Dhuna ndaj grave e vajzave në Shqipëri, vijon denoncimi dhe përpjekja për t’i mbrojtur

Dhuna ndaj grave e vajzave në Shqipëri, vijon denoncimi dhe përpjekja për t’i mbrojtur

Në Shqipëri, denoncimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave po rritet dhe mbrojtja e tyre është bërë angazhim kryesor i organizatave për të drejtat e njeriut. Veprimtaret pohojnë se megjithë shtimin e denoncimeve, dhuna ndaj grave dhe vajzave është dukuri shumë e përhapur dhe pak e njohur.

Albana është një prej zonjave, që denoncoi dhunën, kërkoi zgjidhje martese dhe po përpiqet të nisë një jetë të re. Për arsye sigurie, portreti i saj është fshehur, ndërsa emri dhe zëri i saj janë ndryshuar. Pasi denoncoi dhunën e ish bashkëshortit, ajo ka marrë urdhër mbrojtjeje nga gjykata dhe është në proces zgjidhje martese. Albana thotë për Zërin e Amerikës se dhuna fizike ndaj saj nisi menjëherë pas martese, duke u mbuluar prej tij si formë xhelozie pa asnjë shkak.

“Nga dhuna fizike, ai vazhdoi në kërcënime: "Ti nuk mund të largohesh në asnjë mënyrë. Thoshte: "Ti je e humbur. Do të të vras. Do të hedh nga ndërtesa". Më mbante frika në këtë marrëdhënie; nëse largohesha, do të isha vrarë siç përsëriste ai. Kam ndenjur në atë marrëdhënie 4 vite, por prapë po të njëjtat ngjarje, derisa u lodha dhe thashë "Mjaft më!”, theksoi Albana.

Albanën e takuam në mjediset e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, ku ndihmohen vazhdimisht dhjetëra gra e vajza kurajoze si ajo prej avokateve dhe psikologeve. Këtu juristet dëgjojnë histori të shumta dhe tronditëse të dhunimit ndaj vajzave nga mosha studentore deri zonja mbi 60 vjeç, nga dhuna më fillestare e deri në vrasje.

Nadja Guni është pjesëtare e një grupi të gjerë juristesh të reja, që kanë kryer studimet universitare për jurisprudencë rezultate të larta, dhe që i janë kushtuar mbështetjes së vajzave e grave të dhunuara me këshillime avokatie. Ajo thotë se ky angazhim e ka përfshirë shumë, po bëhet mbizotëron në përkushtimin profesional të saj dhe po bën gjithçka që të ndikojë sa më shumë në zbutjen e kësaj dukurie. Vetëm kur gjendesh në kontakt me to, mund të kuptohet se sa shumë është e përhapur kjo dukuri në shoqërinë shqiptare, thotë ajo.

“Faktorët ekonomikë dhe ata socialë ndikojnë më së shumti. Problemet e dhunuesve me alkoolin janë të vazhdueshme. Këtu vijnë vazhdimisht mjaft viktima të dhunës prej familjarëve konsumues të lëndëve narkotike dhe të alkoolit. Përpiqemi t’i ndihmojmë të gjithë”, thotë juristja Guni.

Ndihma juridike në këtë qendër nis nga hartimi i dokumentave, deri tek përfaqësimi i tyre në organet administrative dhe gjyqësore, duke qëndruar pranë grave dhe vajzave të dhunuara në të gjithë proceset juridike. Urdhërat e mbrojtjes janë marrë pothuajse në gjithë rastet e paraqitur në gjykatë, ndërsa pas mbrojtjes fizike nis kalvari i një seri çështjesh të tjera, thotë juristja Klea Cahani.

“Ndihma nis me trajtimin e dhunës, por më vonë nisin proceset për zgjidhje martese, për kujdestarinë e fëmijëve, mbi përfitimin e ndihmës ekonomike të viktimave, apo për ndarjen e pasurisë bashkëshortore, trajtim psikologjik, nevoja strehimi. Gratë vuajnë edhe dhunën edhe gjithë këto probleme të tjera më pas”, thotë juristja Cahani.

Gratë dhe vajzat e dhunuara nuk mbeten vetëm; organizatat ia përcjellin njëra tjetrës sipas profileve të tyre, juridike, ekonomike etjj për t’i ndihmuar për t’i ndihmuar deri në fund. Kjo dhunë jo vetëm trajtohet rast pas rasti por edhe studiohet me detaje nga ekspertet e juridikut. Një studim të hollësishëm shumëvjeçar sapo ka përmbyllur Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, duke nisur nga vrasjet e grave dhe vajzave, fati i proceseve gjyqësore në mbrojtje të tyre, dënimi apo jo i agresorëve dhe sjelljet e institucioneve të ndryshme administrative dhe gjyqësore ndaj kësaj dukurie.

“Nga vendimet gjyqësore të shqyrtuara ndër vite, ne kemi evidentuar për fat të keq, se ka raste kur viktimat janë vrarë pasi kanë patur një urdhër mbrojtjeje. Pra, urdhëri i mbrojtjes në këtë rast nuk ka funksionuar. Kemi evidentuar arsyet se përse nuk kanë funksionuar urdhërat për mbrojtjen e jetës së tyre. Rreth 75 për qind e vendimeve gjyqësore të shqyrtuara tregojnë se dhuna ka ardhur për shkaqe familjare. Në studim renditen një seri shkaqesh të tjera. Ne kemi rekomanduar veçimin e çifteve me akte dhune fizike filimisht, por kjo është një masë tejet e pamjaftueshme, nëse sistemi i drejtësisë nuk do të ketë gjerësisht një qasje dashamirëse ndaj viktimave të dhunës dhe t’i trajtojë çështjet në kompleksitetin e tyre”, thotë dr. Aurela Anastasi, pedagoge e universitetit dhe drejtuese e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare.

Ndërkohë Albana, denoncuesja kurajoze e dhunës, po përpiqet të rifillojë jetën e saj, duke ndjekur ëndrrën e saj të ndjekë studimet për psikologji dhe hobin e saj të bëhet një make up artiste e njohur.

“Mesazhi im është që gratë dhe vajzat të mos e fshehin dhunën dhe të mos e durojnë për shumë vite si unë, por të largohen menjëherë prej atij personi dhe ta denoncojnë, pa mbajtur shpresa më kot se dhunuesi do të përmirësohet”, thotë Albana.

Megjithë denoncimet në rritje, dhuna ndaj grave dhe vajzave është ende një dukuri e shtrirë gjerësisht, por pak e njohur në shoqërisë shqiptare. Ajo del në dritë në fazën ekstreme, kur viktimat vriten nga bashkëshortët, pas shumë vite fshehje të gjendjes. Veprimtarët këmbëngulin që falë përmirësimeve ligjore, pushteti vendor dhe ai qendror të kujdeset përditë për dhunimet e shfaqura qysh në fazat e hershme të dhunës para se ato të shndërrohen në ngjarje tragjike./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI