Deutsche Welle: Si priti Perëndimi marrëveshjen Kosovë-Serbi në Ohër, frika nga opozitat dhe reagimet e ligjshmëria

Deutsche Welle: Si priti Perëndimi marrëveshjen Kosovë-Serbi në Ohër, frika nga opozitat dhe reagimet e ligjshmëria

Gjatë takimit trepalësh në Ohër

Reagimet ndërkombëtare pas ujdisë së 18 marsit mes Kosovës e Serbisë për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve kanë qenë pozitive. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se "përmbushja e obligimeve sipas Marrëveshjes Bazë, si pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm për pajtim, do të ofrojë mundësi të mëdha për njerëzit në të dy shtetet dhe do të përshpejtojë rrugën e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.

Blinken përmes një deklarate, përgëzoi dy udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë, Kurti dhe Vuçiq, "për lidershipin e treguar për arritjen e kësaj marrëveshjeje”. "Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë të angazhuara në mënyrë aktive në koordinim me partnerët e BE-së, për të mbështetur Kosovën dhe Serbinë që të punojnë drejt një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore. Ne do të vazhdojmë të mbështesim avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.

Reagime pozitive nga Gjermania

Edhe qeveria gjermane e mirëpriti marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë dhe i ka uruar palët për këtë "përparim”. Steffen Hebestreit, zëdhënës i Qeverisë Federale të Gjermanisë, shkroi në Tëitter se "tani gjithçka mbetet tek zbatimi”. "Urime për këtë përparim për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një bazë të re! Tani gjithçka ka të bëjë me marrjen e udhëheqjes për mbajtjen dhe zbatimin e asaj që është rënë dakord. Ne do të jemi në krahun tuaj për ta përmbushur perspektivën tuaj evropiane”, shkroi Hebestreit.

Kurse NATO përmes zëdhënëses, Oana Lungescu bëri të ditur se aleanca veriatlantike e mirëpret dakordimin e kryeministrit Kurti, dhe presidentit serb Vuçiq për marrëveshjen e propozuar nga Bashkimi Evropian. "Ne i nxisim të dyja palët që sa më shpejt të zbatojnë atë që kanë rënë dakord, dhe po ashtu kërkojmë që të ketë zbatim të plotë marrëveshja. Ne jemi të përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe KFOR-in”, shkroi Lungescu në Tëitter.

Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, shkroi se arritja më e rëndësishme e negociatave të 18 marsit në Ohër është se Serbia e ka përqafuar të ardhmen evropiane. Një vendim që kërkoi mençuri, integritet dhe kurajo. Ka ende shumë punë për të bërë, dhe Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap”, shkroi Hill.

Vlerësimi i marrëveshjes në këndvështrimin e Kosovës dhe Serbisë

Pas takimit të Ohrit presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani vazhdon të mos i besojë presidentit Vuçiq. Ajo shkroi se "Kosova dëshmoi të jetë e vetmja palë në dialog që u tregua konstruktive dhe e interesuar në paqe e stabilitet”. "Pres që të realizohen zotimet e aleatëve tanë në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si dhe për njohje nga shtetet jonjohëse”, tha Osmani, duke shtuar se ajo "nuk ka ndonjë pritje ndaj Serbisë, pasi Serbia 12 vite ka shkelur marrëveshjet e dakorduara”. "Nga Serbia nuk kam asnjë pritje. Ata do të vazhdojnë të shkelin marrëveshjet e dakorduara, siç kanë bërë këto 12 vjet”, shkroi Osmani.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se marrëveshja e arritur në Ohër të Maqedonisë së Veriut është "njohje de facto”, e Kosovës, ndërsa kritikoi presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se po i shmanget nënshkrimit të marrëveshjes. Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga ana e tij, tregoi se pse nuk e ka nënshkruar të shtunën në Ohër marrëveshjen dhe as aneksin implementimit, derisa ka theksuar se "Serbia është e gatshme të punojë në implementim, deri te vijat e saj të kuqe”."Para së gjithash, sepse Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa ajo siç e quajnë Republika e Kosovës, për mua nuk është e njohur ndërkombëtarisht. Nuk dua të bëj marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës”, u shpreh Vuçiq në një konferencë për medie në Beograd. Sipas tij, vija e kuqe e Serbisë, është pranimi i Kosovës si shtet i pavarur në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

"Pas çdo samiti dhe takimi, në çdo vend, unë pa mëdyshje flas për vijat e kuqe të Serbisë, që kanë të bëjnë me kundërshtimin e pranimit të Kosovës shtet i pavarur, dhe pranimit të Kosovës në OKB, siç e shihni, këtë edhe sot e kam thënë, se askush, asnjëherë nuk mund t'i vendosë obligim ligjor Serbisë për atë që Serbia nuk e ka pranuar. Prandaj, nuk kam nënshkruar atë që BE-ja e ka quajtur marrëveshje e as Aneksin. Mirëpo, Republika e Serbisë është e gatshme të punoj në implementim, deri tek vijat e saj të kuqe, për shumë arsye”, ka thënë presidenti Vuçiq.

Kritika nga opozita në Kosovë e Serbi

Marrëveshja e dakorduar në Ohër të Maqedonisë së Veriut, dhe pajtimi për të i kryeministrit Kurti, ndërkaq, u kritikua ashpër nga dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike dhe Partia Demokratike e Kosovës. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e quajti "mashtrim dhe humbje të një mundësie historike”. "Një marrëveshje pa njohje, jo finale dhe me Asociacion plus në të, është çfarë Kurti i solli Kosovës sot. Kjo gjendje e re, e shndërruar si detyrim integrues për vendin, është e pariparueshme”, shkroi Abdixhiku. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ndërkaq, tha se me "marrëveshjen e mbrëmshme, Kosova do ta trashëgojë për vite me radhë konfliktin e ngrirë me Serbinë. "Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një Asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës, është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë të gjithë”, shkroi Krasniqi.

Edhe disa nga partitë opozitare në Serbi, kritikuan Presidentin Vuçiq për dakordimin e tij për aneksin e zbatimit të marrëveshjes me Kosovën. Lideri i lëvizjes së djathtë Dveri, Boshko Obradoviq, vlerësoi se "zgjidhja e vetme e krizës politike është dorëheqja e presidentit Vuçiq”, dhe bëri thirrje për tubime të qytetarëve kundër planit evropian. "Vuçiq në mënyrë të paautorizuar ka marrë përsipër obligimin në Ohër që të fillojë zbatimin e Marrëveshjes që e ka pranuar më 27 shkurt në Bruksel”, shkroi  Obradoviq.

Kryetari i Lëvizjes "Serbia Qendra”, Zdravko Ponosh, tha se Aleksandar Vuçiq doli i kënaqur nga negociatat e Ohrit, sepse i kishte arritur të dyja qëllimet që i kishte vënë vetes. "E para që ai të mos nënshkruajë asgjë, pavarësisht se në emër të Serbisë ai ka marrë përsipër obligimin, dhe e dyta, që përgjegjësinë për përmbushjen e atyre obligimeve të marr t'ua mbartë të tjerëve”, shkroi Ponosh.

Dyshime për ligjshmërinë e marrëveshjes

Kosova dhe Serbia u pajtuan me 18 mars për zbatimin e një plani evropian për normalizim marrëdhëniesh dhe sipas shefit të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, që ishte ndërmjetës, të dyja vendet kanë obligim zbatimin e zotimeve. Udhërrëfyesi për zbatimin e planit evropian parasheh që të dyja vendet të angazhohen plotësisht për t'i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksin e saj. "Kosova është pajtuar të nisë menjëherë, dhe kur them menjëherë, e kam fjalën menjëherë, negociatat e lehtësuara nga Bashkimi Evropian për një marrëveshjeje specifike dhe garanci për të siguruar një shkallë të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Palët ranë dakord gjithashtu të miratojnë si çështje urgjente deklaratën për personat e zhdukur siç është negociuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.

Por mosnënshkrimi i dokumentit ka nxitur mëdyshje në opinion, nëse marrëveshja e Ohrit mund të cilësohet  ligjërisht e detyrueshme. E Josep Borrell tha se edhe dokumenti i 27 shkurtit i publikuar nga BE-ja, dhe Aneksi i zbatimit të tij, i publikuar me 18 mars, "konsiderohen të miratuara përmes deklaratës së tij”. Marrëveshja tha Borrell, "do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian”.

"Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të kuadrit të negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit të Posaçëm të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja, e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre drejt Bashkimit Evropian. Dhe ne në Bashkimin Evropian, do t'u kërkojmë me forcë palëve të përmbushin detyrimet e tyre. Mospërmbushja e tyre do të sjellë pasoja”, u zotua shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell./ DW

K.T.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja