Pas dorëheqjes si kryetar i LSI në Njësinë 11 në Laprakë dhe largimit nga strukturat e kësaj forcë politike për tu bashkuar me Partinë Socialiste të Shqipërisë, Gentian Arapi ka shpjeguar dhe motivet që e shtynë drejt këtij vendimi.

Përmes një postimi në Facebook, Arapi shprehet i zhgënjyer nga arroganca me të cilën i është shpërblyer e gjithë puna dhe kontributi i tij në krye të degës së LSI Laprakë.

Postimi i plotë i Gentian Arapit:

Me shumë përkushtim dhe besim përgjatë këtyre 6 viteve kam dhënë kontributin tim në strukturat e LSI së Laprakës. Jam njohur me shumë anëtarë të vjetër dhe të rinj që ashtu sikur unë kanë dhënë shpirtin në ngritjen e këtyre strukturave dhe kanë punuar pa interes krah meje duke më besuar për një të ardhme më të mirë të këtij komuniteti. I jam mirënjohës secilit prej jush për punën dhe vendosmërinë që keni treguar në fushatat që kemi bashkëudhëhequr dhe ju falenderoj përzemërsisht që keni besuar tek Genti. Në të dy fushatat e zhvilluara, LSI Njësia 11 Laprakë, ka marrë rezultate të paarritura më parë dhe secili prej nesh është i vetëdijshëm për punën e palodhur, angazhimin natë e ditë dhe përkushtimin tonë për të qenë gjithmonë të gatshëm për të mbushur sheshe dhe salla për të dalë ballëhapur ndaj kauzave tona.