TIRANE - Burg të përjetshëm të gjithë atyre që guxojnë të vrasin bashkëshorten apo vajzën. Ky është propozimi që bën kryeministri Sali Berisha duke marrë shkas nga shtimi i rasteve të dhunës brenda familjes.

Kryeministri Berisha tha sot në mbledhjen e qeverisë se është e domosdoshme forcimi i dënimeve për krimet në familje, kundër bashkëshortes dhe vajzës, duke vendosur dënimin me burg përjetë. Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi Konventën e Këshillit të Ministrave të Europës Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. "

"E vërteta është se krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. Në qoftë se vrasja e bashkëshortes pothuajse ka qenë inekzistente, sot, për fat të keq, kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar", tha Kryeministri, duke e cilësuar vrasjen e bashkëshortes apo të vajzës si "krimin më të shëmtuar."

Kryeministri theksoi se krahas ratifikimit të kësaj Konvente, e cila i imponon shteteve anëtare standarde të reja në luftën kundër dhunës në familje, duhet të rreptësohet dënimi për këtë vepër penale, sikundër edhe për veprën penale të vrasjes së policit dhe të vrasjes për hakmarrje.  Kreu i ekzekutivit premtoi se shumë shpejt do të dërgohet në Parlament edhe kërkesa për dënimin me burg përjetë dhe konfiskimin e pasurive për autorët e vrasjes së policëve.
(Gre.M/sg/Shqiptarja.com)