ANGLI - Nga gëzimi i një suksesi që do të hyjë në histori deri te rënia në nivelin e tretë të futbollit anglez. Po flasim për Leicester Cityn, klubi që dhjetë vite pasi fitoi Premier League nën drejtimin e Claudio Ranierit , do ta gjejë veten duke luajtur në nivelin e tretë sezonin e ardhshëm.
Pasi ra në Championship në maj 2025, Leicester City ka rënë edhe më poshtë, në League One. Një barazim 2-2 kundër Hull City rezultoi vendimtar. 'Dhelprat', të parafundit në Championship, shtatë pikë larg zonës së mbijetesës, bien matematikisht nga kategoria me dy ndeshje të mbetura deri në fundin e sezonit.
Në një jetë tjetër, më 2 maj në Leicester ka pasur festime. Pas pak ditësh bëhen 10 vjet nga ai titull kampion i pabesueshëm në historinë e futbollit, jo vetëm në Premier League. Ishte skuadra e trajnerit Ranieri, e përrallës Vardy, e Mahrez e Kante.
E ndërsa sot shënohet 'funerali' i Foxes. Leicester ka rënë në Kategorinë e Tretë pas barazimit 2-2 në fushën e vet me Hull City. Nga mrekullia në makth, me tragjedinë e vdekjes së pronarit të klubit, Vichai Srivaddhanaprabha në 2018-ën, kur helikopteri i tij u rrëzua.
Barazimi ndaj Hull, ndeshja e disatë pa fitore, është fotografia e një sezoni dramatik. Një kthim i dyfishtë prapa, ku ka ndikuar shumë edhe penalizimi i shkurtit me 6 pikë për shkelje rregullash në sezonin 2023-24.
Klubi bëri rekurs, që u hodh poshtë dy javë më parë. Pa atë penalizim, Leicester do të ishte ende në garë për mbijetesë, ndërsa tani nuk ka më shpresë. 'Dhelprat' kanë rënë në League One dhe më 2 maj nuk do të ketë asgjë për të festuar.
Tani Leicester do të duhet të menaxhojë një qendër stërvitore që është tepër e shtrenjtë, për të mos thënë më shumë. Diçka e paimagjinueshme për një klub të nivelit të tretë. Qendra stërvitore e 'Dhelprave' përmban 14 fusha stërvitore me madhësi të plotë, palestra të personalizuara dhe madje edhe një fushë golfi. Në thelb, një strukturë masive që kushton mbi 100 milionë euro për një klub që ka qenë në rënie në harkun kohor të dy viteve.
Komente



