
Zbulohen detaje të reja lidhur me tentativën e grabitjes së bankës tek Unaza e Re në Tiranë. 23-vjeçari Enrik Islamaj ka qenë i vetëm në tentativën për të grabitur bankën e nivelit të dytë. Ai rezulton me precedentë të theksuar kriminalë. Edhe më herët, është arrestuar 3 herë për vjedhje banesash.
Sipas burimeve, Islamaj ka hapur me mjete rrethanore derën kryesore të bankës në orët e para të mëngjesit dhe më pas ka goditur me gurë e tulla xhamin e filialit, por pa mundur ta çajë atë. Në këtë moment ka rënë edhe sistemi i alarmit të bankës, i cili ka alarmuar menjëherë policinë që mbërriti në vendin e ngjarjes.
23-vjeçari u arrestua në flagrancë ndërsa ka pretenduar para hetuesve se ishte në kushte depresioni kur ka goditur derën dhe xhamin e bankës, informon gazetari i Report TV, Sokol Dema.
Lajmi kryesor:
Tiranë, tentoi të vidhte një bankë tek 'Unaza e re', arrestohet 23-vjeçari (EMRI)








