Deutsche  Welle: A është Kosova nën trysni për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe?

Deutsche  Welle: A është Kosova nën trysni për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe?

Qeveria e Kosovës

Asociacioni i Komunave me Shumicë serbe që nga viti 2013 vazhdon të jetë temë debati në Kosovë, Serbi dhe në mesin e pranisë ndërkombëtare e ndërlidhet ngushtë me dialogun Kosovë-Serbi. Kosova në vitin 2013 nënshkroi marrëveshjen e parimeve për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por, në vitin 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti që shumë pika të kësaj marrëveshje janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Që nga ajo kohë, asgjë nuk është bërë në këtë drejtim pos, kërkesës së vazhdueshme të Serbisë që Prishtina zyrtare ta themelojë Asociacionin dhe kundërshtimi i vazhdueshëm i Prishtinës zyrtare që nuk lejojnë Asociacion në vija etnike.

BE pret propozime nga Kosova

Të ndodhur në këtë situatë dhe në prag të rinisjes së dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian është duke pritur propozime nga Kosova për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, u shpreh javën e shkuar, se “marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin është përfunduar me mirëbesim dhe se i mbetet Kosovës të propozojë një rrugë përpara për zbatimin e saj”.

“Në vitin 2013 Kosova hyri në një marrëveshje përkrijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo marrëveshje u përfundua me mirëbesim nga të gjitha palët e përfshira. Asnjëherë nuk është anuluar. Në fakt, marrëveshja e vitit 2013 u ratifikua nga Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave dhe duke vepruar kështu, Kosova mori një detyrim ndërkombëtar për të zbatuar këtë marrëveshje. Pra, Kosovës i mbetet të propozojë një rrugë përpara për të zbatuar marrëveshjen”, tha Peter Stano për mediumin kosovar kosovapress.

Qeveria e Kosovës nuk ndryshon qëndrim

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, vazhdon ta kundërshtojë idenë që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe sipas tij, “nuk do të lejohet të ketë diçka që vë në diskutim funksionimin e shtetit”. Kështu thotë zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu. “Ju e dini, Qeveria ka një qëndrim të qartë sa i përket kësaj teme. Kryeministri Kurti ka thënë se liria e asociimit është liri që garantohet me Kushtetutë, për këtë ka edhe Kushtetutë edhe aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, i cili do të jetë në shërbim të funksionimit të vendit dhe jo në defunksionalizim të vendit. Prandaj kemi thënë që asociacion njëetnik të komunave nuk mund të ketë”, ka thënë zëdhënësi, Përparim Kryeziu.

Serbia këmbëngul në themelimin e Asociacionit

Nga pala serbe vazhdojnë të këmbëngulin, se Prishtina duhet ta Themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe me kompetenca ekzekutive. Ky është refreni i Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq dhe këtë ai e theksoi edhe njëherë në takimin e fundit të drejtpërdrejtë që kishte në Bruksel me kryeministrin e atëhershëm, Avdullah Hoti në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas tij, ai është i gatshëm “të diskutojë për një zgjedhje kompromisi me Kosovën, por vetëm me kushtin që paraprakisht Kosova ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”. “Asociacioni nuk mund të jetë një organizatë joqeveritare. Ne jemi gjithmonë për dialog e bisedë. Ne duam paqe dhe stabilitet, rrjedhën e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve”, thotë Vuçiç cituar nga medium publik serb RTS.

Insistimi i vazhdueshëm i Serbisë që ta përfshijë në kuadër të dialogut Çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka bërë që të ndërpritet dialogu dhe të ketë vështirësi në rifillimin e tij. Tash për tash akoma nuk dihet nëse çështja e Asociacionit do të jetë pjesë e bisedave ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në takimin e tyre të pritshëm në fund të qershorit.

Marrëveshjet ndërkombëtare duhen me konsensus politik brenda Kosovës

Prej kohësh çështja e Asociacionit debatohet edhe mes analistëve në Kosovë. Demush Shaha, drejtor ekzekutiv nga instituti  (think-tank) EPIK, që angazhohet për reformat evropiane, thotë për DW se marrëveshjet ndërkombëtare për Kosovën gjithnjë duhet të kenë konsensus politik brenda Kosovës. “Mësimi nga marrëveshja e 2013-s për asociacionin është mësim se si duhet të sillet Kosova në ushtrimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Në 2013-n barrën për ngritjen e asociacionit nuk e ka marrë Qeveria X apo Qeveria Y, por e ka marr Republika e Kosovës si subjekt juridik në skenën ndërkombëtare. Çdo dështim për jetësimin e këtyre obligimeve ndërkombëtare do këtë pasoja në reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës si aktor në marrëdhëniet ndërkombëtare. Prandaj, neve çdo herë insistojmë se në skenën ndërkombëtare vendimet nuk mund të merren nga asnjë mazhorancë momentale, por çdo herë duhet të reflektojnë vullnetin konsensual të spektrit politik. Një qasje e tillë çdo herë siguron vazhdimësinë e respektimit të obligimeve tona ndërkombëtare. Në fakt një gjë e tillë është edhe kërkese kushtetutese, sipas nenit 18.1”, thotë Shasha.

Analisti Shasha beson se ngritja e Asociacionit do mbetet në tavolinë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Sipas tij “kjo çështje nuk do jetë marrëveshje e izoluar, por pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, ku Asociacioni do jetë vetëm njëri element i marrëveshjes”.

Sipas analistit Shasha, qeveria duhet të shqyrtojë ngritjen e asociacionit, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “Në këtë drejtim, konsideroj se zgjidhja mund të gjendet në kuadër të kompetencave të asociacionit, të cilat i ka paraparë edhe pakoja e Ahtisarit, siç janë çështjet e kulturës, artit, shkencës dhe arsimit (neni 4 i pakos së Ahtisarit), në harmoni me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale. Po ashtu, duhet shqyrtuar materializimi i bashkëpunimit të komunave me shumicë serbe me shtetin dhe institucionet e Serbisë, nën koordinimin e Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal (neni 10 i pakos së Ahtisarit). Pjesë e rëndësishme e këtij bashkëpunimi është edhe dakordimi i transparencës së financimit të shtetit serb të komunave serbe në Kosovë (neni 11 i pakos së Ahtisarit). Prandaj, në kuadër të kompetencave të këtilla nuk shoh asnjë brengë në ngritjen e asociacionit”, thotë Demush Shasha.

Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është paraparë me marrëveshjen e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë. Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të atyre komunave, në veçanti në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. DW

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’