Superliga shqiptare e futbollit do të zhvillojë sot me fillim nga ora 16:00 pesë ndeshjet e raundit të fundit (36) për sezonin e rregullt, para se katër skuadrat e renditura të parat t'i drejtohen fazës 'Final 4' për të mësuar skuadrën kampione.
Nëse katër skuadrat që do të garojnë në 'Final 4' janës mësuar (AF Elbasani, Vllaznia, Egnatia dhe Dinamo), gara vijon për zonën e mbijetesës.
Beteja më e ashpër në raundin e 36-të do të jetë në fundin e renditjes, ku disa ekipe janë 'në vallen e mbijetesës'. Zyrtarisht vetëm Flamurtari është rrëzuar në Kategorinë e Parë, ndërsa ekipe si KF Tirana, Bylis, Vora dhe Teuta janë në garë për të shpëtuar sezonin.
KF Tirana e cila ka 41 pikë dhe tre fitore radhazi, mban vendin e gjashtë (me pikë të barabarta me Bylisin) dhe e mbyll sezonin në transfertë kundër kryesuesve të AF Elbasanit, një ndeshje delikate edhe për historikun e sjelljes mes ultrasve. Duke qenë se bardheblutë kanë tre ekipe poshtë tyre, rrëzimi direkt në Kategorinë e Parë është shmangur, por tanimë kërkohet qoftë edhe një pikë për të shmangur zonën play-out. Në varësi të ndeshjeve të tjera, KF Tirana mund ta shmangë vendin e tetë (play-out) edhe me humbje.
Përpara ndeshjes, në konferencën për mediet, trajneri Orges Shehi i KF Tiranës tha se dëshiron të qëndrojë gjatë në krye të bardhebluve, ndërsa misioni i sotëm është shmangia e zonës play-out.
"Duhet të kërkojmë medoemos fitoren për të qenë të qetë dhe për të shmangur play-out-in. Nuk kemi bërë asnjëherë llogari. Objektivi dihet, është që të dalim nga kjo situatë dhe të anashkalojmë katastrofën. E ardhmja? Kam ardhur me dëshirën më të madhe, me objektiv për të ndenjur sa më gjatë, ndoshta edhe më gjatë se sa ndenja herën e parë", tha mes të tjerash Shehi.
Ndeshja finale për mbijetesë do të jetë ajo mes Vorës dhe Bylisit. Këta të fundit mbajnë vendin e shtatë me 41 pikë, dy pikë më shumë se Vora që për momentin ndodhet në vendin e tetë. Fatet e mbijetesës të dyja skuadrat i kanë në këmbët e tyre.
Teuta e vendit të nëntë luan në shtëpi kundër Egnatias. Durrsakët do të kërkojnë fitoren për të shmangur telashet, por në varësi të ndeshjes Vora - Bylis, edhe një barazim do t'i dërgonte në play-out.
Këtë sezon mbijetesa në Superligën e futbollit do të vendoset me 'fotofinish', duke shpresuar që klubet të luajnë pastër dhe pa tolerime e llogari, të bëra jo në fushën e lojës.
Superliga, raundi 36-të (i fundit):
E diel, 10 maj 2026 - 16:00
AF Elbasani - KF Tirana
Partizani - Dinamo
Teuta - Egnatia
Vllaznia - Flamurtari
Vora - Bylis
Renditja:

Komente







