Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, kërkon që rojet private që dhunuan qytetarët të cilët protestonin kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, dhe kompanitë ku ata janë punësuar, të marrin ndëshkimin e merituar, sipas ligjit, sa më parë.

"Rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre  hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur",- shkruan Lamallari.

Përmes rrrjeteve sociale, Lamallari dënon gjithashtu edhe indiferencën e pajustifikueshme të punonjësve të policisë së Vlorës, të cilët në fakt ishin të shumtë në vendin e protestës.

Reagimi i plotë i ministrit Besfort Lamallari:

1. Projekti i Zvërnecit lidhet me një tokë tërësisht private dhe qeveria shqiptare as ka falur tokë, as ka tokë për të falur - jo vetëm sepse ne nuk i kemi falur ndonjëherë tokë askujt, po edhe sepse në këtë rast ajo pronë u është kthyer pronarëve dhe është regjistruar në hipotekë, vite përpara sesa ne të vinim në qeveri.

2. Po nëse prona është private, rojet private të pronës nuk kanë asnjë të drejtë të përdorin forcë ndaj askujt dhe jo vetëm ata si individë duhet të ndiqen penalisht, siç po ndiqen po edhe për kompaninë e tyre  hetimi administrativ për paaftësi totale në ushtrimin e aktivitetit të autorizuar, duhet të mbyllet sa më parë të jetë e mundur.

3. E përshëndes reagimin e shpejtë të drejtorisë së përgjithshme të Policisë së Shtetit për pezullimin e drejtuesve vendorë dhe vënien nën hetim të zinxhirit të komandimit, sepse nuk ishte e papranueshme vetëm sjellja skandaloze e rojeve private, po edhe indiferenca e pajustifikueshme e policisë së pranishme në vend.

Goditja brenda radhëve të Policisë së Shtetit, që nisi në Sarandë dhe ka vazhduar në Vlorë, do të jetë një konstante e punës së strukturave tona në këtë kapitull të ri të drejtimit të tyre. Uniformat blu janë dhe duhet të jenë në çdo rast, garante të rendit ligjor, ku mbrojtja e pronës publike apo private janë një pjesë thelbësore. Por po ashtu ato duhet të garantojnë edhe  pacënueshmërinë e besimit të qytetarëve tek uniforma e policisë, prandaj çdo devijim nga këto parime do të goditet përmes bashkëpunimit të ngushtë mes strukturave drejtuese të policisë dhe të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.

Dhuna ndaj protestuesve kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec ka çuar në arrestimin e punonjësit të sigurisë Genard Biba, 32 vjeç, pjesë e kompanisë “Major Security”, ndërsa dy kolegë të tij, Artur Grami dhe Gazmend Vathi, janë vënë nën hetim. Sipas Policisë së Shtetit, Biba ka goditur me grushte një protestues dhe më pas, në bashkëpunim me dy punonjësit e tjerë, e ka marrë me forcë dhe e ka tërhequr drejt kabinës së rojeve, ku është mbajtur deri në ndërhyrjen e policisë. Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Heqje të paligjshme të lirisë” dhe “Plagosje të lehtë me dashje”, ndërsa dy të tjerët hetohen për plagosje të lehtë me dashje.

Ngjarja nxiti reagime të forta edhe për shkak të qëndrimeve kontradiktore të Policisë së Vlorës dhe Policisë së Shtetit. Fillimisht u pretendua se protestuesi kishte hyrë me forcë në kantier, por më pas Policia e Shtetit sqaroi se ai ishte tërhequr nga rojet private që në rrethimin e zonës së ndërtimit, çka solli pezullimin e drejtorit të Policisë së Vlorës, Elidon Cela. Ndërkohë, mbeten pa përgjigje pyetjet mbi autorizimin e rojeve private për përdorimin e spray-t ndaj protestuesve dhe policëve, si edhe arsyet pse forcat e rendit nuk ndërhynë menjëherë gjatë incidentit. Për këtë arsye, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar hetim disiplinor për të gjithë zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës lidhur me menaxhimin e protestës.