Atë natë, në hotelin ‘National’ të Havanës, shumë pak njerëz e dinin se udhëheqësi kuban, Fidel Kastro, do të priste në suitën e tij një gazetare tërheqëse amerikane, Lisa Howard. Ishte agimi i 13 shkurtit 1964, kur ndihmësi i Kastros, René Vallejo, u largua nga suita, duke e lënë komandantin vetëm me gazetaren amerikane.

Ajo mendonte se e njihte mjaft mirë revolucionarin 37-vjeçar, njeriun që, së bashku me Çe Gevarën dhe një grup luftëtarësh, kishte arritur të mposhtte ushtrinë e diktatorit Fulgencio Batista.

Por, siç do ta kuptonte vetëm disa muaj më vonë, ajo nuk e njihte aq mirë një prej figurave më të debatueshme dhe më komplekse të shekullit XX. Një njeri që për shumëkënd mishëronte figurën e revolucionarit të fundit, por që, përtej luftës dhe politikës, kishte edhe një dobësi të veçantë për anën e shkëlqyer të jetës.

Kastro i bëri të gjitha me intensitet të jashtëzakonshëm: luftoi në malet e Sierra Maestrës, mbajti fjalime që zgjatnin me orë të tëra, pati dhjetëra marrëdhënie dashurore, u përball me Shtetet e Bashkuara në një krizë që e çoi botën buzë një katastrofe bërthamore dhe shijoi purot e tij të preferuara Cohiba, të prodhuara me porosi të posaçme vetëm për të.

I bëri të gjitha me nxitim

Sipas disa legjendave popullore kubane, Fidel Kastro qau sapo erdhi në jetë, më 13 gusht 1926, në fshatin Birán, në provincën Oriente të Kubës.

Ai u rrit në një familje të pasur pronarësh tokash, me shtatë fëmijë, të cilët nuk u mungonte asgjë. Fideli ishte djali i katërt. Zgjodhi të studionte drejtësi, një vendim që do t'i hapte horizonte të reja, megjithëse nuk dihet saktësisht se kur, krahas librave juridikë, nisi të interesohej edhe për veprën e Karl Marksit.

Gjatë studimeve në Universitetin e Havanës, filloi të përfshihej aktivisht në lëvizjet kundër regjimit të Batistës. Në vitin 1953, kur ishte vetëm 27 vjeç, u bë një prej drejtuesve të sulmit ndaj kazermave ushtarake në Santiago de Kuba, më 26 korrik.

U arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg, por pas dy vjetësh përfitoi nga një amnisti dhe u largua drejt Shteteve të Bashkuara, ku u përpoq të organizonte kubanët e mërguar për të nisur revolucionin.

CIA, e cila e ndiqte nga afër, e konsideronte një kërcënim serioz për interesat amerikane. Kastro u largua më pas drejt Meksikës, prej nga, më 2 dhjetor 1956, u kthye në Kubë së bashku me një grup të vogël luftëtarësh. Ata u strehuan në male dhe nisën organizimin e rezistencës së armatosur.

Fjalimet e tij drejtuar fshatarëve dhe punëtorëve ishin të zjarrta. Radhët e ushtrisë guerile rriteshin dita-ditës, ashtu si edhe fama e komandantit me dy orët Rolex në kyçin e dorës, një markë që ai e kishte veçanërisht për zemër dhe që, me sa duket, i shtonte edhe më shumë hijeshinë në sytë e grave.

Brenda tre vjetësh, luftëtarët revolucionarë po i afroheshin gjithnjë e më shumë fitores. Batista, megjithatë, nuk e kuptoi seriozitetin e kërcënimit, duke besuar se ushtria e tij dhe mbështetja amerikane do ta mbanin pushtetin.

Më 29 dhjetor 1958, bashkëluftëtari i Kastros, Çe Gevara, hyri triumfues në Santa Clara, duke hapur rrugën drejt kryeqytetit. Më 1 janar 1959, Batista u largua nga Kuba, ndërsa më 8 janar Fidel Kastro hyri triumfalisht në Havanë.

Gjashtëqind atentatet

Kubanët e pritën me entuziazëm komandantin e ri, i cili mori drejtimin e vendit dhe nisi ndërtimin e një Kubaje të re. Në Uashington, ndërkohë, zhvillimet ndiqeshin me vëmendje dhe shqetësim.

Fillimisht, Kastro nuk e shpalli veten komunist. Por në vitin 1960 shtetëzoi 166 kompanitë amerikane që vazhdonin të ushtronin aktivitet në Kubë. Një vit më vonë, deklaroi hapur besnikërinë ndaj ideve socialiste.

Më 3 janar 1961, Shtetet e Bashkuara ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Kubën dhe vendosën embargo tregtare. Tre muaj e gjysmë më vonë, tentuan të përmbysnin regjimin e Kastros përmes një zbarkimi të rreth 1.500 kundërshtarëve të tij në Gjirin e Derrave. Operacioni, i mbështetur nga CIA, përfundoi në një dështim të rëndë.

Ky nuk ishte i vetmi dështim amerikan. Në selinë e CIA-s, në Langley, Kastro ishte kthyer në një objektiv obsesioni që prej marrjes së pushtetit.

Në vitin 1959, agjentët amerikanë rekrutuan 19-vjeçaren gjermane Marita Lorenz, e cila kishte pasur një lidhje dashurore me Kastron, për ta helmuar atë. Plani dështoi kur kapsulat me helm, të fshehura në një kuti kremi, u shkrinë përpara se të përdoreshin.

Vite më vonë, vetë Marita do të rrëfente se nuk do të kishte mundur ta vriste njeriun me të cilin kishte pasur një marrëdhënie intime.

Sipas rrëfimeve dhe dokumenteve të publikuara ndër vite, CIA kishte hartuar rreth 600 plane dhe komplote për eliminimin e Kastros.

Disa prej tyre tingëllonin si skenarë filmash spiunazhi: puro të mbushura me eksploziv, një kostum zhytjeje i kontaminuar me kërpudha dhe baktere të rrezikshme, puro të helmuara me toksinë botulinike, madje edhe guaska deti të mbushura me eksploziv, të vendosura në fund të detit, në vendet ku ai pëlqente të zhytej.

Asnjë prej këtyre planeve nuk arriti të realizohej.

Burri që magjepste gratë

Kastro vazhdoi të mbante fjalime madhështore, disa prej të cilave zgjasnin më shumë se katër orë. Por, krahas politikës dhe revolucionit, ai vazhdoi të shijonte edhe jetën sentimentale, duke pasur një numër të madh marrëdhëniesh me gra tërheqëse.

Pjesa më e madhe e këtyre lidhjeve mbeti e mbuluar nga misteri dhe diskrecioni. Siç shkruante gazeta britanike ‘The Telegraph’ në vitin 2010, jeta sentimentale e Kastros ishte një temë pothuajse tabu.

Rreth tij u krijuan histori të panumërta, disa prej të cilave dukshëm të ekzagjeruara. Një prej tyre pretendonte se ‘El Caballo’ (Kali), siç e quanin ndonjëherë, kishte pasur marrëdhënie me plot 35 mijë gra.

Madje, sipas disa rrëfimeve, edhe aktorja e famshme italiane Gina Lollobrigida kishte rënë pre e hijeshisë së tij.

Në Havanë, Santiago de Kuba dhe qytete të tjera, shumë djem të lindur gjatë viteve të lavdisë së revolucionarit thuhet se ishin regjistruar me atësi të panjohur, ndërsa emri Fidelito u bë një prej emrave që lidhej me këtë histori.

Edhe martesat e tij erdhën e ikën, ashtu si qindra marrëdhëniet e tjera dashurore. Kastro ishte një personalitet dominues, pasionant dhe karizmatik, që dinte të tërhiqte vëmendjen e grave.

Fundi i një epoke

Në vitin 2006, Kastro u përball me probleme të rënda shëndetësore dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Për këtë arsye, ia kaloi përkohësisht pushtetin vëllait të tij, Raúl Castro.

Më 19 shkurt 2008, pas afro gjysmë shekulli në krye të Kubës, njoftoi dorëheqjen përfundimtare nga drejtimi i vendit.

Pas operacionit, ai nuk ishte më i njëjti njeri. Gjatë dhjetë viteve të fundit të jetës, gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua gradualisht, ndërsa ai u tërhoq gjithnjë e më shumë nga jeta publike.

Më në fund, më 25 nëntor 2016, në moshën 90-vjeçare, Fidel Kastro u nda nga jeta në Havanë.

Ai nuk arriti ta shihte më për herë të fundit perëndimin e diellit nga suita e tij e preferuar në hotelin ‘National’, përballë bulevardit të famshëm Malecón.

Me vdekjen e tij u mbyll një prej kapitujve më të jashtëzakonshëm, por edhe më të debatueshëm, të historisë politike të shekullit XX.