Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur shqetësimin e saj dhe të gjithë anëtarëve në lidhje me ndryshimin e ligjit për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë të miratuar të enjten në Kuvend.

Në një deklaratë për shtyp, Dhoma thekson se ky ndryshim rikthen anëtarësimin e detyrueshëm të biznesit në këto dhoma.

Sipas saj, në kundërshtim me angazhimin e shprehur qartë nga qeveria për diskutim dhe dialog me biznesin mbi aktet ligjore dhe nënligjore të cilat prekin biznesin, këto ndryshime nuk kaluan asnjë fazë diskutimi publik përpara se t’i dërgoheshin Kuvendit të Shqipërisë.
 
Rezultatet e Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane për vitin 2015-2016 treguan se shqetësimi kryesor për klimën e biznesit në vend është niveli i taksave.
 
Qëndrimi i Dhomës Amerikane është që çdo biznes duhet të ketë lirinë e garantuar në Kushtetutë që të jetë pjesë e organizatave që dëshiron ta përfaqësojnë, duke përfshirë këtu edhe të drejtën për të mos qenë pjesë e asnjë prej tyre.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com