TIRANE - Kryetari i Partisë Kristian Demokrate Dhimitër Muslia në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” tregon se përse partia e tij po përballet me sulmet e paprecedenta që e lidhin me Arben Frrokun të akuzuar për vrasjen e kryekomisarit.

Muslia thotë se këto sulme bëhen për shkak se PKD do marrë një deputet në qarkun e Shkodrës, ndërkohë që PDK e Nard Ndokës është shkrirë në këtë qark, duke kaluar te kristiandemokratët e te opozita. Njëherësh ai shpjegon dhe arsyet se përse janë në koalicion me PS dhe opozitën, duke u shprehur kundër lëvizjeve të shpeshta të Ndokës.

Kur është krijuar partia Kristian Demokrate dhe cili është synimi juaj në skenën politike shqiptare?

Partia Kristian Demokrate është krijuar më 17 maj 2002. Në drejtimin e saj ka pasur disa liderë të respektuar, të cilët janë përpjekur t’i japin vlerë dhe kuptim kësaj partie. Ardhja ime në drejtimin e PKD nuk ka qenë e rastësishme, por është bërë përmes një procesi të drejtë dhe ligjor sipas statutit të partisë.

I jam përgjigjur ftesës së drejtuesve të PKD për të bashkëpunuar me qëllim rritjen e perfomancës dhe çarjen përpara të filozofisë kristianë, përmes bërjes faktor në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti.
 
Ju keni qënë ndër të parët në PDK dhe më pas drejtues i lartë i saj si dhe kryetar për Tiranën më këtë parti. Cila ishte arësyeja e largimit tuaj?

Spektri demokristian për “meritë” të PD është ndarë në disa sigla. Ku liderët përkatës, për interesat e tyre personale, e kanë dëmtuar jo pak këtë filozofi. Ardhja e Nard Ndokës në krye të PDK, përveç bashkimit të disa deputetëve që çoi në marrjen e një portofoli ministror në kabinetin qeveritar, njohu dhe disa gabime parimore të cilat gradualisht çuan në humbjen e frymës dhe të moralit të kësaj partie dhe rrudhje në elektorat ditë pas dite.

Sidomos mosrakordimi midis njerëzve qëndrestarë e idealistë të kësaj partie në vite dhe të ardhurve rishtas kryesisht nga PDS e Milos, ku këta të fundit u vendosën në postet kryesore drejtuese të pushtetit, kanë sjellë pasoja negative në PDK.

Më pas kapërcimi i zotit Ndoka nga një krah në krahun tjetër të spektrit politik krejt në mënyrë të paarsyeshme e të pamotivuar për një karrige zv.miministri, e bëri dhe më të rëndë situaten në PDK.

Harresa e qëllimshme e dëshmorit të demokristinëve, të ndjerit Aleks Keka për të cilin ai kishte fajësuar drejtpërdrejt strukturat e larta të PD, bashkimi me ata të cilët vodhën votën e demokristianëve në zgjedhjet e vitit 2009 dhe të cilësuar në vijimësi si përgjegjës për ngjarjen e rëndë të 21 janarit dhe humbjen e katër jetëve nga plumbat e Gardës së Republikës, kanë qenë disa nga mëkatet e këtij lideri diletant.

Që nga ky moment ne morëm vendimin përfundimtar për t’u larguar nga PDK. Thelbi i marrëveshjes sonë me strukturat e PKD ka qenë dhe mbetet: Krijimi i një fryme ekipi në parti e jo lideri dhe mundësimi i bashkimit të të gjithë strukturave të spektrit kristian në Shqipëri.
 
Po afrojnë zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Jeni rreshtuar në koalicionin opozitar që drejtohet nga PS. Cilat janë arsyet e një bashkëpunimi të tillë…?

Pjesmarrja në koalicionin parazgjedhor të kryesuar nga Partia Socialiste është e diktuar në radhë të parë nga Kodi Zgjedhor aktual, por dhe për arsye programore, pasi PKD është një parti popullore e qendrës, me një program që dominohet nga dimensioni social.

Kemi pasur një ftesë nga PS për një tryezë të partive opozitare, në të cilën ne kemi qenë të pranishëm. Por ende nuk kemi nënshkruar një marrëveshje. Perceptimi ynë është se në kushtet e një krize aktuale shumëdimensionale, rotacioni politik më 23 qershor është një domosdoshmëri.
 
Një përfaqësues i partisë suaj akuzohet për vrasje, madje dhe po tentohet të lidhet me kreun e opozitës një gjë e tillë. Komenti juaj?

Zoti Arben Frroku është një demokristian i hershëm me kontribute reale, ku në vitin 2007 ka qenë një ndër sponsorët kryesorë të fushatës së PDK dhe zotit Nard Ndoka në zgjedhjet për pushtetin vendor. Tek PKD ai është një ndër kandidatët e ofruar për të garuar në qarkun e Shkodrës në zgjedhjet e 23 qershorit, por ende i pazyrtarizuar.

Kohët e fundit është trumbetuar shumë problemi i arrestimit të zotit Arben Frroku si i dyshuar për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. Ne kemi kërkuar që të qëndrojmë të paanshëm në këtë process, duke lënë organet kompetente të bëjnë punën e tyre për të zbardhur të vërtetën.

Por ngutja e policisë për ta ngushtuar rrethin e të dyshuarve vetëm te z.Arben Frroku ende pa u shqyrtuar provat, tentativa e disa krerëve të ekzekutivit për t’i dhënë ngjarjes sfond politik dhe për të inkriminuar PKD, duke rezonuar dhe opozitën, është një strategji e errët në stilin e ish-sigurimit të shtetit.

Në thelb kjo pasqyron këmbanat e alarmit, panikut që ka kapur kupolën e lartë të PD dhe mazhorancën e sotme për humbjen e mandateve në qarkun e Shkodrës dhe daljen në opozitë më 23 qershor.
 
Pra ju mendoni se gjithçka është e sinkronizuar nga pushteti aktual për të dëmtuar ju si parti dhe opozitën në tërësi….?

Nga organizimi i strukturave dhe testimi në terren po rezultonte se ne do të ishim fitues i një mandati deputeti në Shkodër. Kjo frymë fitoreje po afronte shumë nga strukturat e PDK të zotit Nard Ndoka tek ne.

Në mënyrë konkrete kanë kaluar nga PDK te partia jonë këshilltarët komunalë dhe bashkiakë, si dhe kryetari i PDK i Malësisë së Madhe, Çesk Kalaj. Mark Kroqi dhe Alma Kurti janë larguar përfundimisht nga PDK, ndërkohë që Gjelosh Prendi, Bal Vuksani(kryetarë komunash) janë bashkuar me opozitën.

Kjo e shqetësoi mazhorancën dhe zotin Ndoka, partia e të cilit tani ka mbetur një hije e së shkuarës. Mund ta them me plot gojën se PDK në qarkun e Shkodrës nuk ekziston më. Nëse z.Ndoka do t’i shërbejë si patericë Berishës dhe pushtetit të tij, është një zgjedhje e tij. Por kjo nuk u shërben aspak qëllimeve e moralit të demokristianëve në tërësi.
 
Pas gjithë këtyre sulmeve, skemave të goditjes ndaj PKD siç i cilësoni ju, cili është mesazhi që jepni për elektoratin e partisë suaj për zgjedhjet e 23 qershorit?

Asnjë pengesë, asnjë presion nuk do të na tërheqë nga rruga e nisur. Ne do të marrim një deputet në Shkodër, me votën e të gjithë demokristianëve dhe ky është një obligim i shenjtë.  Kristian Demokratët, do të jenë të paepur në mbrojtje të lirisë, shtetit të së drejtës, të parimeve demokristiane, të dashurisë, paqes dhe mirëkuptimit të ndërsjelltë.
 
Po zoti Ndoka ju ka cilësuar parti fantazëm…?
Përgjigjien po ia jep Shkodra që tani, por vulën do ta vendosë po Shkodra me 23 qershor me votën e saj.

Shkrimi u botua në gazetën Shqiptarja.com (print) 03.02.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)