Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë sjell për herë të parë në Tiranë Festivalin Rajonal të Inovacionit. Një kërkesë e ardhur nga vetë sipërmarrja, gjeti mbështetjen e institucionit përfaqësues të saj, duke konkretizuar në këtë formë formatin që vjen për herë të parë në këtë dimension. Iniciativë që gjeti menjëherë bashkëpunimin e Bashkisë Tiranë dhe partneritetin e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtë, Swiss EP, Advantage Austria, Qëndra Protik, TOK Agency dhe suportin e Telekom Albania dhe ABI Bank.
Më shumë se 40 kompani të reja apo start-up, ICT, turizmit, institucione financiare, kompani të energjetikës, telekomunikacionit etj., nga data 18-20 shtator do të prezantojnë para një audience të përzgjedhur risitë që sjellin në tregun tonë, vlerësimin e ideve të reja dhe mënyrën se si po i zbatojnë ato për konsumatorin shqiptar.
Tre ditët e Festivalit do të jenë një mundësi e mirë e takimeve mes sipërmarrësve shqiptarë e atyre të Kosovës, Maqedonisë, Austrisë, Italisë, Estonisë, Finlandës, Emirateve të Bashkuara, Indisë apo Egjiptit, duke e kthyer këtë event jo vetëm mundësi shkëmbimi idesh, por vendosje të kontakteve të reja dhe partneritete me sipërmarrësit e këtyre vendeve që kanë vendosur të jenë në Tiranë gjatë këtyre ditëve. Janë afro 300 përfaqësues shqiptarë dhe të huaj që janë mbledhur në Festival.
Rastet e suksesit nga Amerika, Gjermania, Austria apo Suedia që do të prezantohen në Festivalin e Inovacionit, janë një mundësi që vjen për herë të parë tek ne, duke marrë prej tyre më të mirën. Janë djemtë tanë raste suksesi në botë, që përfaqësojnë kompanitë më të mëdha, që do të ndajnë gjatë ditëve të eventit eksperiencat e tyre.
Pse Festivali i Inovacionit?
Inovacioni çon në nevojën e nxitjes së kapaciteteve të burimeve njerëzore, nxitjen e brezit të ri drejt investimeve në teknologji të reja që rrisin produktivitetin dhe konkurrueshmërinë e markës tregtare “Made in Albania”. Për çdo sipërmarrës inovacioni nënkupton; të qenit gati për të ndryshuar dhe vepruar pa ndërprerje duke kuptuar tendencat dhe duke parashikuar kërkesat e tregut.
Globalizimi stimulon rritjen e konkurrueshmërisë. Kudo në tregun global lindin konkurrentë të rinj, veçanërisht në vendet me kosto të ulët të punës. Por, lindin edhe mundësi të mëdha për të hyrë në tregjet globale dhe e gjithë kjo kërkon strukturimin e duhur i cili vjen duke u përballur me atë çfarë sot afrohet në treg.
Ndaj qëllimi i Festivalit është: Promovimi i projekt ideve inovatore për produktet dhe shërbimet.
Audienca e pranishme në këtë festival është e fokusuar në fusha specifike. Pjesë e aktivitetit do të jenë veç kompanive pjesëmarrëse gjatë tre ditëve të saj, investitorë të gatshëm për të njohur projekt idete dhe mundësitë dhe për të investuar në to.
Atashe tregtarë të përfaqësive dhe organizatave të huaja në vendin tonë që do të sjellin dhe kompani nga vendet e tyre, për të mbështetur idetë e reja që do të përcjellin kompanitë shqiptare dhe rajonale.
Bordi i vlerësimit i ngritur për këtë qëllim në këtë festival, me njerëz që i përkasin fushës akademike dhe sipërmarrjes, do të vlerësojë gjithashtu edhe kompanitë që sjellin të ndryshmen në treg, me qëllim që më pas të gjejnë partneritet nga investitorë potencialë të huaj dhe shqiptarë.