Vlore - Masakër mjedisore ka ndodhur në fshatin Bestrovë. Pranë liqenit me qindra peshq janë konstatuar të ngordhur nga banorë të zonës. Sipas tyre mendohet se liqeni është kontaminuar prandaj i bëjnë thirrje instancave përkatëse të marrin masa të menjëhershme pasi edhe bagëtitë që kullosin pinë ujë në këtë liqen.

Peshqit e ngordhur në liqenin e fshatit Bestrovë në Vlorë janë parë prej tre ditësh nga banorët e zonës. 

Jashtë kamerave ata thonë se kjo masakër mjedisore është bërë nga dora e njeriut, pasi gjatë natës kanë parë njerëz duke hedhur lëndë toksike dhe mbetje të ndryshme në liqen ç’ka ka sjellë edhe këtë situatë.

Përveç erës së keqe, peshqit e ngordhur mund të bëhen edhe shkak i përhapjes së një epidemie. Banorët kërkojnë marrjen e masave, ndërkohë të pyetur për këtë situatë nga Report Tv, institucionet shtetërore ja hedhin përgjegjësinë njëra-tjetrës.