Dhimitër Canco/Regjimi i konfiskoi
gjithçka edhe pse kontribuoi për Lëvizjen

Dhimitër Canco/Regjimi i konfiskoi<br />gjithçka edhe pse kontribuoi për Lëvizjen
Kjo është pjesa e dytë e intervistës së Zhani Cancos për xhaxhain e tij Dhimitër Canco, intelektualin që hapi librarinë e parë “Argus” në Tiranë e më vonë edhe një degë të saj në Korçë, duke e shndërrua atë në një pikë ku takoheshin çdo ditë intelektualë, rryma politike, ide e zhvillimet kulturore nga më të ndryshmet.

Pas rrëfimeve mbi aktivitetin e librarisë Argus dhe shumë kuriozitete që lidheshin me aktivitetin e Dhimitër Cancos në vitet ‘30, sot sjellim pjesën e dytë ku trajtohet marrëdhënia e tij e vështirë me regjimin komunist. Pas vitit 1945, Dhimitër Cancos i sekuestruan librarinë, kinema Glorian, dhe i morën deri edhe shtëpinë, edhe pse ai kishte kontribuar për lëvizjen komuniste që në vitet ’30, dhe më tej edhe gjatë viteve të luftës. 
 

Z.Canco, idetë e para komuniste në Shqipëri u shpërndanë veç të tjerash edhe nga shtypi i huaj që vinte dhe shitej në librarinë “Argus”, apo jo. Cilat gazeta ishin saktësisht?
 
Libraria “Argus” u bë qendra e parë në Shqipëri që përhapte shtypin demokratik dhe komunist të jashtëm si dhe shumë libra me përmbajtje marksiste-leniniste. Në këtë librari Dhimitër canco ka njohur edhe militantin e shquar komunist Ali Kelmendi, i cili me anën e shokëve të tij që kishte në Tiranë, i jepte trakte të ndryshme mbi mënyrën e organizimit të klasës punëtore, të cilat ai i përhapte në pika të ndryshme të Shqipërisë.

Po ashtu, me një numër të kufizuar, dilte në Shqipëri edhe gazeta e Partisë Komuniste franceze “L’Humanité”. Është interesant fakti që Dhimitër Canco solli për herë të parë librin e Karl Marksit, botuar me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së tij. Ky ishte botuar në Francë, në Paris, me rastin e 50-vjetorit të vdekjes së Karl Marksit.
    
Çfarë trajtonte ai libër?

Përfaqësonte marksizmin, edukimin marksist, idetë marksiste. Pikërisht ky libër dhe të tjerë më vonë, tërhoqi vëmendjen e ministrit të Brendshëm të asaj kohe Musa Juka, i cili e burgosi tri herë duke e thirrur personalisht në kabinetin e tij dhe duke i thënë: “Po të vazhdosh aktivitetin e përhapjeve të ideve komuniste në Shqipëri, do të kalbesh në burg”. Kjo shpatë e Demokleut varej mbi kokën e tij gjatë gjithë periudhës së sundimit zogist deri në prill të vitit 1939. Me pushtimin italian, Dhimitër Canco u arrestua dhe u  burgos për 7 javë.
 
Sa kontribuoi realisht Dhimiter Cacnco per lëvizjen komunisten?


Një degë e “Argus”-it ishte hapur edhe në Korçë, nga nipi i tij, Pandi Marko menaxher. Është diçka shumë interesante që Dhimitri kujton një nga ditët e vitit 1941, nuk e di nëse ishte formuar partia komuniste apo jo. Nipi i tij i thotë: “Xhaxha, ma merr këtë valixhe dhe nesër do të vijë një person për ta marrë në librarinë Argus”. Udhëtimet e zakonshme në atë kohë bëheshin me autobusë të firmës italiane. Valixhet vendoseshin sipër. Kur arriti në Tiranë, kur hamalli po e zbriste nga pjesa e sipërme e autobusit valixhen, ajo u hap dhe u shpërndanë traktet që duhej të shpërndaheshin në Tiranë. Dhimitri iku. Hamalli bërtiste: “E kujt është kjo valixhja?”. Asnjë s’u përgjigj dhe kështu ai shpëtoi nga një arrestim i mundshëm. Shpesh Dhimitri, xhaxhai im, më thoshte: “Kam ndihmuar lëvizjen me jetën time, kam paguar partinë me mjete financiare dhe tani kam mbetur vetëm proletar. I kam humbur të gjitha. Kam humbur librarinë, kinema “Gloria” dhe shtëpinë”.
  
Çfarë ndodh pas vitit 1945?


Dhimitri kishte një pasion të jashtëzakonshëm për studimin e gjuhëve të huaja. Kjo i kishte krijuar mundësi dhe mënyra komunikimi me shtëpitë botuese italiane dhe franceze. Ai fliste e shkruante frëngjisht, italisht, greqisht dhe rumanisht.

Thoshte gjithmonë që gjuhët e huaja i kishte mësuar për qejf, për tregti dhe nuk e mendonte kurrë që do të vinte një kohë kur me këto do të jetonte. Duke qenë se ai dinte frëngjisht, italisht, greqisht dhe rumanisht, aty vinin persona të nivelit më të lartë të shoqërisë shqiptare.

Vinin njerëz që do të shkonin për të studiuar jashtë shtetit, vinin njerëz, të cilëve gjuha e huaj u duhej për të marrë tituj shkencorë dhe vinin edhe njerëz të tjerë, të cilët e mësonin gjuhën  e huaj për pasion. Kur po bënim  promovimin e nëj vëllimi poetik të Basir Bushkashit, poet i jashtëzakonshëm matjan, takova dikë që më pyeti se çfarë e kisha Dhimitër Cancon. I thashë që e kisha xhaxha. Më tregoi se xhaxhai im i kishte dhënë për dy vjet mësime frëngjishteje, të cilat i ruante të incizuara, pasi Dhimitri kishte një diksion të jashtëzakonshëm të gjuhës frënge. Ishte fundi i viteve 80-të. Dhe ky person më deklaroi se Dhimitri i kishte thënë se sikur t’i jepej një vizë për të shkuar në Francë, do ta vizitonte Parisin në këmbë.

Dhe i dhashë të drejtë. Kur e pashë këtë qytet për herë të parë, pasi shkova dhe herë të tjera, më dukej sikur herën e parë nuk kisha parë asgjë. Po kështu më ndodhi dhe kur shkova herët e tjera.

Dua të mos kujtoj atë çfarë ka ndodhur me jetën e tij, por dua të përsëris, se, megjithëse atij i ndodhën të gjitha ato turbullira në jetën e tij, ai ka qenë gjithnjë njeri i majtë, njeri që e kujtonte të majtën shqiptare si diçka që do të sillte shumë të mira për këtë vend, gjë që nuk ndodhi.
 
 Domethënë gjatë gjithë viteve të regjimit komunist, ai jetoi në vështirësi, duke parë që idetë që ai kishte për komunizmin ishin tjetër gjë nga çfarë u zbatua këtu. A e përjetoi rrëzimin e rejgimit?

Jo ai vdiq para se të rrëzohej regjimi. Nuk e gëzoi dot as këtë gjë. Ajo që është interesante është që ai ndjente diçka në atë kohë. Dhe kishte shumë dëshirë të shkonte në Paris.
 
Kur ju e takonit xhaxhanë tuaj gjatë kohës së regjimit komunist, shfaqte mërzi për të gjitha ato përpjekje që kishte bërë dhe që u shumëzuan me zero?

Unë nuk kisha shumë qejf të shkoja, duke qenë se isha në një pozicion pune të tillë. Dy-tre muaj para se të vdiste më tha: “Ku je, se kam mbetur pa ngrënë. Hajde më ndihmo”. I sugjerova që të shiste pikturat që kishte dhe kështu bëri. Ato i mblodhi Galeria e Arteve. Jetonte duke dhënë mësim. Por, kjo i jepte edhe kënaqësi. Më tha: “Babanë tënd e quajnë drejtor. Mua e gjithë Shqipëria më quan profesor”.
 
Sipas jush, vetëm për arsyen se ishte mik me Harri Fullcin u la mënjanë nga regjimi?

Jo.

Por për çfarë arsyeje?              

Ai ishte tip impulsiv. Nuk mund të punonte në shtet. E kishte të vështirë duke qenë se gjatë gjithë kohës kishte pasur para, kishte lëvizur.
 
Cili ishte fundi i librarisë “Argus”?

Pas vitit 1945 ajo u mbyll. U sekuestrua. Dhimitrin e nxorën nga shtëpia.

Ku mund të jenë sot librat e librarisë së Dhimitër Cancos?

Nuk e di.
 
Nuk keni gjetur ndonjë gjurmë në Bibliotekën Kombëtare apo diku tjetër?

Nuk e di. Kam dashur të bëj diçka më tepër për Dhimitrin sepse ka mbetur një figurë në hije. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, një prurje të jashtëzakonshme intelektuale. Libraria ka qenë jo vetëm një vend takimi i të gjitha rrymave dhe zhvillimeve, por ka qenë edhe një vend ku gjeje të gjithë librat që ndodheshin në qarkullim në atë kohë në Evropë, e sidomos në Francë dhe në Itali.


Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com
     

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë