Dhjetor ’43, Abaz Kupit- Enverit:
E fillova vetë luftën, unë e mbyll!

Dhjetor ’43, Abaz Kupit- Enverit:<br />E fillova vetë luftën, unë e mbyll!
TIRANE- Një letër e 27 janarit 1944, shkruar nga Nako Spiro  për Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare, zbulon detaje interesante mbi përplasjet e krerëve të kësaj partie me Abaz Kupin, largimin e tij nga Kryesia e Këshillit Nacional Çlirimtar dhe përfshirjen e tij në shërbim të Legalitetit.

Letra e nënshkruar në fund  nga Deti (Nako Spiro) fillon me këtë përplasje e vijon me çështje të tjera të brendshme të partisë, probleme ushtarake, disfata e përballje më shumë se me pushtuesin me armiqtë e tyre të brendshëm, rrugëtimi përmes maleve dhe vështirë të shumta për të kaluar nga një vend në një tjetër dhe shumë informacione mbi personazhe të shumtë trajtuar me hollësi nga letërshkruesi. 

Çështja e largimit të Abaz Kupit nga Këshilli Nacional Çlirimtar, duket se i kishte shqetësuar mjaft krerët komunistë. Ata e trajtojnë me shumë kujdes figurën e tij. Siç raporton Nako Spiro, me 7 dhjetor ata janë takuar me Abaz Kupin në Shëngjergj, por ky i fundit refuzoi të marrë pjesë në mbledhjen e kryesisë së Këshillit, edhe pse një natë më parë sipas letërshkruesit ai kishte deklaruar se do të merrte pjesë. Nga kjo letër mësojmë se takimi është bërë, por Abaz Kupi ka shkuar së bashku me një përfaqësi të Partisë Zogiste dhe ka mundur të takohet në një dhomë me një komision të përbërë nga Enver Hoxha, Ymer Dishnica dhe Fetah Ekmekçiu.

Nga bisedimet sipas Nako Spiros, Kupi ka theksuar se luftën e kishte filluar vetë dhe se ai do ta mbaronte.  Ai kishte këmbëngulur që të gjithë partitë të viheshin nën hijen e Legalitetit. “Partitë politike, të majta a të djathta qofshin, të veprojnë në kuadrin e Legalitetit”, citon Nako Spiru, duke vijuar se në momentin e ndarjes Kupi ka premtuar se “nuk do t’a prishte punën 5 minutat e fundit dhe se nuk do të na qëllonte në asnjë mënyrë po të mos e ngitshim…”

Më tej Nako Spiro jep infomata të tjera lidhur me Abaz Kupin dhe mardhënien e tij me Ballin Kombëtar. Mes këtyre rreshtave kuptohet se për udhëheqjen komuniste Abaz Kupi që nga momenti i tërheqjes së tij ishte kthyer në armik për ta dhe ata do ta kishin vazhdimisht nën vëzhgim.
Më tej në vijim të raportit të tij për Komitetin Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare, Nako Spiro trajton shumë çështje të brendshme të Partisë, dhe informata të hollësime mbi luftën dhe forcat partizane. Letra e gjatë do të botohet e plotë për lexuesin në dy numra të gazetës, duke filluar sot me pjesa e parë ku trajtohet ky takim i Abaz Kupit në Shëngjergj me Enver Hoxhën dhe kalimi i tij me “Partinë Zogiste”, siç e cilëson Nako Spiru.
 
Dokumneti i plotë
 
Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste Shqiptare
 
Mbi përjashtimin e Abaz Kupit, operacionet ushtarake të ndërmara nga anmiku në Shqipnin e Mesme që nga 19/XII/1943 dhe situatën e krijuar në këtë vend.
 
Të dashur shokë
Më 7 të Dhjetorit takuam me Abaz Kupin në Shëngjergj. Refuzoi të merte pjesë në mbledhjen e kryesisë së këshillit, me gjith se në mbrëmje i kish deklarue doktorit, Tafarit dhe Sejfullahut se nuk do të mungonte. Deklaroi se ai e konsideronte vehten dorëheqës nga Këshilli Nacional-Çlirimtar dhe se kish ardhë për të biseduar me kryesin e Këshillit si delegat i Partisë Zogiste. Kërkoi që në këtë mbledhje të mershin pjesë edhe njerzit që kishte pas. Neve nuk pranuam asgjë nga këto. Caktuem nji komision të përbërë nga Enver Hoxha, Ymer Dishnica dhe Fetah Ekmekçiu që t’i komunikonte dizaprovimin t’onë të plotë dhe dënimin e politikës së tij. Neve të tjerët dolëm jashtë nga shtëpija e takimit. (Të gjith kto bisedime bëheshin në nji dhomë ku ishim ne, Bazi dhe njerzit e tij).

Komisioni përveç të tjerave i deklaroi Bazit se nuk kishte kompetencë për të bisedue mbi Partinë Zogiste dhe mbi Legalitetin, për të cilat gjëra nuk kish akoma inosion ekzakt. Në këtë mes hyn në bisedim edhe Jahja Çuçi, Patër Lek Luli, Shefqet Ndroqi e të tjerë nga suita e Bazit. Teza e mbrojtun nga komisioni qe ajo e përmbledhur në rezolucionin e botuar ma vonë. Bazi bani shumë zhurmë dhe përsëriti vazhdimisht se kishte qenë ai që e kishte fillue luftën dhe ai që do t’a mbaronte. Teza e tij ishte që t’i vejë të tërë nën hijen e Legalitetit. Legaliteti mbi të gjithë. Partitë politike, të majta a të djathta qofshin, të veprojnë në kuadrin e Legalitetit. U nda duke thanë se ai nuk do t’a prishte punën 5 minutat e fundit dhe se nuk do të na qëllonte në asnjë mënyrë po të mos e ngitshim.

Ai ka vazhdue të mbajë deri më sot qëndrimin e ma parshëm. Saboton sistematikisht punën t’onë në rajonin e tij – Mat Krujë dhe Veriu i Tiranës – dhe ku i mbrin dora. Çetës t’onë në Mat i dha ultimatum që të largohet, por ruhet mjaft që të mos komprometohet me gjermanët dhe me njerzit e Tiranës, me të cilët asht në kompromis të mshefët. Shumë njerës të tij regjistrohen xhandarë. Njerës të tij kanë qenë ata qi udhëhoqën gjermanët nga Mati për në Valë të Martaneshit. Me gjith atë ai nuk hyn në vallen e Ballit dhe të Mehdi Beut. Si po duket kërkon t’a ruejë vehten me çdo kusht për nesër. Por asht zor të dalish pa lagë nga rruga e kompromisit, prandaj dhe Bazi do të konfondohet me Ballin pak nga pak.

2. – Natën 11-12 Dhjetor tentuem të kalojmë Shkumbinin për të ardhë ke ju. Bataljoni i II-të i Brigadës së III-të kaloi urën e Haxhi Beqarit dhe tue gdhirë sulmoi objektivat e caktuem në zonën e Polisit. Neve bashk me misionin engles do kalojshim lumin, me bataljonin e I-rë dhe të III-të  të Brigadës së III-të sipër Zibrakës; Bataljonet do të sulmojshin objektivat e paracaktuem, do të piqeshin me Bataljonin e II-të dhe do të vazhdonin rrugën me ne për Sopot. Por informata doli e gabueme. Lumi ishte e pamundun të kaloheshe. Lila, Samiu dhe shokët e Çermenikës të lajmëruem prej kohësh për me na regullue rrugën, u gënjyen nga informatat inekzakte të nji fshatari. Ata nuk çanë kokën t’a studjojshin mirë këtë punë dhe na futën në nji qor-sokak qi po .... (nuk lexohet shën.red.)akoma. Tentativat e bëra të… (nuk lexohet shën.red.) natën për të kaluar dështuan, kështu që neve u tërhoqëm në Labinot. Ndërkaq Bataljoni i II-të kish fillue përpjekjen.

Rethimi i shtëpijave balliste nuk pati asnjë sukses pse ballistat kishin zbritur nji ditë përpara në qytet ku kishin marë fuqinë. Ata që kishin mbetur aty ishin forcue dhe nuk u dorëzuen. Ndërkaq atyre i vajtën në ndihmë brenda mëngjezit trupa gjermane, të cilat akoma edhe sot nuk dihet mirë se po venin andej për të bërë fortifikata, apo ishin në nji postë gjermane të krijuar aty pari qi shokët t’onë nuk e dinin. Bataljoni ra në pozitë të vështirë. Fshatarët u ngrejtën me armë kundra tij. Komandanti, Muhedin Sherifi u vra. Më shumë se gjysma e Bataljonit mujti të rikthehet në Brigadë brenda 3-4 ditëve të tjerët mbetën të vrarë e të zënë rob nga ballistat. Kta të fundit i liruen gadi të tërë mbassi i bënë të deklarojnë se nuk janë ma partizanë.

Duhet të shënojmë se asnjë nga kta nuk kanë deklaruar kurgja, porse për t’i diskretituar anmiku i futi në nji kategori me të tjerët. Ndërkaq neve pritëm në Labinot deri sa të gjindesh mundësija e kalimit, por Shtabi i Brigadës nuk çau fort kokën për nji gja të tillë dhe më 17 neve u kthyem në Shëngjergj. Shënoj këtu se neve nuk dinim asgjë mbi zonën përtej lumit. Niseshim për operacione me nji pllan kaq të guximshëm tue pasë vetëm nji njeri qi njifte vendin (ose qi duhet t’a njifte), Luto Lekën, i cili ish me Bataljonin e II-të dhe u zu rob e u lirue (natyrisht me kompromis). Më 19 në mëngjes trupat gjermane pas nji luftimi të shkurtër thyen pozitat t’ona në Griqan, përshkuen të gjithë rrugën e Shëngjergjit dhe së bashku me ballistat filluen operacionet në Çermenikë, Zaranikë, Shëngjergj dhe Martanesh.

Për të pasë nji idé ekzakte mbi sa ndodhi po ju mbyll këtu kopje të letrës që i dërgova Daliut. Në Griqan luftoi vetëm nji kompani e bataljonit të III-të të Brigadës. Brigada mbasandaj ra nja dy herë në përpjekje të vogla me gjermanët dhe me ballistat në zonën e Zaranikës e të Dajtit. Të dekurajuem, të smurë, të lodhur dhe pa bukë shumë partizanë shkuen ndër shtëpija kush me leje e kush pa leje. Brigada ka mbetë me 200 deri 300 vetë. Kur i dërgova letrën Daliut ai ishte nisë për Mat me gjith Brigadë, pse reth Tiranës, thotë ai, ishte e pa mundun me qindrue nga reaksjoni. Unë mendoj se ata po nuk qenë të zot me përballue reaksjonin në Mat, nuk bajnë ma gja tjetër veçse nji provokacion pa krypë Bazit të Canes.

Brigada e II-të mbas datës 10 sulmoi mbi Funaras, Zgozhdë e Lunik. Informacionet qi i kish dhënë Elbasani (Çermenika) ishin të gabuara kamb’e krye. Ajo hasi në nji reaksjon të organizuar më së miri, në çeta të armatosura me armë automatike e me mitroloza të randë. N’atë zonë reaksjoni kish regullue nji sistem rojesh brenda të cilit kta ranë me sy mbyllur. Pësuan nji disfatë të plotë. Nji bataljon, më duket i II-ti, u shpartallue shumë keq dhe la 31 rob me nji herë dhe rob të tjerë më vonë si dhe shumë të vrarë. Dy bataljonet e tjera u tërhoqën gjithashtu me humbje. Lanë Shëngjergjin për bazë për t’u riorganizuar. Mbas 19-ës patën edhe kto nja dy përpjekje me gjermano-ballistat nga të cilat u tërhoqën me turp. Kjo kish mbetur me vetëm 50-60 veta por pardje u sulmue nga trupat kosovare dhe gjermane dhe la bashk me Bataljonin e Dajtit 20 të vrarë. Nji pjesë u largue në drejtim të panjohun, nji pjesë ka mbetur e bllokuar nëpër pyje fare afër Tiranës.

N’operacionet e tyre gjermanët hynë në Shëngjergj, Gurakuq, Orenjë dhe Martanesh. Hynë gjithashtu në disa vende të Dajtit dhe të Zaranikës. Në Labinot e Shëmhill nuk hynë fare. Ata nuk gjetën rezistencë dhe s’bënë ndonji dam, veçse në Martanesh ku dogjën afro 200 shtëpi. Ballistat u ngrejtën peshë të gjithë me Lush Leshanakun e me Aziz Biçakun, Isa Kallanin e të tjerë nënshtruen të gjithë rajonin. Ata që ishin me ne kush me qef e kush pa qef u lidhën me Ballin. Sali Miu mbassi bënë ballist e vranë; Islam Cangu dhe Beg Balla trathtuen. Në Labinot përveç vjedhjeve nga ana e ballistave asnjë dam tjetër. Në Shëmhill kurgjë. Shëmhilli ka qindrue ma mirë nga të gjithë.
 
(...vijon numrin e ardhshëm)

Shkrimi u publikua sot (24.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar

U shkatërrua nga flakët rreth 5 vite më parë, rihapet 'Notre-Dame'! Ja kur do të pres vizitorë katedralja historike e restauruar