Deti blu, gjelbërimi, shëtitorja plot jetë, plazhet e lira me çadra shumëngjyrëshe, dhe turistë e vendas që shijojnë pushimet. Kjo është panorama që ka ndarë këtë të premte ministri Blendi Gonxhja nga Saranda, duke e cilësuar qytetin si një nga shembujt më të mirë të mënyrës se si ka funksionuar modeli i plazheve publike gjatë këtij sezoni veror.
Sipas Gonxhjas, këtë vit numri i parcelave dhe stacioneve të plazhit publik është rritur me 67%, ndërsa sipërfaqja e tyre është zgjeruar me mbi 10% në të gjithë vendin. Ai thekson se krahas kësaj është zbatuar edhe një model i ri menaxhimi nga bashkitë, me tarifa të miratuara dhe të balancuara.
Në postimin e tij, ministri shprehet se Saranda tregon se bashkëpunimi mes institucioneve mund të sjellë më shumë hapësira publike, më shumë siguri dhe më pak ankesa nga qytetarët.
"Atmosfera në Sarandë është shprehja më e mirë e rezultateve konkrete që kemi arritur këtë sezon për plazhet publike dhe garantimin e një aksesi më të gjerë e të përballueshëm për qytetarët. Këtë vit kemi rritur me 67% numrin e parcelave dhe stacioneve të plazhit publik, ndërsa kemi zgjeruar me mbi 10% sipërfaqen e tyre në të gjithë vendin, duke sjellë njëkohësisht një model të ri të menaxhimit nga bashkitë me tarifa të miratuara dhe të balancuara. Saranda është një shembull i mirë i asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit dhe koordinimit institucional, me më shumë akses, më shumë siguri dhe më pak ankesa nga publiku. Ka ende punë për të bërë, por ky është një rezultat pozitiv mbi të cilin duhet të vijojmë të ndërtojmë, për të garantuar plazhe publike, të aksesueshme dhe të përballueshme për qytetarët dhe vizitorët" shkruan Gonxhja










Komente
Komento