët të kapërcejnë këto sfida.
(sg/shqiptarja.com)