Policia në Britani dhe Irlandën e Veriut arrestoi dhjetëra vetë për shkak të dhunës në protesta, ndërkohë që qeveria paralajmëroi për masa të ashpra kundër atyre që tha se po shfrytëzonin vrasjen e tre vajzave të vogla para disa ditësh, për të nxitur trazira.
Protestat e dhunshme ku marrin pjesë qindra grupe kundër imigracionit, kanë shpërthyer në qytete në gjithë Britaninë pas vrasjes së vajzave në një sulm me thikë në një klasë vallëzimi për fëmijë në Southport, në pjesën perëndimore të vendit javën e kaluar.
Grupet anti-imigracion dhe anti-myslimane morën shkas nga këto vrasje për të protestuar pasi u përhapën informacione të rreme se i dyshuari ishte një emigrant radikal islamik.
Policia ka thënë se i dyshuari ka lindur në Britani. Sipas njoftimeve të mediave, familja e tij është krishterë.
Të shtunën, trazira të dhunshme shpërthyen në qytete anembanë vendit, përfshirë në Liverpul, Bristol, Hall dhe Stoke-on-Trent, si dhe në qytetin Blackpool. Policia tha se ka arrestuar të paktën 87 persona. Trazira pati edhe në Mançester dhe Belfast.
Dyqanet dhe bizneset u vandalizuan dhe plaçkitën, një bibliotekë në Liverpul u dogj dhe disa policë u plagosën, thuhet në deklaratat e policisë.
“Dhuna kriminale dhe banditizmi në rrugët tona nuk do të tolerohen”, tha ministrja e Brendshme Yvette Cooper të shtunën vonë. "Forcat policore kanë mbështetjen time të plotë për të garantuar që ata që angazhohen në trazira kriminale të marrin ndëshkimet më të forta të mundshme."
Protestat e së shtunës ishin më të mëdhatë pas disa ditësh trazira pas vrasjeve. Kryeministri Keir Starmer ka thënë se ato nuk janë protesta legjitime, por rezultat i veprimeve të qëllimshme të së djathtës ekstreme, të koordinuara nga një "grup individësh që janë absolutisht të prirur ndaj dhunës".
Hera e fundit që shpërthyen protesta të dhunshme në të gjithë Britaninë ishte në vitin 2011, kur mijëra njerëz dolën në rrugë pasi policia qëlloi për vdekje në Londër.
Protestat po vazhdojnë edhe gjatë ditës së dielë./ VOA