Fenomeni i zbaticës është vërejtur mëngjesin e kësaj të mërkure në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë. Tërheqja e ujit të detit me mbi 10 metra nga vija e zakonshme e bregut ka bërë që shumë prej varkave të peshkimit të mbeten në cekëtirë.

Ky fenomen natyror ndodh periodikisht dhe lidhet me lëvizjet e ujërave detare, të ndikuara nga faktorë të ndryshëm natyrorë. Megjithatë, për peshkatarët lokalë, tërheqja e detit ka krijuar vështirësi të përkohshme në daljen për peshkim, pasi atyre u është dashur të presin rikthimin e ujit në nivelin e zakonshëm.

Peshkatarët dhe qytetarët shprehen se një tërheqje e tillë nuk është e zakonshme. Ata tregojnë se dalin çdo ditë për peshkim, shëtitje apo për të kaluar kohë në bregdet, por zbaticë me këtë përmasë nuk është vërejtur shpesh.

"Uji i detit është tërhequr këtë të mërkurë mbi 10 metra nga niveli i zakonshëm, një fenomen jo i zakonshëm që ka sjellë edhe ngecjen e varkave të peshkimit", thonë ata.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:04
Pas Vlorës, zbaticë edhe në brigjet e Shëngjinit! Deti tërhiqet rreth 20 metra në zonën qendrore të plazhit

Fenomeni i zbaticës është shfaqur edhe në brigjet e Shëngjinit , ku në zonën qendrore të plazhit deti është tërhequr rreth 20 metra nga vija e zakonshme bregdetare.

Si pasojë, është zbuluar një sipërfaqe e konsiderueshme rëre, ndërsa më të ekspozuara janë shfaqur edhe ambientet e lokaleve që gjatë sezonit veror ndodhen pranë vijës së ujit.

Pamjet e krijuara kanë tërhequr vëmendjen e banorëve dhe frekuentuesve të zonës, të cilët shprehen se ky fenomen nuk është i pazakontë për këtë bregdet. Sipas tyre, zbaticat e tilla përsëriten pothuajse çdo vit, sidomos në periudha të caktuara.

Ekspertët e mjedisit e lidhin këtë dukuri me faktorë natyrorë, si ndryshimet e presionit atmosferik, drejtimi dhe forca e erërave, si edhe lëvizjet e masave ujore.