Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka dalë me vendimet e fundit në bazë të ndeshjeve të fundjavës që lamë pas.

Për përleshjen mes ultrasve të AF Elbasanit dhe KF Tiranës në fushën e stadiumit 'Elbasan Arena', Disiplina ka vendosur që të dyja klubet të dënohen me zhvillimin e dy ndeshjeve pa tifozë, kjo duke nisur nga sezoni i ri. AF Elbasani është pjesë e 'Final 4' dhe do të garojë për titullin kampion, teksa do të ketë tifozët në tribunat e 'Air Albanias' për tre ndeshjet kundër Vllaznisë, Egnatias dhe Dinamos. Gjithashtu të dyja klubet kanë marrë edhe gjoba, AF Elbasani 500 mijë lekë, ndërsa KF Tirana 300 mijë lekë (të rinj).

Sa i takon dhunës masive në fushë në fundin e derbit U-18 mes Partizanit dhe KF Tiranës, Disiplina ka hapur një hetim dhe pritet që dënimet të jenë të shumta.

Disiplina ka rrëzuar kërkesën e KF Kukësit për pretendimet se Bylis B kishte aktivizuar më shumë lojtarë të ekipit të parë sesa e lejon rregullorja në përballjen mes tyre. Gjithashtu, zyrtari i KF Bylis, Arbër Sino, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes dënohet me 4 katër ndeshje pezullim nga aktiviteti.

Vendimet e plota:

1. AF Elbasani, për dështim në garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes, duke lejuar hyrjen e personave të paautorizuar në fushën e lojës, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 500.000 (pesëqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës.
Zbatimi i masës disiplinore për zhvillimin e ndeshjeve pa spektatorë do të fillojë në sezonin sportiv 2026–2027.
2. KF Tirana, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shfaqur me hyrje të paautorizuar në fushën e lojës, hedhje sendesh në fushën e lojës, si dhe rrezikim të sigurisë së zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 6/3/b, 8/1, 17/2/a, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë, si dhe me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve pa praninë e spektatorëve në stadiumin përkatës.
3. KF Sopoti, për sjellje të gabuar të spektatorëve, të shoqëruar me hedhje sendesh në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe lojtarëve të ekipit kundërshtar, si dhe përdorim të koreve fyese, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/e të KDE-së, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/b të KDE-së, gjoba reduktohet në masën 20%.
4. Zyrtari i KF Bylis, Arbër Sino, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
5. Çeljen e hetimit disiplinor ne lidhje me incidentet e ndodhura në ndeshjen FK Partizani U-18 kunder KF Tirana U-18.
6. Rrëzimin e kërkesës së FK Kukësi lidhur me pretendimin për aktivizimin e lojtarëve që nuk kanë të drejtë të luajnë, si të pabazuar në dispozitat e Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike dhe Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.