Dhoma e Avokatisë Vlorë përmes një deklarate publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë, ka kërkuar urgjentisht rishikimin e hartës gjyqësore.
Në deklaratë thuhet se harta aktuale gjyqësore ka dështuar dhe gjykatat e Apelit janë të mbingarkuara për shkak të centralizimit të tejskajshëm.
Centralizimi sipas tyre ka shkaktuar në gjykatat e apelit vonesa në shqyrtimin e çështjeve dhe kosto të shtuara për qytetarët.
Po ashtu, sipas Dhomës së Avokatisë Vlorë, aksesi real në drejtësi është vështirësuar ndjeshëm, sidomos për qytetarët që jetojnë larg qendrave të përqendruara gjyqësore.
Në mbyllje të deklaratës thuhet se ‘mosadresimi i kësaj situate rrezikon jo vetëm cenimin e vazhdueshëm të të drejtave themelore të qytetarëve, por edhe shtimin e ankesave pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me pasoja financiare dhe institucionale për shtetin shqiptar’.
Deklarata e Dhomës së Avokatisë Vlorë:
Për Dështimin e hartës gjyqësore dhe nevojën urgjente të rishikimit të saj.
Drejtuar: 1. Këshillit të Lartë Gjyqësor.
2. Ministrisë së Drejtësisë
Në ushtrim të të drejtës kushtetuese për t’u drejtuar organeve shtetërore dhe në funksion të mbrojtjes së parimeve themelore të shtetit të së drejtës, po ju parashtrojmë shqetësimin tonë serioz dhe të argumentuar juridikisht lidhur me gjendjen aktuale të sistemit gjyqësor, në veçanti sa i përket funksionimit të Gjykatave të Apelit pas zbatimit të hartës së re gjyqësore.
Sipas nenit 42 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, çdo person gëzon të drejtën që çështja e tij të shqyrtohet nga një gjykatë e pavarur, e paanshme dhe e vendosur me ligj, brenda një afati të arsyeshëm. Ky parim përforcohet më tej nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe ka përparësi ndaj ligjit të zakonshëm, në përputhje me nenin 122 të Kushtetutës.
Sot, pas një periudhe të mjaftueshme zbatimi, është e qartë se centralizimi i tejskajshëm i gjykatave, veçanërisht në nivel apeli, ka krijuar mbingarkesë serioze, vonesa të papranueshme në shqyrtimin e çështjeve dhe kosto të shtuar për qytetarët dhe profesionistët e së drejtës. Aksesi real në drejtësi është vështirësuar ndjeshëm, sidomos për qytetarët që jetojnë larg qendrave të përqendruara gjyqësore. Kjo situatë krijon një cenim të drejtpërdrejtë të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, duke e shndërruar të drejtën për ankim në një mjet formal dhe jo efektiv, në kundërshtim me standardet kushtetuese dhe konvencionale.
Jurisprudenca e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut ka theksuar vazhdimisht se shtetet kanë detyrimin pozitiv të organizojnë sistemin e tyre gjyqësor në mënyrë të tillë që gjykatat të jenë në gjendje të përmbushin kërkesën për gjykim brenda një afati të arsyeshëm. Dështimi për të garantuar një organizim efikas të gjykatave përbën përgjegjësi shtetërore, pavarësisht reformave të ndërmarra apo kufizimeve strukturore.
Në këtë kontekst, zbatimi i hartës së re gjyqësore, ndonëse i mbështetur në objektiva reformuese, ka prodhuar pasoja që kërkojnë një rishikim të menjëhershëm dhe realist, bazuar në tregues konkretë funksionalë dhe jo vetëm në kritere teorike apo administrative. Centralizimi i gjykimeve të Apelit ka rritur ndjeshëm distancën gjeografike, kostot për palët, si dhe ka përqendruar në mënyrë jo proporcionale një numër të lartë çështjesh në pak struktura gjyqësore, duke cenuar parimin e aksesit efektiv në drejtësi.
Duke pasur parasysh se, sipas Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi, Këshilli i Lartë Gjyqësor është organi kushtetues kompetent për organizimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor, vlerësojmë se edhe Ministria e Drejtësisë, në rolin e saj të rëndësishëm në hartimin dhe orientimin e politikave publike në fushën e drejtësisë, duhet të ndërmarrë një nismë institucionale për të rekomanduar pranë KLGJ-së rishikimin e hartës gjyqësore, veçanërisht në nivel Apeli.
Në mënyrë të posaçme, konsiderojmë se rikthimi ose krijimi i të paktën tre Gjykatave të Apelit, të shpërndara mbi bazën e kritereve të ngarkesës reale, densitetit të çështjeve dhe aksesit gjeografik, do të përmbushte më mirë kërkesat kushtetuese dhe konvencionale për një drejtësi efikase, të aksesueshme dhe funksionale.
Mosadresimi i kësaj situate rrezikon jo vetëm cenimin e vazhdueshëm të të drejtave themelore të qytetarëve, por edhe shtimin e ankesave pranë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, me pasoja financiare dhe institucionale për shtetin shqiptar.
Duke shprehur besimin se ky shqetësim do të trajtohet me seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkon rëndësia e tij për shtetin e së drejtës, mbetemi në dispozicion për çdo bashkëpunim institucional dhe kontribut profesional në funksion të përmirësimit të sistemit të drejtësisë.
Komente










