Ministri i Brendshëm Befort Lamallari bëri të qartë se çdo punonjës i Policisë së Shtetit duhet t’i bëjë mirë llogaritë me detyrën, veten dhe drejtësinë nëse do të bëhet palë me krimin e do të mbyllë sytë përballë paligjshmërisë.

Ky mesazh vjen pas aksionit të zhvilluar në Sarandë nga Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) që çoi në shkrirjen e komisariatit të Sarandës, pasi kupola drejtuese kishte lejuar ndërtimin pa leje të ‘Copacabana’, një biznes i dyshuar për lidhje me krimin.

“U bë e mundur goditja e njërit prej rasteve të paligjshmërisë, ku policë bëhen palë me krimin. Neglizhojnë bërjen e detyrës, por cenojnë edhe interesat kombëtare. Bregdeti nga veriu në jug, mbrojtja e territorit i përket qytetarëve dhe nuk mund të preket. Kush mendon se interesat vetjake mund të heshtohen, e ka gabim. Kjo është një mesazh i qartë që llogaritë duhet t’i bëjë mirë me veten, detyrën dhe drejtësinë”, tha Lamallari gjatë konferencës me gazetarët.

Lamallari tha se Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) si dhe Policia e Shtetit kanë ndërmarrë plan masash kundër parandalimit të ndërtimeve pa leje si dhe kontrolle të vazhdueshme në zonat me risk të lartë.

Ndërkohë Policia e Shtetit ka vënë në praktikë një tjetër sistem të informimit të medias dhe publikut, duke reduktuar sasinë e informacionit për ngjarje. Për mediat ky sistem i ri i qasjes së informacionit, ka shkaktuar një ‘ngërç’ në informimin e publikut. Ministri Lamallari tha se qëllimi është për të shmangur dezinformonin dhe që publiku të marrë vetëm informacionin e duhur.

“Komunikimi i ri është për transparencë dhe për të shmangur dezinformimin. Është e rëndësishme që qytetarët të mos bombardohen me informacione të panevojshme dhe të marrin informacion korrekt. Ministri i Brendshëm nuk ndërhyn në çështje operacionale, dhe policia nuk ndan operacionet gjatë zhvillimit të tyre. Drejtori i Policisë ka bërë komunikime të tilla për masat në mbrojtjen e territorit”, tha Lamallari.

Ndërkohë Besfort Lamallari bëri me dije dhe masat e ndërmarra për sezonin turistik veror dhe mbrojtjes dhe parandalimit kundër zjarreve.

“Në fokus mbetet parandalimi i zjarreve, rritja e gatishmërisë operacionale dhe mbrojtja e jetës. Ka angazhim me bashkitë, si dhe përmirësim të trajtimit financiar të zjarrfikësve, orëve shtesë, ditëve të pushimit dhe sistemit të gradave. Po ashtu po kryhen kontrolle në resorte, bare dhe restorante për zbatimin e masave ndaj zjarreve.”

“Do kemi patrullim të veçanta dhe patrullime 12 orëshe. Shqipëria gjithnjë dhe më shumë po spikat për aftësitë policore. Nga ana tjetër, një element tjetër është funksionaliteti i plotë i policisë detare dhe kufitare. Ku do të dëshmojnë kapacitetet e tyre me në fokus të veçantë plazhet e Shqipërisë”, u shpreh ministri Lamallari.

Ministri i Brendshëm foli dhe për sigurinë nëpër shkolla duke shtuar këtu dhe implementimin e projektit ‘Smart City’ të monitorimit të ambienteve me kamera inteligjente.

“Masat për sigurinë në shkolla dhe inspektimet. Do të fillojmë me 21 shkolla për t’u shtrirë më pas në të gjithë territorin. Janë planifikuar masa të posaçme për parandalimin e incidenteve, hartimin e analizës së riskut dhe zbatimin e programit “Siguria e të rinjve”. Po kryhen kontrolle të veçanta në ambiente të shkollave të ndryshme”, tha Lamallari.

Lajmi në përditësim...