Dezinformimi, rrjetet sociale dhe Shqipëria! Nuk është zgjidhje mbyllja por edukimi mediatik (Media Literacy)

Dezinformimi, rrjetet sociale dhe Shqipëria! Nuk është zgjidhje mbyllja por edukimi mediatik (Media Literacy)

Ndër vendet e Evropës, shqiptarët rezultojnë, nga anketimet e Unionit Evropian i Transmetuesve, si popullsia me një besim më të madh në informacionin e gejtur në rrjetet sociale. Edhe pse binte me 14% krahasuar me vitin pararendës, në vitin 2018 shqiptarët renditeshin të parët për normën më të lartë të besimit te internetit si burim informacioni, me 48% të popullsisë që e besojnë. Ndërsa një raport i vitit 2022 i EUROSTAT, i rendiste shqiptarët si një prej kombeve më të zellshëm në internet, ku 26.5% e shqiptarëve komentonin apo e shkruanin një opinion në rrjetet sociale, teksa nga ana tjetër renditeshin të fundit në kontinent për përdorjen e bankingut online, me vetëm 5.24%.

Këto tregues e bëjnë popullsinë shqiptare, si një nga shoqëritë më të rrezikuara nga keqinformimi dhe dezinformimi, që shihen si sfidat e shekullit në kohën e inteligjencës artificiale, sfidë e cila nëse nuk përballohet si duhet po i vendos demokracitë perëndimore gjithnjë e përballë rreziqeve të mëdha.

Një Raport për Rreziqet Globale, i bërë publik në Londër në janar të këtij viti, në prag të takimit të përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, e rendiste informacionin e rreme në vend të parë të rreziqeve me të cilat përballet njerëzimi, i pasuar madje nga moti ekstrem, polarizimi shoqëror dhe konfliktet e armatosura. Ndikimi i mundshëm tek zgjedhjet në mbarë botën mund të çojë në dyshime për legjitimitetin e qeverive të zgjedhura. Kjo kërcënon proceset demokratike, duke shkaktuar më shumë polarizim social, trazira apo edhe dhunë.

Në Shqipëri sondazhe dhe studime tregojnë se vetëm një pjesë e popullsisë, bazuar në përvojën apo intuitën, mund të bëjë dallimin mes realitetit të ndërtuar nga media dhe ajo që është e në fakt e vërteta. Një përqindje e madhe informohen vetëm në ato media, të cilat drejtimi politik korrespondon me bindjet e tyre politike dhe refuzojnë të marrin informacion nga mediat ‘kundërshtare’

Ndaj kësaj situate ka vetëm një përgjigje! Ajo është edukimi mediatik! Asgjë nuk i duhet lënë rastësisë dhe edukimi mediatik duhet të jetë pjesë e kurrikulave mësimore në shkolla, sa më shpejt aq më mirë!

Që në vitin 2006, pra 18 vite më parë, një raport i përgatitur nga Michael Copps, Komisioneri Federal i Komunikimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës apelonte: “Sa më shumë e kuptoj ndikimin e përhapur të medias tek fëmijët tanë, aq më shumë shqetësohem për boshllëkun e edukimit mediatik në kurrikulën arsimore të vendit tonë. Fëmijët duhet të dinë se si krijohen mesazhe të veçanta dhe pse, cilat pajisje përdoren për të mbajtur vëmendjen e tyre dhe cilat ide janë lënë jashtë. Në një kulturë ku media është e përhapur dhe pushtuese, fëmijët duhet të mendojnë në mënyrë kritike për atë që shohin, dëgjojnë dhe lexojnë. Edukimi i asnjë fëmije nuk mund të jetë i plotë pa këtë”.

Pse është i rëndësishëm edukimi mediatik? Qendra për Edukim Mediatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një organizatë e cila bashkëpunon edhe me OKB, jep pesë arsye të tjera për të kuptuar median sot:

1.     Të duhen dy aftësi për të qenë qytetar i një demokracie: të menduarit kritik dhe vetë-shprehja. Edukimi Mediatik t’i mëson të dyja.
2.     Ju dëgjoni dhe shihni më shumë mesazhe mediatike brenda një dite sesa njerëzit e tjerë në të kaluarën. Edukimi Mediatik ju mëson se si t'i kuptoni këto mesazhe.
3.     Media ka një ndikim të madh në mënyrën se si ne kuptojmë dhe veprojmë. Edukimi Mediatik ju ndihmon të kuptoni këto ndikime. Kjo ju jep fuqinë për të marrë vendime më të mira.
4.     Imazhet po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme. Të mësosh se si të "lexosh" këto imazhe është po aq e nevojshme sa leximi i tekstit.
5.     Edukimi Meditiak ju ndihmon të kuptoni se nga vjen informacioni. Gjithashtu ju ndihmon të kuptoni se nga kush përfiton dhe si të gjeni pikëpamje të tjera.

Çfarë është të jesh i edukuar mediatikisht? Është aftësia për të lexuar, kuptuar, analizuar një mesazh mediatik, aftësia për ta kuptuar si krijohet ai si dhe për të ngritur pyetjet e duhura në lidhje me të.  Pyetjet për një lajm si: A është e vështirë të ndash faktet nga opinionet?  A dështon të citojë ekspertë nga organizata me reputacion?  A është e vështirë të përcaktohet burimi origjinal i informacionit? A konfirmon bindjet tuaja, apo luan me emocionet tuaja? A ka grupi, personi ose organizata që ndan informacionin ndonjë pretendim (financiar, politik ose ndryshe)? A kërkon besim në një komplot të fshehtë dhe një grup bashkë-komplotistësh? A i bën “koka turku” njerëzit apo grupet të caktuara? A është përhapur nga dikush që ka hapur së fundmi llogarinë e tij në rrjetet sociale, por ka shumë ndjekës? Nëse i përgjigjeni "po" një ose më shumë pyetjeve, domosdoshmëria është të bëjmë kërkime të mëtejshme për të kuptuar se kush po krijon ose shtyn informacionin dhe nëse ata po përpiqen t'ju manipulojnë me gënjeshtra ose informacione mashtruese.

Keqinformimi ushqehet kryesisht nga mediat sociale, të cilat e shumëfishojnë në përmasa dhe shpejtësi përhapjen e dezinformatave. Mendimi kritik është thelbi i edukimit mediatik; Të qenit skeptik, gjykues dhe analizues, me mendje të hapur dhe kërkues ndaj vërtetësisë së informacionit që marrim është pika kyçe. Qëllimi është thelbësor për një shoqëri demokratike, fuqizimi dhe krijimi i aftësisë për të marrë vendime të mirëinformuara.

Situata e ditëve të fundit, edhe ajo e disa krimeve rresht në shkolla, adoleshentë gjithnjë e më të rrezikuar nga ekspozimi çdo ditë e më shumë në rrjete sociale, në Shqipëri ka bërë që qeveria të nisi një fushatë që e quan konsultimi për mbylljen e disa rrjeteve sociale si shpëtim! Por a është vërtet shpëtim mbyllja e një apo dy rrjeteve sociale? Çështja është te edukimi, edhe të kuptuarit e rrjeteve sociale lidhet me edukimin mediatike! Te adoleshentët, madje, është ende një problem dallimi i imagjinares me realitetin, dhe prandaj “fake neës” do i gjejë ata të papërgatitur, duke i bërë më të predispozuar për të qenë viktima. Edukimi mediatik i ndihmon fëmijët të kritikojnë përfaqësimin mediatik, duke i mësuar ata të bëjnë dallimin midis realitetit dhe fantazisë, ndërsa krahasojnë dhunën mediatike dhe dhunën në jetën reale, heronjtë e medias dhe heronjtë e jetës reale, dhe modelet e rolit të medias dhe rolet e pritshmëritë në jetën reale.

Vendi jonë është thuajse në një hap me avancimet teknologjike por duke mbrapa hartimit të një kornize ligjore, sidomos në drejtim të sistemit arsimor për mbrojtjen e shoqërisë nga ekspozimi ndaj dezinfomimit. E lidhur kjo edhe me kulturën mediatike minimale.

Në Kuvendin e Shqipërisë një komision i Posaçëm është ngritur me qëllim për të luftuar dezinformimin dhe ndërhyrjen e huaj në demokraci. Raportimet e institucioneve, sidomos ato ligjzbatuese që lidhen me sigurinë, kanë ngritur alarmin e rreziqeve që vijnë nga dezinformomi i ndikuar nga fuqitë e huaj, por e shkruar në gjuhën shqipe. Qëllimi i komisionit është një platformë, e cila do të kërkojë ndërhyrje ligjore, por ende nuk është përmendur deri më tani domosdoshmëria e kurrikulave të edukimit mediatik në shkolla! Ky do të duhej të ishte qëllimi kryesor. Ligji për arsimin parauniversitar, aktet nënligjore dhe strategjitë nuk e specifikojnë edukimin mediatik si pjesë e procesit arsimor në shkollën fillore, bazë ose të mesme dhe kjo është diçka që duhet ndryshuar urgjentisht.

“Demokracia nuk mund të ketë sukses nëse ata që shprehin zgjedhjen e tyre nuk janë të përgatitur për të zgjedhur me mençuri. Mbrojtja e vërtetë e demokracisë, pra, është arsimimi”, thoshte Franklin D. Roosevelt, një prej presidentëve më të mëdhenj në historinë amerikane.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj