Kuvendi i Shqipërisë i është përgjigjur letrës së dërguar më 19 shtator nga Safe Journalist lidhur me raportimet se do të ketë kufizime për gazetarët dhe mediat në Kuvend. Kryetari Niko Peleshi thotë se institucioni nuk ka ndërmarrë asnjë masë që kufizon qasjen e mediave në punimet parlamentare.
Përmes një letre drejtuar organizatës, Peleshi siguron se Kuvendi “mbetet plotësisht i përkushtuar për të garantuar transparencë dhe akses të lirë për gazetarët” dhe e konsideron “lirinë e informimit si një përparësi”. Ai gjithashtu shpreh gatishmërinë për bashkëpunim me gazetarët, organizatat mediatike dhe shoqërinë civile “për përmirësimin e procedurave të akreditimit dhe komunikimit, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit në BE”.
“Për më tepër, ne riafirmojmë gatishmërinë tonë për bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm me gazetarët, organizatat mediatike dhe partnerët e shoqërisë civile. Ne mbetemi të hapur për dialog dhe konsultim me të gjithë aktorët në mënyrë që të përmirësojmë më tej procedurat e akreditimit dhe praktikat e komunikimit, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.”, thuhet në letrën e Peleshit.
Organizata SafeJournalist, në një reagim, thotë se mirëpret reagimin e Peleshit ndaj shqetësimit të tyre, por kërkon që deklaratat e vullnetit të mirë të pasohen nga masa konkrete dhe dialog të drejtpërdrejtë me gazetarët dhe organizatat mediatike. Organizata bën thirrje për rishikimin e politikës së akreditimit të gazetarëve, garantimin e transparencës dhe qasjes së barabartë, si dhe për protokolle të qarta për Gardën e Republikës për të shmangur pengesa arbitrare.
Në letrën e saj të 19 shtatorit, SafeJournalist dhe partnerët ndërkombëtarë si MFRR, RSF dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, kërkuan gjithashtu filmime të pavarura, mekanizma ankimi dhe konsultime të rregullta me median.
"Rrjeti SafeJournalists mirëpret reagimin e Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Niko Peleshi, ndaj letrës sonë të hapur që kërkonte përmirësimin e qasjes së gazetarëve në ambientet parlamentare. Megjithatë, ne bëjmë thirrje që Parlamenti të angazhohet menjëherë në një dialog të drejtpërdrejtë me organizatat e medias dhe gazetarët në Shqipëri për të diskutuar politikën e akreditimit, aksesin në Kuvend dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë konkrete shqetësimeve të komunitetit mediatik.
Shprehja e vullnetit të mirë duhet të pasohet nga masa të qarta dhe veprime konkrete që garantojnë transparencë, qasje të barabartë dhe respekt ndaj rolit të medias në një shoqëri demokratike. Rrjeti SafeJournalists, së bashku me partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizatat shqiptare për lirinë e medias, dërgoi më 19 shtator 2025 një letër të hapur drejtuar Kryetarit të Kuvendit për të kërkuar: zhvillimin e një dialogu të hapur me gazetarët dhe organizatat e medias mbi sistemin e akreditimit; përputhjen e politikave të Kuvendit me zotimet për transparencë dhe llogaridhënie të përfshira në Planin Strategjik 2025–2030; protokolle të qarta për Gardën e Republikës për të shmangur pengesa arbitrare; ruajtjen e pikave të shumta të aksesit për gazetarët; dhe garantimin e filmimeve të pavarura, mekanizmave të ankimit dhe konsultimeve të rregullta me median për çdo ndryshim të ardhshëm.
Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të mbështetur institucionet shqiptare në përmirësimin e lirisë së medias dhe të shprehjes, duke theksuar se gazetaria e lirë dhe e pavarur është themelore për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.", thotë SafeJournalist.
Letra e plotë e Peleshit:
Në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju falënderoj për letrën tuaj të datës 19 shtator 2025, si dhe për angazhimin dhe kontributin tuaj të vazhdueshëm në promovimin e transparencës, llogaridhënies dhe lirisë së medias në vendin tonë.
Dëshiroj të theksoj se Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të kufizuar qasjen e gazetarëve, qoftë në ambientet parlamentare apo gjatë zhvillimit të punimeve të Kuvendit. Kuvendi mbetet plotësisht i përkushtuar për të siguruar që gazetarët të gëzojnë qasje të pakufizuar në punimet parlamentare dhe të jenë në gjendje të kryejnë rolin e tyre thelbësor në informimin e publikut.
Kuvendi e konsideron veprimtarinë mediatike dhe lirinë e informimit si një përparësi. Nëpërmjet Shërbimit për Shtyp të Kuvendit, ne ofrojmë vazhdimisht informacion të përditësuar, publikojmë axhendat dhe oraret në kohën e duhur, dhe ofrojmë mbështetje logjistike për të gjitha mediat e akredituara.
Për më tepër, ne riafirmojmë gatishmërinë tonë për bashkëpunim konstruktiv dhe të vazhdueshëm me gazetarët, organizatat mediatike dhe partnerët e shoqërisë civile. Ne mbetemi të hapur për dialog dhe konsultim me të gjithë aktorët në mënyrë që të përmirësojmë më tej procedurat e akreditimit dhe praktikat e komunikimit, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe angazhimet e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Kuvendi do të vazhdojë të punojë për të nxitur një mjedis të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent, duke i shërbyer kështu interesit publik dhe duke mbrojtur vlerat demokratike që përbëjnë themelin e institucionit tonë.
Letra e Peleshit drejtuar organizatës
Komente












