TIRANE - Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri priti sot në një takim homologun e tij maqedonas Bekim Neziri. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Ministri Gjiknuri theksoi se në takim u diskutuan çështjet me rëndësi dypalëshe në fushën e energjisë si dhe mundësisë për rritjen e bashkëpunimit.
 
Pjesë e diskutimeve ishte edhe çështja e devijimit të lumit Radika në Dibrën e Madhe. Sipas ministrit Gjiknuri në diskutimet me homologun e tij u ra dakord që projektet në këtë lum të bëhen në bazë të normave ndërkombëtare si dhe pëlqimin edhe të Shqipërisë
 
“Sa më shumë lidhje energjetike të ketë Shqipëria me vendet fqinje aq më e mirë do të jetë situata. Diskutuam edhe për lidhjen e ujërave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, marrjen e informacioneve në kohë në lidhje me derdhjen e ujërave për të shmangur çdo incident. U diskutua edhe çështja e nxehtë e lumit Radika dhe kërkuam që ajo të bëhet konform rregullave ndërkombëtare dhe me pëlqimin edhe të Shqipërisë. Çdo gjë duhet bërë në respekt të parimeve ndërkombëtare dhe të shmanget çdo lloj spekulimi politik. U diskutua edhe zhvillimi në fushën e gazit. Në këtë rast TAP është një mundësi e mirë për ne por edhe për Maqedoninë. Hapat e Maqedonisë na interesojnë për të mësuar eksperiencën. Kemi një bashkëpunim intensiv dhe duam ta zhvillojmë edhe më tej.” tha Gjiknuri
 
Nga ana e tij, Ministri maqedonas Neziri nënvizoi se kurrë nuk do të realizohen projektet në lumin Radika nëse nuk ka pëlqim të dy vendeve, si dhe respektim të konventave ndërkombëtare.
 
Më tej Neziri u shpreh se ka kërkuar nga Gjiknuri shtimin e produkteve të ARMO-s në Maqedoni me synim rritjen e shkëmbimeve mes dy vendeve, që sipas tij kohët e fundit kanë shënuar rënie.
 
“Kam kënaqësi që sot jam mysafir në sferën e energjitikës. Diskutuam për projekte që i kemi të përbashkëta, dhe ato që i mbulojmë si dy ministri. Formuam disa grupe në aspektin teknik për ndjekjen e projekteve që janë në realizim. Biseduam për projektin e lidhjes 400 kë Manastir-Elbasan. Ne si shtet do t’i respektojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare dhe nuk do të realizohet kurrë pa konsensusin e të dy vendeve. Gjithashtu në Maqedoni ekziston një masterplan për gazifikimin e Maqedonisë.  Kërkova nga ministri që produktet e ARMO të jenë sa më shumë në Maqedoni dhe mora miratimin e Ministrit. Hyrja e produkteve të tyre do të jetë pozitive në aspekt të liberalizimit të hidrokarbureve dhe në këmbim të dy vendeve, që për fat të keq në vitet e fundit ka rënie.” tha Neziri

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)