Sulmet ndaj bankave, qendrave tregtare, institucioneve dhe objekteve të biznesit gjatë protestave në Tiranë kanë sjellë reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, e cila kërkon dokumentimin e plotë të dëmeve dhe marrjen e masave për mbrojtjen e pronës publike dhe private.
Në një deklaratë të përbashkët me disa shoqata biznesi, Dhoma e Tregtisë dënon aktet e dhunës dhe vandalizmit, duke theksuar se asnjë kauzë apo përplasje politike nuk mund të justifikojë shkatërrimin e pronës dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve.
Sulmet ndaj bankave, qendrave tregtare dhe institucioneve gjatë protestës së dhunshme të 14 tetorit në Tiranë kanë sjellë reagimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe disa shoqatave të biznesit, të cilat dënojnë shkatërrimin e pronës publike dhe private. Në një deklaratë të përbashkët, ato kërkojnë nga autoritetet dokumentimin e plotë të dëmeve, identifikimin e autorëve të dhunës dhe marrjen e masave për mbrojtjen e bizneseve. Dhoma e Tregtisë u bën thirrje edhe organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen nga aktet e dhunës, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet respektuar, por asnjë kauzë apo pakënaqësi politike nuk justifikon vandalizmin. Sipas saj, pas çdo biznesi të dëmtuar qëndrojnë investime, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej tij.
Deklarata mbështetet nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Manifaktura Shqiptare, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare.
Deklarata e plotë
"Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me shoqatat e biznesit si: Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar/KASH, Manifaktura Shqiptare, Albania, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare, shpreh shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, përfshirë sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit.
Në cilësinë e Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, theksoj se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore e çdo qytetari dhe një vlerë e patjetërsueshme e shoqërisë demokratike. Kjo e drejtë duhet respektuar, garantuar dhe mbrojtur nga institucionet shtetërore. Qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete.
Por asnjë kauzë, pakënaqësi apo përplasje politike nuk justifikon dhunën, zjarrvënien, vandalizmin dhe cenimin e sigurisë së qytetarëve. Shkatërrimi i pronës publike dhe private është i papranueshëm dhe duhet të ndalet.
Bizneset, punonjësit dhe pronat e tyre nuk mund të bëhen shënjestër e tensioneve politike. Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit. Po kështu, dëmtimi i institucioneve dhe i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit.I bëjmë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të përmbushin me vendosmëri detyrimin për ruajtjen e rendit, mbrojtjen e jetës dhe garantimin e paprekshmërisë së pronës publike e private. Kërkojmë masa konkrete parandaluese, prani të përshtatshme në zonat e rrezikuara dhe ndërhyrje në kohë ndaj çdo akti dhune apo shkatërrimi.
Veprimet e policisë duhet të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve, punonjësve të bizneseve dhe vetë efektivëve. Autorët e dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale sipas ligjit, pa ia ngarkuar fajin kolektivisht çdo qytetari që ushtron paqësisht të drejtën e protestës.
U bëjmë thirrje organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen qartë nga çdo akt dhune, të bëjnë thirrje për qetësi dhe të kontribuojnë aktivisht në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve. Përgjegjësia publike kërkon gjuhë që ul tensionet dhe veprime që parandalojnë përshkallëzimin.
Kërkojmë gjithashtu dokumentimin e plotë të dëmeve dhe komunikim të drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, për të mundësuar denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë është e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për evidentimin e shqetësimeve të biznesit dhe forcimin e masave mbrojtëse.Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen.
Tirana duhet të jetë një qytet ku qytetarët protestojnë të lirë, institucionet përmbushin detyrën dhe sipërmarrjet ushtrojnë aktivitetin e tyre të sigurta"
Lajmi kryesor:
Protesta/ Pezullohet transporti publik, mbyllen biznese e banka! Shoqata: Autoritetet të marrin masa për vijimin e shërbimeve! Dhoma e Tregtisë: Të identifikohen autorët dhe dokumentohen dëmet











