Avokati Kujtim Cakrani, mbrojtës i policit të pezulluar tashmë, Ardian Isufi, thotë se nuk është klienti i tij personi që goditi me shpullë dhe grushte kamerierin 18-vjeçar në Vlorë për një shishe uji.

Avokati i del në mbrojtje dhe thotë se ish-shefi i rrugores në Vlorë, vetëm e ka shtyrë kamerierin, ndërsa personi që e goditi në fytyrë është shoku i tij, Leart Bimo, me të cilin efektivi u ul të pinte kafe.

“Polici ishte aty, me një shokë, konsumuan diçka, por s’është e vërtetë që polici qëlloi. Ai mund të mbajë përgjegjësi që e ka goditur shoku dhe duhet ta ndalonte. Polici e ka shtyrë dhe ka ikur, ka shkuar dhe e ka goditur ai tjetri”, thotë Kujtim Cakrani.

Pas dhunës ndaj kamerierit në sherr u përfshinë edhe pronari i hotelit dhe një gazetar lokal, të cilët po hetohen në gjendje të lirë nga policia.

Avokati Cakrani kërkon të zbardhet ngjarja që nga fillimi, dhe të merren të plota videot e kamerave të sigurisë, pasi sipas tij është hedhur baltë mbi ish-efektivin i cili ndodhet në reanimacion.

“Policia ta hetojë ngjarjen, të marrë videot të shohë si ka ndodhur ngjarja dhe të zbulojë çka ndodhur. Dënoj çdo akt dhune por ngjarja duhet zbardhur se polici s’duhet të mbajë baltën e hedhur. Kush ka dhunuar policin do mbajë përgjegjësi, edhe ai që ka goditur kamerierin do mbajë përgjegjësi”, shprehet avokati Cakrani.

Për të kanë nisur 2 hetime, ai administrativ i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit dhe  një hetim penal nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Ardian Isufi u pezullua nga detyra në Policinë Kufitare në Dibër nga kryepolici Ilir Proda pak pas publikimit të videos së dhunës ndaj kamerierit në një hotel në Vlorës mbrëmjen e së shtunës. Për rastin mbajti qëndrim edhe Kryeministri Edi Rama, i cili tha se  polici duhet të përjashtohet përgjithmonë nga blutë.